Presidenti i vendit Ilir Meta iu rikthye këtë të premte konferencave të përjavshme për mediat ku shprehu shqetësimin e tij lidhur me temat me te nxhehta si,vakancat në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese ku kërkoi plotësimin dhe bërjen e tyre funksionale sa më shpejt, në respekt të kushtetutës së vendit.
Kreu i shtetit reagoi ashpër ndaj nismës së mazhorancës për ligjin organik që kornizën kompetencat e presidentit teksa kërcënoi se mund të shpërndante parlamentin edhe përpara zgjedhjeve të 25 prillit. Sipas tij, mazhoranca është e paaftë për ta shkarkuar gjë që e ka dëshmuar me komisioni e dështuar të ngritur për këtë qëllim.
“Nuk ka ligj antikushtetues nga një parlament jo kushtetues që e pengon presidentin të përmbushë misioni e tij në mbrojtje të zgjedhjeve të lira e të ndershme. Mazhoranca e ka provuar me presidentin; 3-0, sa herë ka vajtur në Venecia.
Deklaratë e Presidentit të Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta në bashkëbisedimin javor me gazetarët
18 shtator 2020
Gjatë kësaj kohe që nuk jemi takuar në këtë bashkëbisedim periodik javor, po ju rikujtoj se pas mbylljes së sesionit parlamentar, nga ligjet e miratura ktheva për rishqyrtim:
– Ligjin nr. 102/2020 “Për zhvillimin rajonal dhe kohezionin”
– Ligjin nr. 113/2020 “Për shtetësinë”; dhe
– Ligjin nr. 111/2020 “Për disa shtesa në ligjin nr. 8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar”.
Të 3 këto ligje përmbanin elementë antikushtetutshmërie që cenojnë rëndë interesin dhe pasurinë publike, ashtu sikurse edhe cenojnë kompetencat kushtetuese të Presidentit të Republikës dhe të njësive të vetëqeverisjes vendore.
Për fat të keq, Kuvendi nuk ka reflektuar për këto dekrete dhe këtë e tregoi gjatë shqyrtimit të tyre në komisionet parlamentare.
Uroj që për ndryshimet që synojnë të hyjnë në fuqi në ligjin për pronat e paluajtshme të shtetit, të rishikojë me përgjegjshmëri nismën, sipas arsyeve të kthimit.
Ashtu siç uroj që të reflektojë në kohë edhe për ligjin për mediat audiovizive, sipas arsyetimit të dekretit të kthimit për rishqyrtim dhe Opinionit të Komisionit të Venecias që ishte në një linjë dhe ndante të njëjtat shqetësime me ato të Presidentit.
Thirrja e djeshme e Raporterit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, zotit Stefan Schennach, drejtuar Qeverisë dhe mazhorancës për t’u tërhequr nga kjo nismë, është një kambanë e cila duhet të dëgjohet mirë nga mazhoranca, veçanërisht në këtë periudhë paralektorale.
Mazhoranca e ka detyrimin të krijojë një ambient të barabartë e të lirë për t’u shprehur për të gjithë aktorët politikë, ashtu sikurse ka edhe një përgjegjësi të madhe për zgjedhje të lira dhe të ndershme, siç e kërkojnë kushtet për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe rekomandimet e OSBE / ODIHR.
Njëkohësisht përgjatë kësaj periudhe, sikundër jeni vënë në dijeni, kam ndjekur me shumë vëmendje dhe shqetësim ecurinë e punës së organeve qeverisëse të sistemit të drejtësisë për plotësimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese dhe në Gjykatën e Lartë.
Kjo situatë problematike nuk daton sot, por ka më shumë se 3 vite që me bllokimin e qëllimshëm të KED-ë në vitin 2017 dhe 2018, e më pas keqfunksionimin e saj më 2019-n.
Mosfunksionimi i KED 2017 dhe KED 2018, dhe problematika që shfaqi KED 2019 janë analizuar dhe trajtuar tashmë në Opinionin përfundimtar të Komisionit të Venecias, së bashku me personat përgjegjës dhe pasojat që atokanë sjellë për sistemin e drejtësisë.
Edhe KED 2020 ka shfaqur problematika e vonesa të pajustifikuara që i kam renditur në shkresën e bërë publike, drejtuar këtyre organeve. Problematikat e konstatuara nuk lidhen vetëm me veprimtarinë e KED-së, por edhe të institucioneve të tjera shtetërore, pjesë ose jo të sistemit të drejtësisë, që kanë detyrimin të furnizojnë këtë organ me informacion dhe që nuk e realizojnë në kohën e kërkuar dhe brenda afatit ligjor.
Presidenti i Republikës është duke verifikuar imtësisht të gjitha detajet mbi mënyrën se si institucionet kanë komunikuar me KED-në dhe vonesat e sjella prej secilit prej tyre, apo edhe se si vetë KED-ja nuk ka reaguar përkundrejt këtyre vonesave të shkaktuara nga institucionet e treta, duke pranuar në heshtje zvarritjen e procesit.
Të gjitha gjetjet që do të rezultojnë, patjetër që do t’u dërgohen organeve kompetente, ku secili duhet të mbajë përgjegjësinë individuale.
Nga një këndvështrim i deritanishëm, rezulton se ka institucione në varësi të drejtpërdrejtë të Qeverisë që kanë vonuar dhënien e një informacioni të plotë për KED-në edhe për plot 8 muaj! Ashtu sikundër ka dhe institucione të pavarura që iu është dashur më shumë se 5 muaj të verifikojnë integritetin e një kandidati.
Këto vonesa janë të pafalshme, kur afati ligjor për shqyrtimin e kandidatëve për një vend vakant është maksimalisht 3 muaj!
Faktet e evidentuara janë nga më të rëndat lidhur me mënyrën se si është keqpërdorur nevoja dhe detyrimi për t’u pajisur me certifikatën përkatëse të sigurisë për akses në informacion të klasifikuar të anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Në se një veprim i tillë është bërë për të penguar shqyrtimin e informacionit të klasifikuar të mbërritur në KED për kandidatët, kjo nuk është më një përgjegjësi e një natyre thjesht administrative.
Megjithatë verifikimi, vlerësimi dhe monitorimi i situatës po vazhdon.
Unë pres nga KED-ja që të reagojë dhe t’i bëjë me dije Kuvendit të Shqipërisë dhe Presidentit të Republikës, cilat institucione kanë vonuar punën e këtij organi, ashtu sikundër e mbështes fort KED-në që të vijojë punën në mënyrë të pandërprerë për të fituar kohën që ka humbur.
Po ashtu kam bërë publik edhe shqetësimin tim për Këshillin e Lartë Gjyqësor, që duket se nuk po punon me impenjim të plotë dhe ritëm të pandërprerë për plotësimin e vendeve në Gjykatën e Lartë ku mijëra dosje presin shqyrtim.
Të gjitha këto shqetësime që unë po i bëj përsëri publike, kanë të bëjnë vetëm me nevojën imediate për bashkëpunim të sinqertë dhe vullnet mes institucioneve, që Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë të jenë funksionale sa më shpejt në respekt edhe të Kushtetutës, edhe të vetë ligjit.
Ky është shqetësimi im dhe i ngritur prej meje prej më shumë se sa 3 vitesh.
© Argumentum