Me ftesë të familjes Albright, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, udhëton drejt SHBA-së, për të marrë pjesë në funeralin e ish- Sekretares Amerikane të Shtetit dhe mikës së Kosovës, Madeleine Albright.
Në fillim të javës që vjen, Presidentja e Republikës, Vjosa Osmani, do të udhëtojë për SHBA. Lajmin për RTK-në e konfirmon Bekim Kupina, këshilltar për media i Presidentes së Republikës.
“Gjatë qëndrimit në SHBA presidentja Osmani do të ketë edhe disa takime të tjera”, tha Kupina.
Albright ka vizituar tri herë Kosovën, pak muaj pas përfundimit të luftës 1999, më 2005 dhe 2019. Më 2005, mbajti një fjalim në Kuvendin e Kosovës, ndërkohë më 2019, ishte e pranishme në ngritjen e bustit të saj në Prishtinë.
Madeleine Albright, ka vdekur më 23 mars në moshën 84-vjeçare.
Në nderim të mikës së madhe të Kosovës, Madeleine Albright, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e kishte shpallur 25 marsin ditë zie në Kosovë./RTK