Presidenti Ilir Meta kthen për rishikim në Kuvend ligjin antishpifje të qeverisë.
Nr. Dekreti 11414
Tiranë, më 11.01.2020
PRESIDENTI I REPUBLIKËS
ILIR META
Arsyet e kthimit të ligjit nr. 92/2019
“Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9918 datë 19.5.2008, “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar”
Të nderuar deputetë,
Kuvendi i Shqipërisë, në seancën plenare të datës 18 dhjetor 2019, ka miratuar ligjin nr. 92/2019 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9918 datë 19.5.2008, “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”.
Me shkresën nr. 4490 prot., datë 26.12.2019, të Kuvendit, administruar në Institucionin e Presidentit të Republikës me nr. 5081 prot., datë 26.12.2019, ky ligj është përcjellë për dekretim e shpallje.
Sipas praktikës parlamentare të publikuar, rezulton se ky projektligj është pjesë e paketës ligjore e quajtur publikisht si “paketa antishpifje” dhe është hartuar fillimisht nga një grup pune, me përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe ekspertë të fushës.
Nga shqyrtimi i praktikës parlamentare mbi propozimin, shqyrtimin dhe miratimin e projektligjit, si dhe përmbajtjes së dispozitave të ligjit nr. 92/2019 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9918 datë 19.5.2008, “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, të miratuar, konstatohet se sipas relacionit të Këshillit të Ministrave dhe Raportit të Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, në cilësinë e komisionit përgjegjës për shqyrtimin e projektligjit, ky ligj ka si qëllim reflektimin e ndryshimeve të propozuara dhe të miratuara tashmë në ligjin nr. 91/2019 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar”, në lidhje me rregullimin e shërbimeve të publikimeve elektronike.
Nga shqyrtimi paraprak i faqes zyrtare të internetit të Kuvendit të Shqipërisë, konstatohet paraprakisht se Kuvendi, nuk ka publikuar deri më tani, përmbajtjen e akteve ligjore të “paketës antishpifje” të miratuar prej tij, si ligjin nr. 91/2019 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar”, ashtu dhe ligjin nr. 92/2019 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9918 datë 19.5.2008, “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, të miratuara njëkohësisht në datën 18.12.2019.
Kjo përbën një mungesë transparence të theksuar përkundrejt publikut dhe është me vend që të evidentohet në këtë relacion arsyetues.
Nga shqyrtimi i përmbajtjes së ligjit nr. 92/2019, rezulton se ai është i përbërë nga katër nene përmes të cilëve realizohen shtesa e ndryshime në dispozitat e ligjit aktual, kryesisht për të vendosur në ekzekutim vendimet e marra nga Këshilli i Ankesave dhe Bordi i AMA-s, që përmbajnë sanksione apo masa administrative shtrënguese që vendosin këto organe administrative, përkundrejt ofruesve të shërbimeve të publikimeve elektronike on-line.
Konkretisht, nëpërmjet neneve 3 dhe 4 të ligjit nr. 92/2019, Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, si autoriteti përgjegjës që administron domain cc.TLD.al, i jepet kompetenca ligjore të zbatojë vendimet e organeve të AMA-s, duke detyruar njëkohësisht ofruesit e shërbimeve të aksesit në internet që të zbatojnë këto vendime.
Konkretisht në këto dispozita parashikohet shprehimisht se:
Neni 3
Në nenin 12, pas pikës 2 shtohet pika 3 me këtë përmbajtje:
“3. AKEP-i bashkëpunon me AMA–n në përputhje me parashikimet e këtij ligji dhe dispozitave të tjera nënligjore, si dhe siguron zbatimin e vendimeve të Këshillit të Ankesave dhe organeve të tjera të AMA-s, duke detyruar ofruesit e shërbimeve të aksesit në internet të zbatojnë aktet/vendimet përkatëse të këtyre autoriteteve, sipas afateve dhe procedurave të parashikuara në legjislacionin në fuqi”
Neni 4
Në nenin 137, në fund të kreut V, pas pikës 19 shtohet pika 20 me këtë përmbajtje:
“20. Nuk zbatojnë urdhrat/vendimet e AKEP-it, që lidhen me zbatimin e akteve/vendimeve të Këshillit të Ankesavedhe të AMA-s apo të nxjerra nga çdo organ tjetër me kompetenca ligjore në këtë fushë, sipas nenit 4, të këtij ligji.”
Sipas përcaktimeve të mësipërme, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare do të shërbejë si segmenti fundor i forcës shtrënguese të procesit të marrjes së masës administrative nga AMA, si mjeti nëpërmjet të cilit, do të zbatohen vendimet e miratuara prej orgnave të saj (Këshilli i Ankesave, Bordi).
Për më tepër, përmes nenit 4 të ligjit nr. 92/2019, AKEP-it i jepet kompetencë që në rast se ofruesi i shërbimeve mediatike nuk zbaton urdhrat/vendimet e AKEP-it, që lidhen me zbatimin e akteve/vendimeve jo të formës së prerë të Këshillit të Ankesave dhe të Bordit të AMA-s apo të nxjerra nga çdo organ tjetër me kompetenca ligjore në këtë fushë, sipas nenit 4, të këtij ligji, atëherë personi juridik privat do të ndëshkohet me gjobë në shumën prej 1 000 000 lekë.
Pra, përmes kësaj dispozite, forca shtrënguese përkundrejt ofruesve të shërbimeve mediatike të publikimeve elektronike rritet nën mbikqyrjen e njëpasnjëshme të dy organeve.
Në referim të qëndrimit të mbajtur në arsyetimin e Dekretit nr.11413, datë 11.01.2020, të Presidentit të Republikës, për kthimin për rishqyrtim të ligjit nr. 91/2019 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar”, bëhet e detyrueshme që ligjvënësi bashkarisht me shqyrtimin e ligjit nr. 91/2019, të rishqyrtojë edhe ligjin nr. 92/2019, pasi këto dy akte të reja ligjore janë pjesë e së njëjtës paketë të lidhura procedurialisht dhe materialisht me njëra- tjetrën.
Nëse Kuvendi i Shqipërisë, do të shqytojë e miratojë Dekretin nr. 11413, datë 11.01.2020, për kthimin për rishqyrtim të ligjit nr. 91/2019 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar”, kjo gjë ndikon dhe bën të detyrueshme rishikimin dhe reflektimin e qëndrimit edhe në ligjin nr. 92/2019 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9918 datë 19.5.2008, “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar”.
Në arsyetimin e kthimit të ligjit nr. 91/2019, Presidenti i Republikës ka parashtruar argumenta mbi domosdoshmërinë e rishikimit nga Kuvendi të sanksioneve financiare, mënyrës së vendimmarrjes, organit që ka të drejtë të marrë vendimin, si dhe mbi mënyrën e ekzekutimit të këtyre sanksioneve, apo të masave të tjera ndëshkuese.
Shqetësimet për përhapjen e lajmeve të rreme, apo ndikimit negativ të dezinformimit, duhet të adresohen në mënyrë të tillë që çdo mjet ligjor mbrotjës ndaj këtyre fenomeneve të mos rrezikojë në asnjë rast, të vendosë në disbalancë, apo të krijojë rrezikun e keqpërdorimit të këtyre mjeteve ligjore për të cenuar të drejtën për informacion, lirinë e shprehjes dhe të medias apo dhe lirinë për veprimtari ekonomike, të drejta këto që gëzojnë mbrojtje të posaçme nga Kushtetuta dhe aktet ndërkombëtare.
Ndërsa delegimi me ligj një organi administrativ i kompetencave që Kushtetuta nuk ia lejon, mungesa e transparencës në procedurën e vendimmarrjes, dhe aplikimi i sanksioneve disproporcionale dhe pa kaluar në shqyrtimin gjyqësor, nuk është në balancë mes interesit publik për mbrotjen nga lajmet/informacionet e rreme, dhe të drejtës për informim, lirisë së shprehjes dhe zhvillimit të aktivitetit ekonomik në fushën e publikimeve elektronike.
Në këtë logjikë, edhe nenet 3 dhe 4 të ligjit nr. 92/2019, do të duhet të rivlerësohen në kuadër të rishqyrtimit nga ana e Kuvendit të Shqipërisë të dispozitave respektive të ligjit nr. 91/2019, lidhur me masat ndaj ofruesve të shërbimeve mediatike në rastet e shkeljes të dispozitave ligjore.
Përsa më sipër, me qëllimin e vetëm përmirësimin e këtij ligji në përputhje me parashikimet kushtetuese dhe aktet ndërkombëtare dhe në harmoni me dispozitat e ligjit nr. 91/2019, në bindje të Kushtetutës dhe në zbatim të neni 85 pika 1 të saj, kam vendosur kthimin për rishqyrtim të ligjit nr. 92/2019 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9918 datë 19.5.2008, “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar”, në mënyrë që të rivlerësohet së bashku me ligjin nr. 91/2019, prej të cilit kushtëzohen ndryshimet, me qëllim përfshirjen e rregullave strikte për ngritjen e funksionimin e organeve administrative të pavarura, rivlerësimin e nivelit të masave administrative të parashikuara në analizë të realitetit ekonomik në të cilin janë ngritur e funksionojnë ofruesit e shërbimit të medias, rishikimit të procesit të vlerësimit dhe marrjes së masave administrative dhe ekzekutimit të tyre, si dhe rivlerësimin e efektit të drejtpërdrejtë që do të kenë në përditshmërinë e punës së ofruesve të shërbimit mediatik elektronik nga parashikimet e reja ligjore.
Me respekt,
Ilir Meta