Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka dalë në një konferencë për shtyp, ku ka folur për situatën ku ndodhet vendi si pasojë e pandemisë nga Covid-19. Kreut i shtetit thotë se nuk duhet të ketë ndarje klasore në procesin e vaksinimit. Sipas kreut të shtetit, kjo ndarje ka ndodhur vetëm në diktaturë.
”Dua të ndaj me ju disa shqetësime, që jam përpjekur t’i ndaj me qeverinë që në fillim të pandemisë. Së pari vendi rrezikon katastrofë për jetën dhe shëndetin e qytetarëve. Planet e ndryshueshme nuk mund të jenë alibi për dhjetëra qytetarë të infektuar dhe të tjerë që po vdesin çdo ditë. Kriteret e ndarjes klasore dhe preferenciale për njerëzit që marrin këtë shërbim janë tipike për diktaturat dhe diktatorët. Nuk mund të lihen qytetarët në panik dhe në përballje të çmimeve të larta përballë kësaj pandemie të rrezikshme për jetën. Nuk mund të lihen qytetarët në mëshirë të fatit. Është koha të rishikohet buxheti i shtetit. U bë gati një vit që po injorohen kërkesat e presidentit, të gjitha propozimet, sygjerimet, çdo gjë është politizuar. Disa standarde duhet ti kishim në nivelin e Kosovës”,-tha Presidenti Meta.
Nga ana tjetër, thirrja e kreut të shtetit, është që qeveria të lërë koncesionet dhe të përqëndrohet te lufta me Covid-19. Meta apeloi për rishikimin e buxhetit të shtetit për të investuar në mënyrë konkrete dhe jo sekrete në shëndetësi. Sipas tij tunelet imagjinare presin, ndërsa jeta e qytetarëve jo.
”Tunelet imagjinare presin ndërkohë që shëndeti i qytetarëve nuk pret. Një rrugë edhe bëhet prapë. Një jetë nuk kthehet më. Nuk ka pse të paguhen miliona euro për inceneratorë. I bëj thirrje kryeministrit dhe qeverisë të përqëndrohen tek çështja më e madhe që ka vendi sot. Jo vetëm që i nderon, edhe pse nuk shqetëson, i akuzon shumë rëndë dhe i bën përgjegjës në mënyrë historike”.
Sipas kreut të shtetit, padinë ndaj motrave Lalo që humbën para disa ditësh babain nga Covid-19, mund ta bëjnë mjekët apo spitali, por jo një institucion që ka detyra të tjera me ligjin.
“Nuk do të ishim të detyruar që të bëjë pati një institucion që s’ka lidhje, për të frikësuar shqiptarët ndaj dy vajzave që kanë humbur të afërmin e tyre dhe nuk kanë gënjyer. Padinë mund ta bëjnë mjekët, spitalet por kurrsesi nuk mund të përzihen institucione që kanë tjetër detyrë me ligjin. Vetëm në shtetet e kapura mund të ndodhin këto fenomene të turpshme. Nuk është ky shteti i së drejtës dhe shtet demokratik. Prandaj i bëj thirrje dhe njëherë kryeministrit dhe qeverisë të përqendrohen tek çështja më e madhe që ka vendi sot, sepse kjo histori me batuta dhe shëmtira, jo vetëm nuk i nderon, por i akuzon dhe i bën përgjegjës në mënyrë historike për këtë gjë që po ndodh”.
Nga ana tjetër, i pyetur nga gazetarët për deklaratën e kryeministrit Edi Rama se Presidenti lëviz natën në Vlorë, Meta tha se e kanë thirrur banorët që preken nga projektet e qeverisë. Meta tha edhe se lëviz si presidenti i popullit, dhe jo si president i Bllokut me 400 sirena edhe makina.
”Unë Vlorën e kam në zemër, zotërinjtë duan ta fusin Vlorën në xhep, pasi u është fryrë xhepi shumë. Keni parë sesi përmbytet Vlora sa herë bie vesë. Nuk kam shkuar në Selenicë, por ka ardhur Selencia këtu, pse janë mashtruar dhe pse u është anuluar projekti i tyre. Ato u ngushtuan sepse u tha se ky projekt do të bëhet. Nuk ka ikur fshehurazi, ka ikur në mes të ditës dhe e di e gjithë Selenica. Ka dëgjuar të gjitha shqetësimet e tyre. Ka qenë presidenti që ka vajtuar se e kërkuan banorët nga Vlora deri në Orikum, pasi pronat e tyre prekeshin nga një projekt i ri. Le të vinën zotërinjtë atje dhe të takohen me ta. Ka një ligj për konsultimin publik, ku duhet të bëhet një konsultim publik. Si një projekt është më funksional, si një projekt respekton të drejtën e pronës. Unë kam kërkuar dhe kanë qenë 200-300 veta me shqetësime të vërteta dhe as nuk ishin pyetur. Damiani kur të dojë të shkojë të takojmë banorët, të marrë dhe gurunë. Presidentin e kërkoi populli. Po të shkoj natën do të lajmëroj Damianin. Lëviz si presidenti i popullit, dhe jo si president i Bllokut me 400 sirena edhe makina. Presidenti që keni këtu nuk ka frikë të dalë në mes të popullit. Jam i hapur që të dal në mes të popullit madje të më ftoj dhe Taulanti në Librazhd. Qeveria të merret me pandeminë, duhet seriozitet”.
Presidenti Meta u pyet edhe për zgjedhjet e 25 prillit, ku jep një mesazh të fortë për qeverinë. Sipas kreut të shtetit, as në ëndrrën më të keqe nuk e kanë menduar se çfarë do të ndodhi nëse preket një votë. ”Në ëndrrën më të keqe nuk e kanë menduar se çfarë do t’u ndodhi nëse preket një votë e shqiptarëve. Fuqia është vetëm vota. Në demokraci vetëm vota të fuqizon”.
Deklaratë e Presidentit të Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta në bashkëbisedimin javor me gazetarët
Të nderuar gazetarë,
E thirra këtë bashkëbisedim me ju, nisur nga situata shqetësuese e pandemisë, që është rënduar në ditët e fundit edhe nga sjelljet jo vetëm jo transparente dhe të papërgjegjshme, por për fat të keq çnjerëzore ndaj disa qytetarëve, të cilët kanë humbur të afërmit e tyre dhe që kanë ngritur shqetësime dhe kanë bërë denoncime publike për mungesën e kujdesit dhe trajtimit të duhur shëndetësor.
Po kështu e thirra këtë bashkëbisedim, nisur edhe nga keqpërdorimi që po i bëhet masave kufizimeve, për qëllime politike dhe frikësuese ndaj qytetarëve, që konsiderohen si kundërshtarë apo si opozitar nga qeveria, si dhe nga të gjitha standardet e dyfishta që shohim tek të përzgjedhurit që do të vaksinohen.
Më konkretish, vlerësoj të ndaj me Ju, disa shqetësime, që jam përpjekur t’i ndaj në mënyrë të vazhdueshme me Qeverinë, edhe me të gjitha institucionet, që kur jemi ndeshur me fillimin e pandemisë në vendin tonë.
Pa një plan të qartë, transparent, të furnizimit të popullatës me vaksina antiCovid, vendi rrezikon një katastrofë epidemiologjike me pasoja të rënda për jetën dhe për shëndetin e qytetarëve.
Planet konfuze, të ndryshueshme, jo transparente për vaksinimin, që shkojnë nga 14 muaj dhe më shumë, nuk mund të jenë alibi për të braktisur me mijëra qytetarë të infektuar dhe dhjetëra të tjerë, që për fat të keq po humbin jetën çdo ditë.
Vetëm kriteret shkencore të gjendjes shëndetësore dhe të moshës, të vendosura ndërkombëtarisht, janë ato që duhet të vendosin përparësitë në vaksinimin e popullatës.
Kriteret e ndarjes klasore, preferenciale dhe të përzgjedhjes arbitrare dhe selektive të njerëzve për të marrë këtë shërbim jetik, janë tipike për diktaturat dhe diktatorët.
Nuk mund të lihen më qendrat spitalore, dhe sidomos shërbimet reanimatore pa pajisje jetëshpëtuese si respiratorë, ventilatorë, ECMO etj, dhe pa barna, për të luftuar këtë pandemi kërcënuese.
Nuk mund të lihen me mijëra mjekë të familjes dhe infermierë të qendrave shëndetësore pa pajisje mbrojtëse dhe mjete diagnostifikuese.
Nuk mund të lihen qytetarët nën panikun dhe pamundësinë për t’u përballur me çmimet shumë të larta të testimit dhe aq më shumë të mjekimit të kësaj pandemie të rrezikshme dhe kërcënuese për jetën.
Nuk mund të lihen qytetarët si dhe mijëra të sëmurë në mëshirë të fatit, të cilët trajtohen në banesë dhe nuk u rimbursohet asgjë nga kosto e mjekimit dhe e shërbimeve mjekësore, që kushtojnë shumë shtrenjtë.
Është koha përsëri për të rishikuar Buxhetin e Shtetit, në mbështetje të sektorit të shëndetësisë dhe duke investuar në mënyrë konkrete dhe jo sekrete, aty ku janë përparësitë që janë theksuar prej kohësh, qysh në fillim të pandemisë.
Është për të ardhur keq, që u bë gati një vit, që janë injoruar jo vetëm kërkesat e Presidentit të Republikës, i cili mblodhi edhe Këshillin e Sigurisë Kombëtare, për të garantuar një bashkëpunim dhe një unitet të gjithë faktorëve, për të përfshirë edhe opozitën e vërtetë në këtë proces, por janë injoruar gjithashtu të gjitha kërkesat, propozimet dhe sugjerimet, pasi çdo gjë është tentuar nga ana e Qeverisë të politizohet, me improvizime.
Nuk mund të fajësohet Qeveria për pandeminë, por për mungesën e standardeve për përballimin e saj, që mund t’i kishim në nivelin e Kosovës, apo dhe vendeve të tjera.
Padyshim, mbështetja më e madhe duhet të kishte shkuar për sektorin e shëndetësisë, për qytetarët dhe për bizneset që janë dëmtuar aq shumë dhe jo për koncesionet.
Nuk kishte asnjë arsye të dyfishoheshin për këtë vit pagesat buxhetore për koncensionet.
Tunelet imagjinare presin, ndërkohë që shëndeti i qytetarëve nuk pret, sepse në 14 ditë ose ndihmohet, ose shpëtohet një qytetar, ose e pëson dhe jeta nuk kthehet më.
Një rrugë edhe bëhet prapë, një tunel edhe bëhet prapë, por një jetë nuk kthehet më.
Nuk ka përse të paguhen në mënyrë fiktive miliona euro për inceneratorët, ndërkohë që me këto pagesa do ishin zgjidhur me kohë shumë çështje dhe do kishim shpëtuar shumë jetë, në rast se pajisjet jetëshpëtuese do të kishin ardhur dhe nuk do të kishim atë nivel mortaliteti fatal, në intubime.
Për më tepër, nuk do të ishin të detyruar që një institucion, që nuk ka lidhje farë, të bënte padi, për të frikësuar qytetarët, ndaj dy vajzave që kanë humbur të afërmin e tyre dhe që nuk kanë gënjyer sepse e kanë humbur vërtet.
Padinë mund ta bëjnë mjekët, mund ta bëjnë spitalet për shpifje në rast se nuk qëndrojnë pretendimet e qytetarëve, por kurrsesi nuk mund të përzihen institucione të cilat kanë tjetër detyrë me ligj.
Vetëm në shtete të kapura mund të ndodhin fenomene të tilla të turpshme.
Është dyfish makabër të shfrytëzosh këtë situatë, jo vetëm për të mos e përqendruar vëmendjen aty ku është problemi më i madh, tek pandemia, tek qytetarët dhe tek ekonomia, që po vuan për shkak të pandemisë dhe mos marrja e masave, ndërkohë të vazhdosh të rrisësh shërbimet ndaj oligarkëve dhe të miratosh në Parlament nga ato paçavuret me emra, që kushtojnë qindra milion euro në kurriz të gjithë qytetarëve shqiptarë dhe gjithashtu t’i kërcënosh me burg e mos t’i lësh as të qajnë rehat babain e të afërmin e tyre, që ka ndërruar jetë.
Nuk është ky shteti i së drejtës.
Nuk është ky shtet demokratik.
Nuk është ky një shtet europian.
I bëj thirrje dhe njëherë Kryeministrit dhe Qeverisë, të përqendrohen tek çështja më e madhe që ka vendi sot, pandemia.
Historia me batuta, me akuza dhe me shëmtira të tilla jo vetëm që nuk i nderon, se kjo nuk është një gjë që ata i shqetëson, por i akuzon shumë rëndë dhe i bën përgjegjës për këtë gjë që po ndodh.
© Argumentum