Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani thotë se njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë është e vetmja zgjidhje që çon drejt paqes dhe stabilitetit afatgjatë dhe se gjysmëzgjidhjet i japin hapësirë të mjaftueshme Serbisë që të vazhdojë të afrohet më shumë me Rusinë. Në një intervistë për Zërin e Amerikës nga Nju Jorku ku ndodhet për takime në kuadrin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, presidentja e Kosovës tha se forcat politike në Kosovë duhet të jenë të bashkuara në lidhje me politikën e jashtme ndaj Serbisë.
Lidhur me asociacionin e komunave serbe, zonja Osmani tha se Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar që Kosova të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, jo atë që është nënshkruar në Bruksel, si edhe se Serbia vetë nuk ka zbatuar rreth dy të tretat e marrëveshjeve që ka nënshkruar. Në intervistën me gazetaren Keida Kostreci, Presidentja Osmani përsëriti qëndrimin kundër Ballkanit të Hapur, për shkak se Kosova nuk ka mundësi që të anëtarësohet si e barabartë.
E pyetur për marrëdhëniet me Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, zonja Osmani tha se politikanët shqiptarë nga çdo vend ku janë, nuk duhet të justifikojnë veprimet dhe politikat e Serbisë.
/Argumentum.al