“Epoka e re” (Gazetari Sadik Zeqiri): Z. President, Shqipëria muajin e kaluar u godit nga një tërmet i fuqishëm, me pasoja tepër tragjike, me 51 humbje jete, mijra banesa e prona të shkatërruara. Sa e ka marrë veten Shqipëria dhe shqiptarët pas kësaj fatkeqësie?
Presidenti Meta: Shqipëria nuk ishte goditur nga një tërmet kaq shkatërrues prej një kohe të gjatë.
U bënë përpjekje të mëdha dhe u zgjua një solidaritet i jashtëzakonshëm.
Pasojat e rënda që la pas tërmeti treguan dobësitë tona në përballimin e këtyre situatave emergjente dhe besoj kemi nxjerrë mësimet e duhura se si t’i përmirësojmë masat dhe reagimet në të ardhmen.
Aktualisht jemi të përqëndruar në sigurimin e strehimit dhe shërbimeve të tjera të domosdoshme për të gjithë njerëzit që kanë humbur shtëpitë e tyre.
Në të njëjtën kohë, jemi duke llogaritur dëmet dhe nivelin e sigurisë së mijrave shtëpive dhe ndërtesave të dëmtuara.
Besoj se shumë shpejt do të kemi një plan veprimi konkret për rindërtimin dhe rikuperimin e të gjitha pasojave që la pas ky tërmet shkatërrimtar.
“Epoka e re”: Është parë një solidarizim i paparë i institucioneve të Kosovës dhe qytetarëve të saj me këtë tragjedi që e goditi Shqipërinë. Çka do të thotë për shqiptarët kjo?
Presidenti Meta: Kosova ishte e para që reagoi menjëherë duke na ardhur në ndihmë. E kam shprehur dhe nuk kursehem ta përsëris falenderimin dhe mirënjohjen e thellë për ndihmën dhe solidarizimin maksimal e të jashtëzakonshëm të institucioneve të saj dhe në veçanti të qytetarëve të Kosovës, në ato momente dramatike për Shqipërinë.
Tërmeti i 26 nëntorit tundi si asnjëherë më parë themelet e shumë ndërtesave në Shqipëri, por tregoi se themelet e solidaritetit mbarëshqiptar janë më të forta se kurrë.
Zemrën bujare e Kosovës e dëshmuan veçanërisht dhe ata qytetarë të saj në pamundësi ekonomike, që shprehën solidaritet, duke ndarë edhe varfërinë e tyre me banorët e prekur nga ky tërmet.
Shqipëria dhe Kosova çdo herë kanë qenë dhe do të mbeten të parat në krah të njëra-tjetrës, dhe ne kurrë nuk do ta harrojmë këtë solidaritet dhe këtë ndihmë të jashtëzakonshme.
“Epoka e re”: A duhet të shërbejë ky rast për qeveritë e të dy vendeve që të thellojnë bashkëpunimin dhe t’i largojnë ato barriera që vështirësojnë lëvizjen e shqiptarëve? Dhe ku mendoni se Shqipëria dhe Kosova duhet ta forcojnë bashkëpunimin më shumë?
Presidenti Meta: Marrëdhëniet mes dy vendeve tona duhet të jenë më komplementare me njëra-tjetrën.
Shqipëria dhe Kosova duhet të plotësojnë të gjitha boshllëqet apo mangësitë që vijnë për shkak të karakteristikave të ndryshme të potencialeve apo të burimeve të zhvillimit ekonomik.
Në këtë drejtim duhet të krijojmë sa më shumë lehtësira.
Ju e dini qëndrimin tim për taksën e Kalimashit. Kjo është një taksë mjaft e gabuar dhe dekurajuese, duke pasur parasysh se sa i rëndësishëm është për Shqipërinë dhe për Kosovën ky qarkullim pa pengesa midis qytetarëve tanë. Por edhe për tregtinë, po të kemi parasysh se sa e kushtueshme është sidomos për të vënë në funksion të Kosovës edhe portet e Shqipërisë në të ardhmen.
Më vjen keq kur konstatoj se mes dy vendeve tona ka aq shumë marrëveshje bashkëpunimi në fusha të ndryshme, por që për fat të keq janë ende shumë larg konkretizimit të tyre.
Shqipëria dhe Kosova në të gjitha fushat duhet të forcojnë pa më të voglin hezitim bashkëpunimin dhe të rrëzojnë të gjitha barrierat administrative dhe burokratike.
Kjo është në interesin reciprok të të dy vendeve që kanë vetëm një aspiratë: bashkimin e tyre në Bashkimin Europian.
“Epoka e re”: Cili është qëndrimi juaj për nismën e ashtuquajtur “Mini-Shengen” dhe si i vlerësoni deklaratat e kryeministrit Rama për figurat kryesore politike të Prishtinës?
Presidenti Meta: Çdo platformë rajonale bashkëpunimi, që është gjithëpërfshirëse dhe jo përjashtuese, që udhëhiqet nga partneriteti dhe jo paternalizmi, që sjell kohezion dhe jo konfuzion, e aq më tepër përçarje, dhe që ka vetëm për qëllim integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian është e mirëpritur.
Ky duhet të jetë një parakusht për të promovuar dhe konsideruar iniciativa rajonale premtuese dhe të dobishme.
Çdo iniciativë që provokon debate të panevojshme nuk e ndihmon bashkëpunimin tonë.
Askush nuk ka pse keqpërdoret për të defaktorizuar Kosovën.
Prishtina ka udhëheqësit e saj të zgjedhur me votën e qytetarëve të saj.
Shqipëria, për fat të keq, nuk ka se çfarë t’i mësojë Kosovës, as sa i përket shtetit ligjor, as sa i përket zgjedhjeve e pluralizmit politik, apo qoftë sa i përket demokracisë.
Shteti i Kosovës është jo vetëm tërësisht funksional, por edhe një shembull i demokracisë në rritje, në një rajon që ende vuan nga autoritarizmi dhe pamundësimi i zgjedhjeve tërësisht të lira.
“Epoka e re”: Në Kosovë, edhe disa muaj pas zgjedhjeve ende nuk janë formuar institucionet e reja? Cili është mesazhi juaj për dy fituesit e këtyre zgjedhjeve VV dhe LDK?
Presidenti Meta: Si fitues të zgjedhjeve parlamentare, uroj që Lëvizja Vetëvendosja dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, në partneritet dhe përgjegjëshmëri të vendosin sa më parë për krijimin e institucioneve të reja qeverisëse.
Kosova i ka të gjitha mundësitë të jetë një shembull i mirëqeverisjes në rajonin tonë.
“Epoka e re”: Cili është urimi juaj për Shqipërinë dhe për Kosovën për vitin 2020?
Presidenti Meta: Uroj për një Shqipëri me negociata të çelura me Bashkimin Europian, dhe për një Kosovë pa regjim vizash me BE-në, shumë më pranë saj dhe NATO-s.