Presidenti Ilir Meta deklaron se do të shpërndajë Parlamentin nëse ja kërkojnë qytetarët. Në një intervistë dhënë gazetarit Ilir Babaramo në “Report Tv”, Presidenti u shpreh se “Ata (qytetarët) të tregojnë vullnetin e tyre dhe pastaj të jenë të sigurt që Ilir Meta do ta interpretojë vullnetin e tyre ashtu siç duhet për rivendosjen e plotë të rendit kushtetues dhe për të vënë çdo shqiptar përballë provës dhe çdo politikan që deri tani mund të ketë bërë lojëra të dyfishta apo të trefishta e të katërfishta. E që nuk është i lirë në vendimmarrjen e vet për t’i dalë zot fateve të popullit shqiptar”.
Pjesë nga intervista në “Report TV”
Gazetari: Këmbëngul te qëndrimi i kryetarit të opozitës, zotit Basha.
Presidenti Meta: Ju nuk keni përse këmbëngulni për këtë gjë! Ju mund ta merrni në intervistë dhe ta pyesni! Unë nuk përgjigjem dot për të.
Gazetari: E akuzojnë se ka një pakt të dytë të tij me Ramën. A besoni ju se në këtë ekuacionin tuaj të 2 marsit do ta keni plotësisht, edhe…?
Presidenti Meta: Unë asnjëherë nuk kam pasur asnjë pakt, me askënd në Shqipëri kundër Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, kundër sovranitetit të popullit shqiptar, kundër demokracisë në këtë vend. Asnjëherë nuk kam pasur pakt. Për të qenë në pozitë, për të ardhur në pushtet, këto janë histori të tjera. Por kurrë në historinë e Shqipërisë, një pakt në cenim të Kushtetutës dhe të parimeve kushtetuese! Një pakt për të shkelur ligjin në mënyrë të qëllimshme dhe në dëm të vetë Kushtetutës. Asnjëherë dhe për as një gjë!
Një qëndrim që t’i iki një përgjegjësie për një çështje të rëndësishme kombëtare, e cila është emergjente apo kombëtare apo të merrem me çështje të tjera të vogla apo anësore. Kështu që unë kam pakt për mbrojtjen e Kushtetutës dhe e kam edhe për detyrën, që kur kam vënë dorën mbi Kushtetutën e Shqipërisë dhe deri më 24 korrik 2022 do ta mbroj atë edhe me jetën time dhe me gjithçka tjetër, duke treguar që jam jo vetëm President i Republikës, por jam dhe do të jem edhe ushtari i parë i Republikës.
Nuk ka Republikë pa President, zotëri!
Ka edhe Republika pa kryeministër.
Gazetari: Si ta kuptojmë këtë?
Presidenti Meta: Nuk ka republikë pa president në botë. Më gjeni një republikë pa president!
Gazetari: Jo!
Presidenti Meta: Qartë! Vazhdojmë!
Gazetari: Qartë. Nuk njihet kjo si procedurë. Por që mund të jemi në një republikë me president, por pa kryeministër donit të thonit?
Presidenti Meta: Unë ju thashë që nuk ka republikë pa president në botë! Të tjerat, i thonë shqiptarët nga 2 marsi e në vazhdim, deri sa të rivendosim plotësisht rendin kushtetues demokratik dhe llogaridhënës siç është në Kushtetutën e Shqipërisë, që e ka votuar populli shqiptar, sovrani, me votën e tij me referendum, më 22 nëntor 1998.
Gazetari: Kjo do të thotë që do të shpërndani Parlamentin?
Presidenti Meta: Nuk është përgjegjësia ime nëse Parlamenti sillet vetë si i shpërndarë, si një institucion i shpartalluar që merr pjesë në veprime të tilla mafioze dhe bën akte mjaft të rënda të cilat do të vazhdojmë t’ia ekspozojmë popullit shqiptar. Ky nuk është faji im.