Ashtu sikundër kishte paralajmëruar, Presidenca ka bërë sot publik qëndrimin për draft-opinionin e Komisionit të Venecias, lidhur me kërkesën e mazhorancës për shkarkimin e Ilir Metës, me pretendimin se ka shkelur Kushtetutën me anulimin e 30 qershorit si datë të zgjedhjeve vendore.
Në draft opinion, konkluzionet e të cilit u publikuan një javë më parë, thuhet se Presidenti ka tejkaluar kompetenca kushtetuese.
Por kreu i shtetit i është drejtuar me një letër Presidentit të Komisionit të Venecias Gianni Buquicchio ku përcillen komentet dhe qëndrimi i Presidentit të Republikës.
Ilir Meta shprehet se konkluzionet e draft-raportit janë kontradiktore dhe se juristët duket sikur janë udhëhequr nga ide fikse.
Ai kërkon që çështja të shqyrtohet edhe një herë nga të gjithë anëtarët e Komisionit.
REPUBLIKA E SHQIPËRISË
PRESIDENTI
Nr. 3493 Prot. Tiranë, më 04 .10.2019
Lënda: Përcillen komentet dhe qëndrimi i Presidentit të Republikës mbi “Projekt-Opinionin” Nr.959/2019 të përgatitur nga ekspertët anëtarë të Komisionit të Venecias “Për kompetencat e Presidentit për të caktuar datat e zgjedhjeve në një sistem parlamentar”.
Drejtuar: Zoti Gianni BUQUICCHIO
PRESIDENT I KOMISIONIT TË VENECIAS
STRASBOURG, FRANCË
Për dijeni: ANËTARËVE TË KOMISIONIT TË VENECIAS
I nderuar Zoti Buquicchio,
Ju falenderoj për ndihmën e çmuar që Komisioni i Venecias ka dhënë në vijimësi për reformat e konsolidimit të shtetit të së drejtës dhe forcimin e institucioneve demokratike në Shqipëri.
U njoha me projekt-opinionin e përgatitur nga ekspertët e Komisionit të Venecias dhe konstatimin e qartë se Presidenti i Republikës nuk ka kryer shkelje të Kushtetutës.
Megjithatë dëshiroj të evidentoj disa çështje kyçe që duket se nuk janë marrë parasysh por që kanë rëndësi thelbësore për analizën objektive dhe konkluzioneve që rrjedhin prej saj.
Informacioni që po përcjell në formën e komenteve në vëmendje të të gjithë anëtarëve të Komisionit të Venecias është objektiv dhe në funksion të diskutimit, ndryshimit dhe përmirësimit të projekt-opinionit, përpara se ai të marrë formë përfundimtare.
Së pari dhe mbi të gjitha, ju bëj me dije se në cilësinë e Presidentit të Republikës jam betuar se do t’u bindem Kushtetutës dhe ligjeve të vendit, do të respektoj të drejtat dhe liritë e shtetasve, do të mbroj pavarësinë e Republikës së Shqipërisë dhe do t’i shërbej interesit të përgjithshëm dhe përparimit të Popullit Shqiptar.
Nën këtë betim, aktiviteti im mbizotërohet nga interesi më i lartë kombëtar në shërbim të vendit dhe bashkëqytetarëve të mi.
Duke mirëkuptuar pozitën e pazakontë ku është vendosur Komisioni i Venecias, për t’u shprehur rreth një çështjeje që prek si aspektin politik ashtu edhe atë juridik dhe që ka ardhur si rezultat i zhvillimeve të paprecedent, e gjej me vend të theksoj se vetëm një njohje e thellë e situatës në Shqipëri do të mundësonte vlerësimin objektiv të veprimtarisë kushtetuese të Presidentit.
Këtë bindje e përforcova gjatë takimit që pata me reporterët e Komisionit të Venecias në Tiranë, të cilët më shfaqën hapur shqetësimin se nuk e njihnin aspak as historinë dhe as kontekstin e zhvillimit të ngjarjeve, duke e konsideruar si element kyç për interpretimin e saktë të veprimtarisë kushtetuese të Presidentit të Republikës.
Pika 7 e projekt-opinionit pohon se kronologjia e fakteve nuk është e plotë dhe nuk përbën provë për ndonjë nga ngjarjet e përmendura.
Vlerësimi dhe interpretimi i gërmës së Kushtetutës në lidhje me ushtrimin e kompetencave dhe rolin e Presidentit të Republikës janë të pamjaftueshme nëse nuk vendosen në dritën e rrethanave ekstreme ku janë zbatuar.
Përshkallëzimi i krizës së paprecedent, ende të pazgjidhur, në Shqipëri ka qenë në fokus jo vetëm të autoriteteve, mediave, dhe aktorëve të tjerë vendas, por edhe shqetësim në rritje i partnerëve ndërkombëtarë dhe mediave të huaja.
Asnjë President Republike nuk do të mund të anashkalonte apo të mbetej i pandikuar prej rrezikut permanent të gjakderdhjes dhe cënimit të stabilitetit dhe imazhit të vendit. Asnjë shqiptar që ka ende kujtesë nga regjimi çnjerëzor komunist nuk do të mbetej i pashqetësuar prej rrezikut të kthimit të shtetit-parti pas 29 viteve të demokracisë së brishtë shqiptare…’, shkruan kreu i shtetit shqiptar mes te tjerash.