Me rastin e Festës së Pavarësisë së Shqipërisë, presidenti Ilir Meta ka marrë mesazhe urimi nga krerë shtetesh, si nga presidenti i Polonisë Sh.T.Z Andrzej Duda; i Kroacisë Sh.T.Z Zoran Milanoviç; i Slovenisë Sh.T.Z Borut Pahor; i Maqedonisë së Veriut Sh.T.Z Stevo Pendarovski; i Austrisë Sh.T.Z Aleksandër Van der Bellen; i Konfederatës Zvicerane Sh.T.Z Guy Parmelin; nga Mbreti i Suedisë Sh.T.Z Karl Gustav; nga Perandori i Japonisë Sh.T.Z Naruhito, nga Presidenti i Çekisë Sh.T.Z Milos Zeman, si dhe dhjetëra homologë të tjerë.
Presidenca përcolli sot mesazhet e urimit.
Presidenti i Polonisë Duda shkruan në mesazhin e tij se :”Republika e Polonisë i kushton vëmendje të madhe zhvillimit të marrëdhënieve miqësore me përfitim reciprok me Shqipërinë. Dua njëkohësisht të shpreh vlerësimin për rolin stabilizues të Shqipërisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor si dhe t’ju siguroj për mbështetjen konsekuente të Polonisë në synimet e Shqipërisë drejt integrimit europian”.
Në mesazhin e urimit të Presidentit të Krocisë, Milanoviç, ndër të tjera theksohet se: “Ne do të vazhdojmë ta zhvillojmë e ta fuqizojmë miqësinë tonë si dhe të bashkëpunojmë në fusha me interes të përbashkët, duke u dhënë marrëdhënieve tona aleate një nxitje të re për të zhvilluar bashkëpunimin. Kroacia mbështet fuqimisht anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Shpresoj që së shpejti të miratohet kuadri negociues për vendin tuaj dhe të mbahet konferenca ndërqeveritare!”.
Ndërsa presidenti slloven Pahor, shprehet mes të tjerash: “Të jeni të sigurt mbi mbështetjen e vendosur e Sllovenisë për Shqipërinë ndaj përpjekjeve të saj për reforma si dhe për t’iu afruar Bashkimit Europian, si dy vende të lidhura nga interesi i përbashkët për stabilitet në Ballkanin Perëndimor dhe integrimit të tij në BE. Me këtë rast, dëshiroj të ripohoj mbështetjen e Sllovenisë për procesin e zgjerimit edhe gjatë Kryesimit nga ana e saj të Këshillit të Bashkimit Europian!”
Kurse presidenti i Maqedonisë së Veriut, Pendarovski thekson se: “Si aleatë në NATO, marrëdhëniet tona do të zhvillohen edhe më shumë. Së bashku jemi të përkushtuar për bashkim sa më të shpejtë me Bashkimin Europian!”.
Në mesazhin e urimit të presidentit të Austrisë, Van der Bellen shkruhet: “Shfrytëzoj me kënaqësi këtë mundësi për të përcjellë urimet më të mira për ju personalisht dhe për një të ardhme të lumtur të popullit shqiptar.”
Mbreti i Suedisë, Karl Gustaf uron: “Me rastin e Ditës së Pavarësisë dhe të Flamurit të Republikës së Shqipërisë, dëshiroj t’i përcjell Shkëlqesisë Suaj urimet e mia të sinqerta e më të mira për shëndetin dhe lumturinë tuaj si dhe për begatinë e popullit shqiptar!”
Presidenti i Lituanisë, Gitanas Nauseda ndër të tjera thekson se: “Vlerësojmë kontributin e Shqipërisë për sigurinë e Rajonit Balltik dhe mbështesim fuqimisht përpjekjet e Shqipërisë për integrim europian!”
Ndërsa në mesazhin e urimit të presidentit të Çekisë Zeman, theksohet se: “Besoj fort se mirëkuptimi dhe miqësia e përbashkët mes dy vendeve do të vazhdojë të zhvillohet në interes të fuqizimit të mëtejshëm të bashkëpunimit me interesa reciproke”.