Presidenti Ilir Meta kallëzon penalisht kreun e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani, për “shpërdorim detyre”.
Presidenca bën me dije se kallëzimi ndaj kryetarit të KED, lidhur me ngërçin në Gjykatën Kushtetuese do të dorëzohet në tre prokurori dhe më konkretisht në Prokurorinë e Përgjithshme, në Prokurorinë për Krimet e Rënda dhe në Prokurorinë e Tiranës.
Në kallëzimin penal thuhet se Presidenti ka konstatuar shkelje të rënda përgjatë ushtrimit të detyrës nga Dvorani, veprime këto të cilat kapërcejnë kufirin e “shkeljes disiplinore” dhe e ngarkojnë kreun e KED me përgjegjësi penale.
Veprat penale mbi të cilat bazohet kallëzimi janë “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 Kodit Penal dhe“Përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore”, parashikuar nga neni 246 i Kodit Penal.
Ndër të tjera thuhet: “Veprimet dhe mosveprimet e zotit Dvorani kanë krijuar një pasojë shumë të rëndë, që është cenimi i legjitimitetit të të gjithë procesit të përzgjedhjes së anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese dhe kanë krijuar një debat të fortë publik që sjell pasoja të pariparueshme për mirëfunksionimin e sistemit të drejtësisë dhe uljen e besimit të publikut tek Gjykata Kushtetuese dhe implementimi i reformës në sistemin e drejtësisë”.
Në kallëzimin ndaj Dvoranit, Presidenti shpreh bindjen se kreu i KED synonte krijimin e një gjendje antikushtetueshmërie dhe mashtrimi i opinionit publik, e atij ndërkombëtar.
“Presidenti ka arritur në bindjen se qëllimi i Kryetarit të KED-së Ardian Dvorani ka qenë mashtrimi i opinionit publik vendas dhe ndërkombëtar mbi këtë çështje, për të krijuar idenë e rreme se Këshilli i Emërimeve në Drejtësi e ka diskutuar këtë çështje në mbledhjen e datës 7 nëntor 2019 dhe ka vendosur publikimin në Fletoren Zyrtare të vendimit të tij nr. 132, datë 21 shtator 2019 . Ky fakt është i pavërtetë pasi siç u përmend edhe më lart Këshilli i Emërimeve në Drejtësi në datën 7 nëntor 2019, nuk ka marrë asnjë vendim të kësaj natyre dhe as ka diskutuar mbi këtë çështje” thuhet në dokument.