Presidentja Osmani po merr pjesë në ADF2025 me ftesë të presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan.
Forumi i këtij viti, me temën “Rikthimi i diplomacisë në një botë të fragmentuar”, synon t’i adresojë sfidat ndërkombëtare në një kontekst të polarizuar global, duke vënë theksin në nevojën që diplomacia ta rifitojë rolin e saj si forcë stabilizuese dhe ndërtuese e paqes.
ADF2025 është një platformë e nivelit të lartë, që mbledh liderë shtetesh, diplomatë të rangut të lartë dhe ekspertë nga mbarë bota, për të diskutuar çështje kyçe të sigurisë, politikës së jashtme dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, transmeton Anadolu.
Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, në takimin e tij me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se vendi i tij është i vendosur të zhvillojë marrëdhëniet me Kosovën në të gjitha fushat dhe se dy vendet po i afrohen arritjes së objektivit të vëllimit tregtar prej 1 miliard euro.
Drejtoria e Komunikimit të Presidencës turke ka bërë një deklaratë pas takimit që presidenti Erdoğan zhvilloi me presidenten Osmani në kuadër të Forumit të Diplomacisë në Antalya (ADF).
Sipas deklaratës, gjatë takimit u diskutuan marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Türkiyes dhe Kosovës, çështjet rajonale dhe globale.
Në takim, presidenti Erdoğan ka deklaruar se Türkiye është e vendosur të zhvillojë marrëdhëniet me Kosovën në çdo fushë, se dy vendet janë afër arritjes së objektivit të vëllimit të tregtisë prej 1 miliard eurosh dhe se objektivi mund të rritet në 3 miliardë euro.
Presidentja Osmani takon presidentin sirian al-Sharaa

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me presidentin e Sirisë, Ahmed al-Sharaa, në margjinat e edicionit të katërt të Forumit Diplomatik në Antalya (ADF2025).
Në një postim në rrjetet sociale, Osmani tha se populli i Kosovës dhe populli i Sirisë në luftën e tyre për të qenë të lirë kanë përjetuar vuajtje të panumërta nga regjime diktatoriale e gjenocidale.
“Sot, me presidentin e Sirisë së lirë, Ahmed al-Sharaa, kishim takimin tonë të parë për të hapur kapituj të ri bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve tona. Kosova dhe Siria ndajnë plagë të njëjta: dhimbjen e luftës, shpërnguljen dhe sfidat e rindërtimit, ndaj Kosova është e gatshme ta ndajë përvojën e saj në ndërtimin e institucioneve demokratike”, theksoi Osmani.
Presidentja Osmani mori pjesë si folëse në panelin “ADFTalks” të moderuar nga Andrew Hopkins nga TRT World, në kuadër të Forumit të Diplomacisë në Antalya (ADF) që u mbajt në Qendrën e Kongreseve NEST në Rajonin e Turizmit Belek, në të cilin Agjencia Anadolu (AA) është e pranishme si “Partneri Global i Komunikimit”.
Duke shprehur kënaqësinë që ndodhet në ADF, Osmani tha se ADF është një nga forumet që bashkon drejtuesit jo vetëm për të biseduar por edhe për të bërë “diçka”.
Pasi nënvizoi se ADF ka mbledhur zyrtarë nga “vende të ndryshme që nuk flasin me njëri-tjetrin” dhe se është bërë qendër diskutimi, Osmani falënderoi presidentin Erdoğan dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Hakan Fidan.
Duke vënë në dukje krizat dhe atmosferën negative që janë shfaqur së fundmi në arenën ndërkombëtare, Osmani për këto arsye tërhoqi vëmendjen për rëndësinë e diplomacisë dhe qasjeve me në qendër njerëzit.
Presidentja e Kosovës tha se të rinjtë në vendin e saj për herë të parë po jetojnë pa e ditur luftën dhe theksoi se gjeneratat e kaluara në Kosovë janë përballur me luftëra.
– Procesi i njohjes së Kosovës
Osmani ndau informacionin se shteti i saj që nga shpallja e pavarësisë ka ofruar bashkëpunim ndaj shteteve të tjera, se kanë marrë një vrull në procesin e njohjeve dhe se 118 shtete e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Ajo shtoi se gjatë procesit kanë ndodhur situata komplekse dhe janë përhapur disa “informacione të rreme” dhe “kundërpropagandë”.
Duke iu referuar procesit të njohjes së Kosovës në kuadër të së drejtës ndërkombëtare, Osmani tha se nuk ka pikëpyetje për pavarësinë e vendit të saj dhe se Serbia do të përballet me pengesa në procesin e BE-së nëse nuk e zgjidh çështjen e njohjes me Kosovën.
“Vendi im ka marrë mbështetje intensive ndërkombëtare dhe është mirënjohës për këtë”, tha Osmani duke shtuar se “Presidenti Erdoğan edhe personalisht na tregon mbështetjen e tij në çdo rast”.
Duke thënë se disa shtete nuk e njohin Kosovën për arsye të tilla si punët e tyre të brendshme, Osmani shtoi se Kina do të ndërmarrë veprime të shpejta, ndërsa nuk presin lëvizje pozitive nga Rusia.
Presidentja e Kosovës, Osmani theksoi se ushtarët e vendit ofrojnë mbështetje të madhe për ushtrinë amerikane dhe turke në rajonet ku shërbejnë, ndërsa më tej shtoi se Türkiye dhe SHBA-ja janë “palët më të mëdha mbrojtës të Kosovës”.
Pasi foli për rëndësinë e dy vendeve për Kosovën në rritjen e aftësive dhe blerjen e mekanizmave të ndryshëm, Osmani tha se Kosova dëshiron më shumë trajnime dhe blerje.
– Marrëdhëniet Turqi-Kosovë
Osmani tha se Türkiye dhe Kosova kanë marrëdhënie të shkëlqyera në të gjitha fushat dhe shprehu dëshirën për t’i forcuar më tej këto marrëdhënie në fushën e mbrojtjes dhe ekonomisë.
Ajo më tej nënvizoi se dy vendet kanë lidhje të ngushta gjeografike dhe historike dhe se faktori më i rëndësishëm është që marrëdhëniet Türkiye-Kosovë të bazohen në besim.
“Presidenti Erdoğan ka qenë mik i jashtëzakonshëm i vendit tonë. Mirënjohja e popullit të Kosovës është shumë e madhe dhe ne mezi presim të punojmë me të, me gjithë kabinetin e tij dhe me popullin turk që ka rëndësi të veçantë pasi ai tregon dashuri dhe mbështetje të madhe për popullin e Kosovës sa herë që ne vijmë këtu”, tha Osmani.
Presidentja e Kosovës, Osmani e përfundoi fjalën e saj duke thënë në turqisht, “Kalbimden çok teşekkür ederim!” (Faleminderit shumë nga zemra!”)
/AA-Argumentum.al