Presidenti Ilir Meta deklaroi sot nga Durrësi në konferencën për mediat nga qyteti bregdetar, u shpreh se “Shpesh ora e Shqipërisë ka ndaluar. Ka mbetur prapa. Nga 25 prilli ora e Shqipërisë do të ecë përpara dhe do të ecë me shpejtësi të madhe për të fituar edhe kohën e humbur, edhe për të rikthyer shpresën se në këtë vend të gjithë janë të barabartë përpara ligjit dhe këtë e garanton vetëm barazia e votës.
Konferenca për shtyp e Presidentit Meta në Durrës
27 mars 2021
Pyetje: A janë të mjaftueshëm vënia dy numrave të telefonave në dispozicion për denoncimin e krimit zgjedhor siç është njoftuar?
Dhe kohët e fundit po flitet se do të ketë një monitorim shumë të rreptë të kohës zgjedhore në dispozicion të partive nga televizioni. A mund të ndodhë që shkelja sadopak e kësaj kohe të shfrytëzohet për mbylljen e televizioneve siç po ndodh me monitorimin që i bëhet edhe sot “Ora News-it”?
Presidenti Meta: Në këtë klimë skizofrenike politike, e cila është e qëllimshme, nuk mund të presim të realizojmë zgjedhje të standardeve daneze apo suedeze!
Por unë jam tërësisht i qartë, i bindur se vullneti i sovranit do të shprehet në mënyrë më bindëse dhe më spektakolare më 25 prill, sepse kam vënë re se qytetarët tanë e kanë kuptuar që zgjidhja do të vijë në radhë të parë përmes votës së tyre dhe pjesëmarrjes së tyre në këto zgjedhje.
Ne e dimë që ka një përpjekje të madhe për frikësimin e qytetarëve dhe të votuesve. Ju në Durrës jeni dëshmitarë të ngjarjeve të papëlqyeshme. Sigurisht keni qenë dëshmitarë edhe të ngjarjeve që tani i di e gjithë bota siç janë standardet e zgjedhjeve të fundit të Shijakut që nuk kanë qenë vetëm aty të lokalizuara, përkundrazi, ka qenë një model që janë aplikuar kudo.
Kur e pyetën njërin nga eksponentët e nazismit që mbeti gjallë pas shembjes së nazismit, Gëringun, në procesin e Nurembergut se si arritët ju që të bindnit popullit gjerman për të mbështetur nazismin, ai ua tha: Ne kishim studiuar natyrën njerëzore. Dhe duke studiuar natyrën njerëzore e kishim të qartë se përmes frikësimit mund ta bëje një popull që të ketë frikë, që të bësh me të ç’të duash. Dhe kjo gjë mund të ndodhë jo thjesht për shkak të nazismit apo në kushtet e një regjimi nazist, por edhe të një regjimi komunist, të një regjimi monarkist apo edhe të një regjimi demokratik formal.
Kështu që unë besoj shumë kur them se ne jemi një popull shqiponjash! Nuk jemi popull sorrash! E besoj shumë këtë gjë.
Kur dikush thotë se përse e ngre zërin Ilir Meta: Unë e ngre që të paralajmëroj, sepse këtu luhen fatet e vendit për 100 vitet që vijnë, të demokracisë, të shtetit të së drejtës, të së ardhmes evropiane. Dhe kjo nuk është një çështje thjesht e Ilir Metës, është një çështje e çdo qytetari të Shqipërisë dhe ajo që kërkon Ilir Meta dhe që do ta realizojë patjetër si President i Republikës është pikërisht ajo që është në themelet e Republikës: Pluralizmi politik dhe vota e lirë dhe e barabartë e çdo qytetari të Shqipërisë.
Për këtë gjë e kanë dhënë jetën Havzi Nela, për fjalën e lirë, për votën e lirë. Kanë dhënë jetën heronjtë e Shkodrës të 2 prillit. Kë sakrifikuar “Mandela i Shqipërisë” Pjetër Arbnori e sa e sa personalitete, të cilët nuk u dorëzuan edhe në kushtet e një regjimi të tmerrshëm stalinist, që ia kaloi edhe vetë Stalinit, për arsye edhe të mbylljes e shkatërrimit edhe të vetë lirisë së besimit dhe të objekteve të kultit e të persekutimit të të gjithë udhëheqësve fetarë.
Këto tridhjetë vite kemi pasur një rrugë me shumë ulje-ngritje. Shpesh ora e Shqipërisë ka ndaluar. Ka mbetur prapa. Nga 25 prilli ora e Shqipërisë do të ecë përpara dhe do të ecë me shpejtësi të madhe për të fituar edhe kohën e humbur, edhe për të rikthyer shpresën se në këtë vend që të gjithë janë të barabartë përpara ligjit dhe këtë e garanton vetëm barazia e votës.
Ky është një fillim. Presidenti është në kontakte të vazhdueshme – do t’u bëjë letër edhe të gjitha subjekteve garuese për të bashkëpunuar. Jam në një proces të vazhdueshëm të dokumentimit të çdo fenomeni dhe problematike.
I ftoj mediat gjithashtu që të jenë mjaft transparente në këtë proces. Është në të mirën e tyre pasi ato duhet të respektojnë qytetarët, duhet t’i raportojnë fenomenet në kohë dhe duhet të japin një kontribut për atë që do të vijë nesër që është një shoqëri plotësisht demokratike.
Dhe njëkohësisht për të qenë të gjithë me sa më rrethana lehtësuese përpara sistemit të llogaridhënies që do të vendoset me hir e me pahir falë votës së qytetarëve shqiptarë më 25 prill.
Kjo nismë nuk synon që të zëvendësojë institucionet që kanë detyrat e tyre sipas ligjit për të mbrojtur zgjedhjet dhe për të bërë punën e tyre, por ne e dimë ngaqë kjo punë nuk është bërë në të kaluarën, këto fenomene kanë ndodhur dhe ka shumë mundësi që të përsëriten. Kështu që nisma e Presidentit u bënë mirë që të gjithëve që ta marrin sa më seriozisht dhe të tregojnë integritetin e tyre përballë këtij momenti historik në të cilin ndodhet i gjithë vendi ynë.
Pyetje: Si e vlerësoni ju qëndrimin e ambasadores amerikane Juri Kim në lidhje me deklaratat e saj për kandidimin e personave të inkriminuar në zgjedhje duke iu referuar gjithmonë rastit të Tom Doshit siç ka ndodhur? Dhe në fund, vetë indiferentizmin e Doshit ndaj deklaratave të zonjës Kim?
Presidenti Meta: Nuk kam asnjë arsye të shmangem nga çështja më e madhe që ka vendi.
Në e dimë se kemi një histori të dhimbshme dhe kemi edhe një ligj për dekriminalizimin. E dimë shumë mirë se kush na detyroi që të bëjmë një ligj të veçantë. Se kush kandidoi aq shumë persona me tre-katër emra në krye të bashkive, në parlament e kudo.
Ajo që dua të theksoj, edhe për të gjithë qytetarët që po na ndjekin, është kjo: Në këto zgjedhje, edhe pse nuk u bë më e mira, përsëri qytetarët kanë mundësi jo vetëm të zgjedhin mes subjekteve të ndryshme, dhe në mos gaboj janë 12 të tilla të paktën, se 13 në Tiranë, por 12 në përgjithësi në shkallë vendi, – pra janë 12. Nuk janë as 2, as 3, janë 12. Dhe jo vetëm kanë mundësi për të zgjedhur një nga 12 të paktën, apo një nga 13 aty ku ka edhe kandidatë të pavarur si Tirana, por edhe brenda listës, për atë opsion politik që ata mendojnë se është më i miri, kanë mundësi që të zgjedhin dhe të japin sinjalin për kandidatin apo për kandidaten që ata besojnë më shumë.
Dhe unë i ftoj të gjithë qytetarët të votojnë me bindjen e tyre për alternativën që do t’i përfaqësojë më mirë!
Dhe së dyti, edhe për kandidatin apo për kandidaten brenda asaj alternative më me integritet që do të mbrojë më mirë interesin e tyre, interesin publik dhe që do të jepte kështu mesazhin më të mirë për të gjithë kryetarët dhe kryetaret për listat për të ardhmen!
Ishte shumë kënaqësi! Çdo javë këtu në Durrës do të kemi një komunikim të vazhdueshëm lidhur me procesin e ecurisë së zgjedhjeve.
U uroj të gjithëve zgjedhje të qeta, të mbara, aq më tepër në Durrës siç e meriton qytetaria durrsake!
Dhe do të jemi në një bashkëpunim të vazhdueshëm me të gjithë, në mënyrë që barazia e votës të vendoset më 25 prill për 100 vitet që vijnë, që të ketë siguri, që të ketë besim, që të ketë të ardhme dhe që të ketë rini anembanë Shqipërisë!
Ju faleminderit!