Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta mikpriti sot Presidentin e Republikës së Sllovenisë, Sh.T.Z. Borut Pahor, i cili po zhvillon një vizitë pune në Shqipëri, në kuadër të përgatitjes së takimit të radhës të Procesit të Brdo-Brijunit, që do të mbahet më 17 maj 2021.
Presidenti Meta dhe Presidenti Pahor patën një takim kokë më kokë dhe më pas, dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp.
Ne mesazhin i tij Presidenti Pahor prekte gjithashtu një çështje të nxehtë të ditëve të fundit, që ka “ndezur” diskutime e debate, pas publikimit të disa dokumenteve të quajtura non-paper, që flasin për ndryshim kufijsh.
Duke vendosur theksin tek rëndësia që ka për vendet e Ballkanit Perëndimor avancimi i mëtejshëm i procesit të integrimit në BE, Pahor tha se kjo do të zvogëlonte dhe rëndësinë e debatit që është ngritur tashmë për kufijtë.
“Mendoj se zgjerimi i BE në Ballkan është jo vetëm gjeopolitik por i pazëvendëueshën për paqe e stabilitet të rajonit e krejt evropës. Bashkë me kryetarin e Shqipërisë, Ilir Meta e miqtë e mi do angazhohem që në konkluzionet e takimit më 17 maj të japim një porosi bindëse të fuqishme mbi rëndësinë e zgjerimit që duhet të jetë më i shpejtë e të kenë parasysh jo vetëm shtetin e posacëm me të cilin negociohet por edhe tërë rajonin.
Do të zvogëlohej rëndësia e debatimit të ri për ndryshimin e kufijve në Ballkan që sipas mendimit tim ky proces s’mund të përfundojë në mënyrë të paqtë.
Në anëtarësinë e BE kufijtë mes shteteve bëhen më pak të rëndësishme e s’ka nevojë për ndryshimin e tyre“.
Sipas Presidentit slloven, nga bashkëbisedimi me Presidentin Meta ka dalë edhe me disa ‘vërejtje’ të cilat tha se do shërbejnë ‘për paqen e stabilitetin në rajon.
“E dimë nga përvoja se ndryshimet e kufijve në këtë pjesë të Evropës nuk zhvillohen pa flijime, besoj që ne udhëheqëqsit e kësaj pjesë të Evropës por edhe krejt BE e kemi këtë obligim moral e politik që në këtë kohë që s’është e thjeshtë jo vetëm për shkak të Covid por dhe problemeve të brendshme të BE por edhe të Ballkanit, në mjedisin tonë evropan e kombëtar që sot në këtë kohë më të komplikuar të japim një ide të re se si të zhvillohet më shpejt e entuziazëm që udhëheqësit e njërëzit e shteteve të BE nga njëra anë e banorëve të shteteve të Ballkanit. Nuk është kjo detyrë e lehtë.
Me Ilirin jemi të vetedijshëm që na pret një punë e rëndë por duhet thënë se për të gjitha këshillimet vërejtjet që mi ke dhenë në lidhje me këtë, ty dhe delegacionit tënd ju falenderoj do i marrim parasysh si dhe këshillat që i fitojmë në takimin në Mal të Zi dje, sot këtu, nesër në Kosovë e pastaj edhe në Serbi. Të gjitha këto vizita shërbejnë që të gjithë bashkë të bëjmë gjithcka është në fuqitë tona që të sigurojmë paqen mirësinë e prespektivën evropiane t’ua kthejmë në besim në të ardhmen e tyre”.
Në vijim deklarata e Presidentit Meta në konferencën e përbashkët për shtyp:
“Sot, kisha kënaqësinë e veçantë të mirëprisja në Tiranë, Presidentin e Republikës së Sllovenisë dhe mikun tonë të mrekullueshëm, Sh.T.Z Borut Pahor.
Sllovenia do të organizojë në ditët e ardhshme Samitin e Procesit të Brdo-Brijunit, që përkon me 10-vjetorin e kësaj nisme tepër të rëndësishme, por njëkohësisht Sllovenia do të marrë edhe Presidencën e Bashkimit Europian më 1 korrik të këtij viti.
Ndaj edhe bisedat tona u fokusuan kryesisht mbi këto dy ngjarje të rëndësishme, Sigurisht edhe mbi progresin e mëtejshëm mbi marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve tona mike.
Me këtë rast dua t’i uroj suksese Presidentit të Sllovenisë, për Samitin e ardhshëm të Brdo-Brijunit, si dhe për Presidencën e Bashkimit Europian, që është shumë e rëndësishme edhe për vendin tonë.
Marrëdhëniet mes dy vendeve tona janë të shkëlqyera dhe Sllovenia mbetet gjithmonë një partnere e rëndësishme rajonale, por edhe në Bashkimin Europian për ne
Presidenti Pahor konfirmoi edhe një herë, se Sllovenia dhe ai mbeten një avokat i paepur i integrimit të plotë të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian, natyrisht edhe mbështetës të vendosur të integrimit europian të Shqipërisë.
Dua të falenderoj Presidentin Pahor dhe Slloveninë dhe njëkohësisht t’u shpreh mirënjohjen për këtë kontribut të vyer, nxitës e motivues, për vijimin e reformave dhe përmbushjen e standardeve nga ne, por njëkohësisht edhe të mbajtjes së premtimeve nga Bashkimi Europian.
Së bashku kujtuam organizimin e suksesshëm 2 vite më parë në Tiranë, të Samitit të Procesit të Brdo-Brijunit dhe angazhimin e gjithë liderëve të rajonit për përmbushjen e reformave integruese, mbi bazën e meritës, duke synuar dialogun si elementin bazë për zgjidhjen e çështjeve në rajon dhe rritjen e bashkëpunimit rajonal.
Njëkohësisht dhe thirrjen e tyre për ta konsideruar zgjerimin drejt Bashkimit Europian si një çështje me rëndësi gjeopolitike.
Ne e konsiderojmë këtë Proces të Brdo-Brijunit dhe kontributin e tij si një instrument strategjik me vlerë të shtuar, për të forcuar besimin e ndërsjellë dhe mirëkuptimin, për t’u angazhuar në dialog të sinqertë e të drejtpërdrejtë, si dhe për të përparuar në drejtim të përmbushjes së kritereve të anëtarësimit në BE përmes realizimit të reformave gjithëpërfshirëse.
E sigurova Presidentin Pahor për mbështetjen tonë në kuadër të Samitit të ardhshëm të liderëve të Procesit të Brdo-Brijunit, gjatë të cilit Sllovenia do të shprehë edhe më shumë angazhim dhe vëmendje ndaj zhvillimeve, bashkëpunimit politik, ekonomik dhe reformave integruese të vendeve të rajonit tonë, për të përshpejtuar integrimin e tyre në Bashkimin Europian.
Gjatë takimit, Presidenti Pahor shprehu mbështetjen, se Presidenca sllovene e Bashkimit Europian, do të jetë një vijimësi e prioriteteve të Procesit të Brdo-Brijunit ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke shtuar vëmendjen, mbështetjen dhe duke i dhënë një nxitje të posaçme proceseve integruese të zgjerimit dhe të rajonit tonë.
Së bashku shprehëm mbështetjen dhe vlerësimin për zhvillimet në Kosovë, dhe sidomos për rëndësinë e realizimit të liberalizimit të vizave për qytetarët e saj nga ana e BE-së, si një nevojë e nxitje njëkohësisht në procesin e saj të integrimit euroatlantik.
Gjithashtu, nënvizuam rëndësinë e vijimit të dialogut Kosovë-Serbi pwr arritjen e një marrëveshje të qëndrueshme dhe reciprokisht të pranueshme nga të dy palët.
Me Presidentin Pahor ndamë qëndrimin e përbashkët, se e ardhmja e vendeve të Ballkanit Perëndimor është vetëm në Bashkimin Europian, nëpërmjet bashkëpunimit më të ngushtë rajonal dhe të distancimit nga e kaluara e hidhur.
Me këtë rast e falënderoj edhe njëherë Presidentin Pahor për përpjekjet e tij dhe të Sllovenisë, për të nxitur Bashkimin Europian për një qasje sa më të shpejt gjeopolitike, për anëtarësimin e të gjitha vendeve të rajonit tonë.
Njëkohësisht, dua të shpreh angazhimin tonë për të bërë më të mirën, me qëllim përmbushjen e detyrimeve tona dhe për t’ju lehtësuar punën miqve në vendimmarrjet e ardhshme të Bashkimit Europian.
Faleminderit!”