Nëse Shqipëria nuk po ofron mundësi punësimi, mirëqënie, stabilitet, siguri dhe garanci për shtetasit e saj, si do të mundet të ofrojë mundësi për të huajt në një masë të gjerë?
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka firmosur sot dekretin për kthim të ligjit “Për të huajt”, miratuar nga Kuvendit në seancën plenare të datës 24 qershor 2021.
Në argumentin e tij Meta shkruan se kjo nismë ligjvënëse, ashtu si çështja e shpopullimit të vendit dhe e kërkesave të larta për azil nga ana e shtetasve shqiptarë në vendet e Bashkimit Europian dhe jo vetëm, janë çështje që meritojnë të trajtohen bashkërisht nga Kuvendi i ri që pritet të mblidhet e të fillojë punimet në Shtator 2021, e që do të duhet të diskutojë dhe të vendosë mbështetur në interesin më të lartë të vendit dhe të shtetasve tanë.
Sipas tij Shqipëria rrezikon të përballet me një fluks të lartë të kërkesave të detyrueshme për pranim nga shtetas të ndryshëm të vendeve të treta
“Nëse Shqipëria nuk po ofron mundësi punësimi, mirëqënie, stabilitet, siguri dhe garanci për shtetasit e saj, si do të mundet të ofrojë mundësi për të huajt në një masë të gjerë? Masa pranimi kaq gjerësisht të shtetasve të huaj, përmes kritereve të lehtësuara, mund të ndërmerren vetëm pasi të analizohen pasojat e një politikë të tillë shtetërore. Qeveria po përmbush vetëm një qëllim parësor dhe afatshkurtër, plotësimin e boshllëqeve që po krijon largimi masiv i shtetasve shqiptarë me shtetas të huaj, duke u fokusuar më shumë tek fuqia punëtore”, shkruan Presidenti në argumentin, teksa apelon që adresimi i menjëhershëm i këtij fenomeni është emergjencë dhe çdo neglizhencë e mëtejshme do të kishte pasoja katastrofike.
Në fund Meta nuk harron të bëjë edhe akuza për shumicën qeverisëse, e cila sipas tij nuk ka një strategji shtetërore se si do të duhet t`i përgjigjet me masa konkrete, afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata këtij fenomeni të rrezikshëm.
“Kryeministri ka konfirmuar se qeveria shqiptare nuk është e shqetësuar lidhur me këtë gjendje”, shkruan Meta.
Me miratimin e ligjt të ri mundësohej që të huajt që duan të punojnë dhe jetojnë në Shqipëri do duhet të drejtohen vetëm në një sportel për t’u pajisur me një leje unike që siguron qëndrimin dhe punësimin në vendin tonë.
“Projektligji për të huajt është një iniciativë tërësisht e re ligjore. Me këtë legjislacion të ri krijjohen procedura më të lehtësuara për lejet e qëndrimit duke shmangur burokracitë për investitorët dhe fuqinë punëtore./ argumentum.al