Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, u prit sot në një ceremoni zyrtare nga Presidenti i Republikës së Maltës, Sh.T.Z. George Vella.
Gjatë takimit, Presidenti Meta vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe nënvizoi vullnetin për forcimin e mëtejshëm të tyre, në dobi të rritjes së shkëmbimeve në fushat me interes të ndërsjellë.
Kreu i Shtetit shqiptar pasi vlerësoi kontributin e çmuar të komunitetit maltez në vendin tonë në fushën sociale dhe arsimit, si dhe shprehu kënaqësinë për mikpritjen dhe mirëintegrimin e komunitetit shqiptar në Maltë ndër vite, theksoi rëndësinë e arritjes së një marrëveshjeje dypalëshe për punësimin sezonal.
Presidenti Meta i shprehu homologut Vella mirënjohjen për mbështetjen e vyer dhe të vazhdueshme që Malta i jep Shqipërisë në procesin e saj të integrimit në Bashkimit Europian.
Të dy Presidentët ranë dakord që të nxitin më tej, të inkurajojnë dhe të shfrytëzojnë mundësitë për bashkëpunimin në sektorë të rëndësishëm si financat, turizmi, energjia, infrastruktura, teknologjia e informacionit, arsimi dhe transporti detar.
Gjatë takimit, të dy Presidentët diskutuan dhe ndanë shqetësimin mbi situatën aktuale kritike në Ukrainë, pas pushtimit të pajustifikueshëm dhe të paprovokuar të Rusisë./Argumentum.al