Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të hënën se ka kërkuar nga parlamenti i Kosovës që të zgjas mandatin e Gjykatës së Posaçme për Kosovën, e njohur me emrin Dhomat e Specializuara me seli në Hagë, që trajton pretendimet për krime lufte dhe pas lufte në Kosovë.
Përmes një videomesazhi të shpërndarë në rrjetet sociale, Presidenti Thaçi tha se drejtësia është rrruga e vetme e zbardhjes së pastërtisë të luftës së Kosovës për liri.
“Sado e dhimbshme, sado e gjatë, sado e padrejtë të duket në raste të caktuara, rruga e zbardhjes së çdo pretendimi për krime lufte si dhe rruga e pastrimit të njollave të vëna padrejtësisht mbi luftën tonë, dhe posaçërisht mbi UÇK-në, nuk kanë asnjë alternativë tjetër përveç rrugës së drejtësisë”, tha zoti Thaçi
Sipas amandamentit të Kushtetutës së Kosovës, mbi bazën e të cilit është themeluar Gjykata e Posaçme, “mandati i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar do zgjasë në periudhën prej 5 vjetësh, përveç nëse lajmërimi për përfundimin e mandatit bëhet më herët”.
Por, në Ligjin për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, thuhet që mandati i kësaj gjykate do të përfundojë atëherë kur Këshilli i Bashkimit Evropian do të njoftojë për një gjë të tillë institucionet e Kosovës.
Gjykata e Posaçme për Kosovën e njohur me emrin Dhomat e Specializuara u themelua para pesë vjetësh, në vitin 2015 dhe vepron në bazë të ligjeve të Kosovës, por me personel ndërkombëtar.
“I kam kërkuar Kuvendit të Republikës së Kosovës që mandati Dhomave të Specializuara dhe zyrës së Prokurorit të Specializuar të zgjasë deri kur njoftimi i përfundimit të mandatit të bëhet nga Këshilli i Bashkimit Evropian në konsultim me qeverinë e Republikës së Kosovës. Jam i bindur se deputetët e kuvendit do ta mbështesin këtë kërkesë të arsyeshme dhe mbetem thellësisht i bindur se mbështetja e drejtësisë për të bërë drejtësi e nderon Kuvendin e Kosovës, dhe rrit përgjegjësinë e shtetit të Kosovës”, tha presidenti Thaçi.
Pretendimet për krime lufte kundër pjesëtarëve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dolën në raportin e vitit 2011 të hartuar nga i dërguari i Këshillit të Evropës, Dick Martty, i cili ngriti dyshimet për përfshirjen e ish kryengritësve në vrasjen e civilëve serbë dhe kundërshtarëve politik shqiptarë.
Mbi 200 ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë marrë në pyetje që nga fillimi i vitit 2019 nga prokurorët e Dhomave të Specializuara ndërsa më 24 qershor prokuroria publikoi njoftimin për ngritjen e akuzave ende të pakonfirmuara ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Hetimet, sikurse edhe ngritja e gjykatës dhe ngritja e akuzave janë shoqëruar me reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e kryera nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998 – 1999, që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s.
Më 22 dhjetor të vitit 2017, një grup deputetësh hodhi nismën për shfuqizimin e Gjykatës së Posaçme, duke sfiduar marrëdhëniet e Kosovës me aleatët e saj kryesor që paralajmëruan për pasoja të rënda nëse ndodhë shfuqizimi i saj.
Në fillim të vitit 2018 udhëheqësit e institucioneve të Kosovës thanë se “gjykata nuk do të shfuqizohet”.
Përfaqësuesit e Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, u kërkuan përmes një shkrese më herët gjatë muajit grupeve parlamentare që të ndryshojnë ligjin për Gjykatën e Posaçme duke siguruar një karakter gjithpërfshirës të saj.
Por njohës të fushës së drejtësisë thonë se strategjia dhe kërkesa e veteranëve të luftës është e gabuar dhe e parealizueshme./voa