Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka pritur në takim kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi.
Gjatë takimit të mbajtur në kabinetin e presidentit “Villa Vodno”, presidenti Pendarovski dhe kryeparlamentari Xhaferi kanë shkëmbyer mendime rreth situatave aktuale në vend.
Në kumtesën e lëshuar nga kabineti i presidentit, thuhet se është theksuar nevoja që në periudhën në vijim, të gjitha institucionet e shtetit të fokusojnë tërë kapacitetin për marrjen e datës për fillim të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE).
“Në këtë drejtim, presidenti Pendarovski e theksoi rëndësinë e Kuvendit në realizimin e axhendës reformuese dhe të dimensionit parlamentar në realizimin e interesave të Republikës së Maqedonisë së Veriut në planin ndërkombëtar”, thuhet në kumtesë.
Dy bashkëbiseduesit, siç thuhet në kumtesë, janë dakorduar për një koordinim më të afërt të dy institucioneve në të ardhmen.
Kjo është vizita e parë mes Pendarovskit dhe Xhaferit që nga zgjedhjet presidenciale të mbajtura më 5 maj, pas së cilave Pendarovski zëvendësoi Gjorge Ivanovin në institucionin President i Republikës së Maqedonisë së Veriut./aa