Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, më 14 tetor hodhi poshtë deklaratat e homologut të tij francez, Emmanuel Macron, se Moska po destabilizon procesin e paqes midis Armenisë dhe Azerbajxhanit.
Bakuja dhe Jerevani janë në konflikt për më shumë se tri dekada lidhur me rajonin e shkëputur të Nagorno-Karabakut. Kjo pasi, separatistët e mbështetur nga Armenia morën kontrollin e rajonit që banohet kryesisht nga armenët.
Macron, gjatë një interviste për televizionin France 2, akuzoi Moskën se qëllimshëm ka provokuar përleshjet e fundit midis Armenisë dhe Azerbajxhanit. Lideri francez tha se provokimet janë pjesë e përpjekjet për të destabilizuar këtë rajon të brishtë.
“Besoj se këto deklarata tregojnë mungesë të kuptimit të kursit të konfliktit”, tha Putin gjatë takimit me liderët e shteteve të rajonit, që po mbahet në Kazakistan.Putin shtoi se deklaratat e Macronit “tingëllojnë të pasakta, mund të them edhe perverse, prandaj ato janë të papranueshme”.
Më 13 tetor, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, tha se deklaratat e Macronit ishin “absolutisht të papranueshme”.
Javën e kaluar, Macron së bashku me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, u takuan me presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, dhe kryeministrin e Armenisë, Nikol Pashinian.
Në takimin midis Aliyevit dhe Pashinianit, që u zhvillua në Pragë, autoritetet evropiane thanë se liderët u pajtuan që një mision civil i BE-së të vendosej në kufirin mes shteteve. Në kufi, mbi 200 persona u vranë në luftimet mes Armenisë dhe Azerbajxhanit që shpërthyen disa javë më parë.
Pas një morie përpjekjesh diplomatike nga Brukseli dhe Uashingtoni, ministrat e jashtëm armen dhe azerbajxhanas u takuan më 3 tetor në Gjenevë për të filluar hartimin e tekstit të një traktati të ardhshëm paqeje.
Në shtator, të paktën 286 njerëz u vranë në përleshjet kufitare në kufirin e fqinjëve të Kaukazit, përpara se një armëpushim i ndërmjetësuar nga SHBA t’i jepte fund luftimeve më të këqija që nga lufta e tyre në vitin 2020.
Lufta gjashtë-javore në vjeshtën e vitit 2020 mori jetën e më shumë se 6,500 trupave nga të dyja palët dhe përfundoi me një armëpushim të ndërmjetësuar nga Rusia.
Sipas marrëveshjes, Armenia lëshoi një pjesë të territorit që kishte kontrolluar për dekada dhe Moska vendosi rreth 2,000 paqeruajtës rusë për të mbikëqyrur armëpushimin e brishtë.
Kur Bashkimi Sovjetik u shemb në 1991, separatistët etnikë armenë në Nagorno-Karabakh u shkëputën nga Azerbajxhani. Konflikti që pasoi mori rreth 30,000 jetë.
/Argumentum.al