Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta me rastin e festës së Fitër Bajramit vizitoi sot selinë e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë nga ku përcolli urimet më të mira dhe të përzemërta për të gjithë besimtarët myslimanë, si dhe mbarë popullin shqiptar.
Presidenti Meta pasi u takua me Kryetarin e KMSH, Haxhi Bujar Spahiu, u shpreh në prani të mediave, se:
“Ishte kënaqësi të vizitoja sot Kreun Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe t’i uroja jo vetëm atij, por edhe të gjithë besimtarëve tanë që Zoti t’ua shpërblejë të gjithë ato sakrifica që kanë bërë gjatë Muajit të Shenjtë të Ramazanit.
Uroj paqe, shëndet, mbarësi në familjet e tyre, por edhe në mbarë shoqërinë tonë! Kjo është një festë e mrekullueshme, që gjithashtu na fton sot të forcojmë edhe ndjenjën e solidaritetit e të harmonisë me njëri-tjetrin, dhe sidomos të jemi më pranë vëllezërve tanë dhe gjithë atyre familjeve që janë në kushte më të vështira.”
Gjithashtu Presidenti meta ka takuar Kryegjyshin Botëror Haxhi Dede Edmond Brahimaj dhe besimtarët e shumtë bektashianë, me rastin e festës së Fitër Bajramit.
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta vizitoi sot Selinë e Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, ku uroi personalisht Kryegjyshin Botëror Haxhi Dede Edmond Brahimaj dhe besimtarët e shumtë bektashianë, me rastin e festës së Fitër Bajramit.
Në një prononcim për mediat, Kryetari i Shtetit u shpreh:
“Pas një muaji agjërimi, sakrificash dhe vetëpërmbajtje, jemi sot për të ndarë gëzimin për Fitër Bajramin si dhe për t’u uruar besimtarëve dhe mbarë popullit shqiptar këtë festë të shenjtë, që ka në thelbin e saj solidaritetin dhe humanizmin, këto vlera shumë të rëndësishme, që duhet të na udhëheqin të gjithëve për të bërë një Shqipëri edhe më njerëzore, edhe më të dhembshur, edhe më solidare.
Nuk ka begati pa sakrifica
Me fat të gjithëve Fitër Bajramin!”
/Argumentum.al