Presidenti Donald Trump dhe këshilltari i tij për Sigurinë Kombëtare John Bolton duket se kanë pikëpamje të ndryshme lidhur me nivelin e rrezikut që paraqet Koreja e Veriut.
Në një postim në tweeter në dielën nga Tokio, zoti Trump i dha një përgjigje zotit Bolton pas komenteve të tij të shtunën se nuk kishte “asnjë dyshim” se prova e kohëve të fundit e Phenianit me raketë balistike me rreze të shkurtër veprimi, shkelte një rezolutë të Kombeve të Bashkuara.
“Koreja e Veriut lëshoi disa armative të vogla që shqetësuan disa nga njerëzit e mi e të tjerë, por jo mua” shkruante zoti Trump.
Presidenti e bëri komentin e tij pak para se të luante golf me kryeministrin japonez Abe. Më vonë ata ndoqën nga afër një ndeshje sumo dhe zoti Trump i dorëzoi kupën e Presidentit fituesit të garës.
Të hënën Presidenti Trump pritet të takohet me perandorin Naruhito. Ai do të zhvillojë dhe një takim zyrtar me zotin Abe si dhe do të marrë pjesë në një darkë shtetërore./voa