Presidenti Ilir Meta deklaroi sot se detyra e tij është të mbrojë Kushtetutën, pluralizmin politik dhe rendin kushtetues në situatat më të vështira.
Duke folur për situatën e fundit ku është përfshirë institucioni i Presidencës në Gjykatën Kushtetuese, gjatë një interviste televizive, Presidenti Meta theksoi se “është detyra kushtetuese e Presidentit që të mbrojë Kushtetutën në të gjitha situatat, në mënyrë të mbrojë pluralizmin politik, dhe rendin kushtetues në tërësi në situatat më të vështira”.
“Nuk është përgjegjësia e Presidentit për shkaktimin e këtyre situatave kaq të vështira, ekstreme, për sa i takon anormalitetit, të funksionimit të shtetit të së drejtës, të dëmtimit apo të minimit të pluralizmit politik, të dhunimit të të drejtave kushtetuese të qytetarëve shqiptarë. Natyrisht që Presidenti ka qenë i detyruar të qëndrojë në krye të detyrës së tij, pa kompromis me të gjithë cenuesit dhe dhunuesit e Kushtetutës dhe të rendit kushtetues. Ndërkohë nuk duhet të harrojmë se Presidenti ka ndërmarrë nisma të vazhdueshme përgjatë këtyre katër viteve e gjysmë për të parandaluar situata të tilla anormale, të cilat janë shkaktuar qëllimisht”, tha ai.
“Rendi ynë kushtetues bazohet në pluralizmin politik. Të sulmosh e të dhunosh në mënyrë të paligjshme selinë e një partie politike në mes të Tiranës, dhe ky konflikt mediatizohet kudo dhe Presidenti të jetë 100 metra larg selisë dhe të mos shkojë të shikojë në vendngjarje se çfarë po ndodh, kur sapo ka nisur fushata zgjedhore si dhe kur kjo gjë bëhet qëllimisht se vetëm kjo parti politike u regjistrua në koalicionin me opozitën, ky është faji i Presidentit…? Të shohë se si ushtrohet dhunë nga shteti kundër një force politike të ligjshme? Se si synohet të nxirret me dhunë një parti politike pa vendim gjykate, në shkelje të të gjitha ligjeve të Republikës së Shqipërisë? Nuk është Presidenti shkaktar i dhunës! Presidenti shkon se nuk e beson se po ndodh një situatë e tillë në një vend anëtar të NATO-s, në një vend që synon të bëjë zgjedhje demokratike! Dhe pikërisht, në praninë e Presidentit ushtrohet dhunë nga përfaqësuesit e Bashkisë së Tiranës! Ishte reagimi i Presidentit që frenoi këtë dhunim. Edhe sot e kësaj dite, selia është dhe i takon partisë përkatëse. Pse? Sepse Presidenti ekspozoi përpara të gjithë qytetarëve dhe përpara gjithë botës dhunën e paligjshme që po ushtrohej ndaj një partie opozitare”, tha Meta.