Presidenti i Republikës Ilir Meta është takuar këtë të martë me delegacionin e Komisionit të Venecias, të cilët i njohu me të gjitha argumentat e Tij ligjorë dhe kushtetutes për rikthimin në Kuvend të së ashtuquajturës paketë “anti-shpifje”.
Në këtë takim kreu shtetit theksoi se “liria e shprehjes, liria e medias dhe e drejta e informimit, përveç se janë të drejta themelore kushtetuese, janë të lidhura ngushtë me parimin e ndërtimit dhe funksionimit të një shteti demokratik.
“Pavarësia e pushtetit të medias është thelbi i funksionimit dhe mbarëvajtjes së shtetit të së drejtës. Nëse cenohet liria e shprehjes dhe e shtypit, dhe media vendoset nën kontroll politik, atëherë është cenuar dhe rendi i lirë dhe kushtetues, me pasoja direkte dhe shumë të rënda për të ardhmen europiane të Shqipërisë”, ka thënë Meta.
Gjithashtu, Presidenti Meta theksoi se çdo nisëm ligjore që cenon të drejtën e fjalës së lirë, nuk është gjë tjetër vetëm një shkelje e hapur e gjithë parimeve kushtetuese demokratike.
“Çdo nisëm ligjore që cenon të drejtën e fjalës së lirë, nuk është gjë tjetër vetëm një shkelje e hapur e gjithë parimeve kushtetuese demokratike. Hyrja në fuqi e ndryshimeve ligjore të miratuara nga qeveria do të përkeqësonte besueshmërinë e Shqipërisë, si një vend demokratik dhe i shtetit të së drejtës, si dhe të cenonte drejtpërdrejt procesin e integrimit të shpejtë të vendit në Europën e Bashkuar”, ka thënë ndër të tjera Meta