Presidenti i Republikës, Ilir Meta një ditë para mbajtjes së tubimit të paralajmëruar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ka publikuar një video nga protesta e studentëve në dhjetor të vitit 1990 në “Qytetin Studenti”.
Siç tregon dhe videoja e publikuar nga z. Meta, emri i tij thirret nga Arben Imami, në atë kohë një prej organizatorëve të protestave bashkë me Azem Hajdarin, që të mbajë fjalim para të pranishmëve.
“Po ndaj me ju disa emocione të miat kur një nga ish-drejtuesit kryesorë të Lëvizjes Studentore, Arben Imami më thërriste mua dhe disa studentë të rinj për të shkuar në përballjen finale me kupolën e diktaturës, që u detyrua të pranonte kapitullimin e regjimit më të pashembullt shtypës dhe izolues në kontinent”, shprehet Presidenti.
Z. Meta u bën thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në tubimin që do të organizohet nesër duke theksuar se, do të bëhet për të mbrojtur pluralizmin politik që u fitua pas protestave të studentëve.
“Kurrë nuk e mendoja se pas 30 viteve do të vinte kjo ditë, që të ftoja më dy mars të gjithë qytetarët e Shqipërisë, për të mbrojtur fitoren më të madhe të popullit tonë, pluralizmin politik, lirinë dhe demokracinë. Vetëm paprekshmëria e Kushtetutës dhe ndëshkimi i merituar i puçistëve që e kanë dhunuar atë, do ta mbrojë popullin tonë nga instalimi i një regjimi tiranik njëpartiak dhe kleptokratik’, përfundon Presidenti në thirrjen e tij.
Prania e z. Meta në lëvizjen studentore të vitit 1990 nuk do të zgjaste shumë, pasi ai do t’i bashkohej Partisë Socialiste, duke qenë një nga themeluesit e FRESSH. Shumë shpejt, z. Meta do të bëhej në vitin 1992, anëtar i Kryesisë së PS dhe deputet i saj. Kulmi i karrierës së z. Meta në PS do të arrihej në fund të vitit 1999, kur do të zgjidhej Kryeministër, detyrë që mbajti deri në shkurt 2002, kur dha dorëheqjen pas përplasjeve me Fatos Nanon, e gjë e cila çoi më pas në formimin e LSI-së në shtator 2004.