Presidenti Ilir Meta ka përshendetur sot propozimin e opozitës për hapjen e listave të kandidatëve për deputetë. Në një mesazh publikuar në rrjetet sociale, kreu i shtetit shprehet se propozimi i partive të opozitës është sipas marrëveshjes së 5 qershorit dhe rekomandimeve të ndërkombëtarëve.
Përshëndes zyrtarizimin e propozimeve të Opozitës së Bashkuar në Këshillin Politik dje.
Opozita është e vendosur për të ndërtuar konsensus në të kundërt të Rilindjes, që kërkon me insistim konfliktin, shtrembërimin e zgjedhjeve dhe asgjësimin e Këshillit Politik si instrument vendimarrës konsensual.
Drafti i paraqitur nga Opozita realizon hapjen e listave 100% dhe respektimin e plotë të barazisë gjinore, përkundrejt mashtrimit dhe mbylljes 100% të listave nga Rilindja.
Drafti i opozitës respekton konsensusin e arritur dhe Marrëveshjen e 5 Qershorit.
Drafti i Opozitës kërkon opinionin e ODIHR për çështjet që nuk ka dakordësi, si një palë e paanshme dhe si vëzhguesit zyrtarë të zgjedhjeve.
Opozita ka ndërmarrë çdo hap, që çon përpara procesin e integrimit europian të Shqipërisë ku reforma zgjedhore, zbatimi i saj dhe hetimi i krimit elektoral janë kushtet kyç që përcaktojnë hapjen e negociatave për anëtarësim.
Çdo akt i njëanshëm që përmbys Marrëveshjen e 5 Qershorit do të ishte një atentat dhe provokim i patolerueshëm dhe i paamnistueshëm ndaj rendit kushtetues e demokratik dhe së ardhmes europiane të vendit.
Koha për reflektim!