Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, po qëndron në vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut ku u takua me homologun e saj, Stevo Pendarovski. Ata biseduan për thellimin e bashkëpunimit në mes të dy vendeve si dhe për temat rajonale, përfshirë dialogun Kosovë-Serbi.
Osmani tha se, ardhmja e dy shteteve është në familjen euro-atlantike. Sipas saj, kjo është garancia më e madhe për paqe afatgjatë në rajon.
“E ardhmja e vendeve tona, e rajonit tonë është në familjen e shteteve euro-atlantike, e kjo është garancia më e madhe për paqe dhe prosperitet afatgjatë në rajon. Që të dy vendet tona e kanë dëshmuar që pavarësisht sa e vështirë është kjo rrugë, asnjëherë nuk do të ndahemi dhe nuk do të largohemi nga ajo”, tha presidentja Osmani.
Ajo gjithashtu theksoi edhe rëndësinë e ndërtimit të autostradës Bllacë-Shkup, e cila sipas saj do të ndikojë në komunikimin mes qytetarëve, si dhe në këmbim tregtar, shkruan Alsat.
Ndërsa presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, tha se mbështesin aspiratat euroatlantike të Kosovës, si dhe anëtarësimin e saj në NATO.
“U pajtuam se shtetet tona kanë rol kyç në përpjekjet për arritjen e një stabiliteti të përhershëm. E ardhmja evropiane e dy vendeve tona është në BE dhe NATO. Ne mbështesim aspiratat euroatlantike të Kosovës dhe anëtarësimin e saj në NATO”, deklaroi Pendarovski.