Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i është kundërpërgjigjur ambasadorit të SHBA-së në Serbi, Christopher Hill, i cili tha se Serbia është më afër Aleancës Veriatlantike të NATO-s, sesa Kosova.
Presidentja Osmani, pas pjesëmarrjes së saj në Konferencën “Java e Gruas” në Prishtinë, e pyetur nga gazetarët për këtë çështje, tha se të gjithë ata që thonë se Serbia është afër NATO-s i fyejnë jo vetëm shtetet demokratike, por edhe viktimat e Serbisë së Sllobodan Millosheviqit.
“Ekziston vetëm një shtet që është më larg NATO-s se sa Serbia, e ajo është Rusia e Putinit. Një shtet si Serbia, që vazhdimisht ka shkelur vlerat kryesore mbi të cilat qëndron NATO-ja, pra mbrojtjen nga forcat autoritare, mbrojtjen nga shtetet që shkelin rregullat bazike të së drejtës ndërkombëtare, siç është Serbia, lëre më që është larg NATO-s, por as që mund të ëndërrojë një ditë të jetë pjesë e NATO-s”, deklaroi Osmani.
Ambasadori Hill për televizionin publik të Serbisë tha të martën se “nëse shikohet se kush është partner i NATO-s, Serbia është shumë më afër NATO-s se Kosova, në këtë moment po, kjo është shumë e vërtetë për tani”.
Osmani ka thënë se Serbia, për shkak se është kundër vlerave të NATO-s, nuk ka shprehur asnjëherë gatishmëri të anëtarësohet në aleancë dhe se “është i vetmi shtet i Ballkanit Perëndimor që vazhdimisht ka deklaruar se nuk do të anëtarësohet në NATO sepse është kundër NATO-s”.
“Serbia është shtet që para pak muajsh ka kryer akt agresioni kundër Republikës së Kosovës, vazhdimisht tenton të shkatërrojë Bosnjë e Hercegovinën përbrenda dhe të njëjtën e bën edhe me Malin e Zi. Kjo nënkupton se ky është një shtet njësoj si Rusia, që lëre që shkel parimet e vlerat e fqinjësisë së mirë, por në të njëjtën kohë ndërmerr veprime konkrete të dhunshme, duke i konsideruar fqinjët përreth si shtete të përkohshme e jo shtete të përhershme, siç në fakt jemi”, ka thënë Osmani.
Ajo tutje shtoi se Serbia kurrë nuk është ballafaquar me të kaluarën e saj gjenocidale dhe “akoma fle mbi varreza masive”.
“Më lejoni të them troç, kushdo që e konsideron Serbinë që është shtet që është afër NATO-s nuk e ofendon vetëm çdo shtet demokratik që po bën hapa konkret drejt anëtarësimit në NATO, por njëkohësisht është duke i ofenduar edhe viktimat e Serbisë së Millosheviqit, e cila është e njëjtë sot siç ka qenë edhe para disa dekadave”, përfundoi presidentja Osmani.
Ambasadori amerikan Hill është pyetur mbi ngjarjet gjatë viteve 1998-1999 që lidhen me Kosovën, duke treguar se pritjet e SHBA-së ishin që brenda vitesh Kosova e Serbia të ishin në Bashkimin Evropian (BE), “por, kjo doli të jetë ndryshe”.
Ai ka shtuar se me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, do të zgjidhej edhe çështja e operimit me dinarin serb në territorin kosovar.
/Argumentum.al