Kryeministri Edi Rama, Ministrja Balluku, Ambasadore dhe të tjerë të ftuar morën pjesë sot në prezantimin e projektit për ndërtimin e portit të ri tregtar të Durrësit në Porto Romano, nga studioja prestigjioze holandeze “Royal Haskoning DHV”.
Projekti integron hekurudhën Durrës – Prishtinë dhe Portet e thata në Kosovë e Maqedoni të Veriut. Është një projekt strategjik i parashikuar ti përgjigjet kërkesave Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, por edhe vendeve të tjera të rajonit për 4 dekadat e ardhshme.
Ndërtimi i portit të ri në Porto Romano do të kërkojë financime të konsiderueshme për zbatimin e plotë të tij dhe vetëm në fazën e parë 390 milionë euro pa TVSH. Të paktën 46% e financimit do të sigurohet nga qeveria dhe 54% nga sektori privat.
Në prezantimin e projektit nga përfaqësuesi i kompanisë Royal Haskoning DHV u tha se ky investim është i konsiderueshëm dhe normalisht duhet të jetë qeveria që të mbajë një pjesë të mirë të peshës së tij. Ndërkohë sipas një kontrate ndërto dhe financo edhe operatorët e sektorit privat do të duhet të sigurojnë një shumë jo të vogël.
Modeli i një PPP-je në ndërtim duket se do të shtrihet edhe në këtë projekt ndërkohë që edhe operimi do të përfshijë sektorin privat me kontrata specifike një model që e ka aktualisht edhe Porti i Durrësit.
“Projekti është i realizueshëm dhe i qëndrueshëm. Ka një shpenzim fillestar mjaft të madh. Nuk mund të parashikoni që sektori privat mund ta paguajë këtë shpenzim fillestar sepse nuk është e rikuperueshme përmes operacioneve të sektorit privat.
Është qeveria që duhet të hyjë në lojë dhe kjo është një prirje e gjerë dhe një shembull klasik. Është shumë rëndësishme sepse ky investim bëhet për më shumë se një gjeneratë. Ku hyn sektori privat? Sektori privat hyn në lojë kur bëhet fjalë për veprimet operative, lehtësuesi është qeveria, sektori privat merret me operacionet dhe ky është modeli që kemi parashikuar për Porto Romano. Pronari, Autoriteti Portual Durrës që do të lejojë pastaj sektorin privat të bëjë pjesën e vet.
Portet zhvillohen me faza. Faza e parë 390 milionë euro pa TVSH dhe përfshin terminalin e kontejnerëve, punën për drenazhimin, infrastrukturën mbështetëse. Qeveria shqiptare në formë granti dhe APD do të jenë mbështetëset kryesore në këtë fazë”, tha ai.
Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, bëri të ditur sot se gara ndërkombëtare për ndërtimin e portit tregtar në Porto Romano, Durrës, do të hapet në fund të muajit janar të vitit që vjen.
Në ceremoninë e mbajtur për paraqitjen e projektit, ku i pranishëm ishte edhe Kryeministri Edi Rama, zv/kryeministrja Balluku theksoi rëndësinë e këtij projekti jo vetëm për vendin tonë, por edhe atë të rajonit, përfshirë Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut. Projekti për portin e ri tregtar të Durrësit në Porto Romano është bërë nga studioja holandeze “Royal Haskoning DHV”, një ndër pesë kompanitë më prestigjioze të botës në fushën e projektimit të porteve, aeroporteve, infrastrukturës tokësore e nëntokësore, energjetike, minerare, industriale, si edhe zhvillimeve urbane e rurale.
“Një vepër me rëndësi kombëtare në funksion të tregut të përbashkët rajonal, projekti i Portit të ri Tregtar të Durrësit, integron hekurudhën Durrës-Prishtinë dhe portet e thata në Kosovë e Maqedoni të Veriut”, deklaroi Balluku.
Balluku tha se pritshmëritë janë që të nisë zbatimi i projektit në Porto Romano brenda vitit 2023.
“Përmes dy investimeve madhore, portin tregtar të Durrësit dhe nga ana tjetër Ballinën ujore dhe Marina Yacht e Durrësit, po ndërtojmë një kompleks portual Durrës-Porto Romano, tërësisht të modernizuar, ku të gjitha terminalet dhe infrastruktura detare janë në pronësi shtetërore dhe ku Autoriteti Portual i Durrësit do të mbikëqyrë dhe organizojë aktivitetet e koncesionarëve dhe operatorëve. Është një projekt strategjik që do të mbulojë nevojat dhe volumet e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, por edhe vendeve të tjera të rajonit që do të kenë dëshirë të operojnë përmes këtij porti për 4 dekadat e ardhshme”, u shpreh zv/kryeministrja Balluku.
Synojmë, tha ajo, një investim me faza që do t’i përgjigjet kërkesave të 4 dekadave të ardhshme me teknologji të pa aplikuar deri tani në portet e rajonit.
“Vizioni ynë është që t’i mundësojmë transportit detar në Shqipëri një hapësirë zhvillimi, pa kufizime urbane, pa problematika mjedisore apo siguri, me të cilat kjo industri përballet sot në portin e Durrësit”, theksoi ajo.
Sipas Ballukut, në këtë industri prej 390 milionë eurosh, ku pritet të punësohen 1500 vetë, vëmendje e posaçme i është kushtuar ndërlidhjes rrugore dhe hekurudhore me një hekurudhë të brendshme, e cila lidh terminalet dhe me 8 km hekurudhë që lidh portin e Durrësit në Porto Romano me hekurudhën qendrore, atë të Tiranë-Durrës, duke i dhënë akses, si për linjat që do të ndërtohen në veri, dhe ato në juglindje.
“46 % e vlerës së këtij projekti do të mundësohet nga qeveria shqiptare dhe 54 % financim që do të sigurohet nga kompania ndërtuese. Kjo do të dalë përmes një gare ndërkombëtare. Kjo kredi do të rimbursohet nga Autoriteti Portual, pa ndikuar në buxhetin e shtetit. Në fund të janarit 2023, ne do të jemi të gatshëm për të hapur garën ndërkombëtare. Procesi sipas parashikimeve do të mbyllet në korrik 2023”, deklaroi Balluku.
Sipas saj, ky investim ka marrë vëmendjen e shumë kompanive ndërkombëtare.
Rama u shpreh gjatë fjalës në këtë prezantim se Durrësi, edhe përmes Prishtinës dhe Strugës, do t’i japë këtij rajoni një fytyrë të re, duke e çuar në një tjetër nivel standardin tregtar.
“Është Durrësi, i cili duke filluar nga integrimi me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut përmes Prishtinës dhe Strugës dhe duke u shtrirë pastaj me të gjitha vendet e tjera, do t’i japë këtij rajoni një fytyrë krejt tjetër dhe një kapacitet krejt tjetër për të përpunuar volume krejt të reja tregtare”, tha Rama.
Nga ana tjetër, shtoi Rama, “ky është një port që e çon bashkëpunimin rajonal, të nisur me 1001 vështirësi, në një nivel krejt tjetër”.
“Ky projekt do të jetë njëkohësisht edhe projekti me standardet më të larta të profesionalizmit në hartim dhe me të atilla standarde transparence dhe cilësie në gjithë procesin e garave që kanë karakterizuar edhe garat ndërkombëtare shumë të suksesshme që ka organizuar Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë”, theksoi Rama.
/Argumentum.al