Gjatë vizitës së zhvilluar sot në Ishëm, Presidenti Ilir Meta ka bërë homazhe në varrin e piktorit të njohur Ibrahim Kodra. Në një mesazh në rrjetet sociale, Presidenti shprehet se artisti ndërkombëtar Ibrahim Kodra është simboli i atdhetarit që nuk e harroi kurrë Shqipërinë.
“U përula sot me nderimin më të madh para birit të shquar të Ishmit, gjeniut të pikturës shqiptare, artit e kulturës sonë, Ibrahim Kodra. Veç se një kolos arti me përmasa botërore, Ibrahim Kodra ishte dhe një atdhetar, që kurrë nuk e harroi Shqipërinë.
Këtë e vërteton edhe amaneti i Tij i fundit, për t’u prehur në Atdhe, në tokën ku ai lindi dhe nga ku krijimtaria e tij e rrallë dhe e vlerësuar ndërkombëtarisht mori forcën, frymëzimin e ngjyrat e forta. Jeta dhe vepra e Ibrahim Kodrës, si pjesë e krenarisë tonë kombëtare, është një model frymëzimi e suksesi për fëmijët jetimë dhe gjeneratat e reja të artistëve shqiptarë, që duhet të ecin në gjurmë e kësaj trashëgimie të jashtëzakonshme kulturore. Të bashkojmë të gjitha përpjekjet për ta lulëzuar Ishmin, pasi i ka të gjitha potencialet natyrore, trashëgiminë kulturore por edhe kapitalin njerëzor”,- shkruan kreu i shtetit në mesazhin e tij.