Dr. Marsela Musabelliu
Në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur, rëndësia e bashkëpunimit ndërkombëtar në nivelet më të larta të politikëbërjes bëhet një imperativ i kohës. Kur dy ose më shumë vende bashkojnë forcat, potenciali për rezultate të jashtëzakonshme është i pakufishëm. Pavarësisht nëse është nxitja e rritjes ekonomike, avancimi i inovacionit teknologjik, promovimi i shkëmbimeve kulturore ose adresimi i sfidave globale, bashkëpunimi me përfitime të ndërsjella bëhet i prekshëm kur ka dialog konstruktiv dhe respekt mes palëve.
Në këtë kontekst, që prej ardhjes së tij në krye të Kinës, Presidenti Xi Jinping promovoi dy nisma që prekin specifikisht dhe objektivisht Evropën Qendrore dhe Lindore (EQL): nisma “Një brez, një rrugë” dhe platforma e bashkëpunimit Kinë-EQL. Në këtë grupim vendesh që shkon nga Balltiku deri në Ballkan disa shtete kanë qenë më aktive, disa më pak, dhe rrjedhimisht, disa kanë përfituar shumë, disa jo. Vizita e presidentit Xi në dy vendet anëtare dhe aktive të këtyre platformave, tregon se sinergjia e krijuar nëpërmjet partneriteteve dypalëshe ose shumëpalëshe jep rezultate të jashtëzakonshme kur ka vullnet nga të gjitha palët.
Një dekadë përfitime të ndërsjella
Të vendosur në skajet e kundërta të tokës Euroaziatike, disa shtete kanë krijuar një partneritet intensiv dekadën e fundit që kapërcen kufijtë gjeografikë dhe dallimet kulturore. Në rastin e Hungarisë dhe Serbisë, vizita e Presidentit Xi shërben për të thelluar lidhjet ekonomike dhe politike me dy vende që duket qartë që përputhen me interesat. Pjesëmarrja e Hungarisë në nismën “Një brez, një rrugë” dhe lidhjet historike të Serbisë me Kinën i bëjnë ata partnerë strategjikë për investimet dhe bashkëpunimin kinez. Nëpërmjet lidhjeve ekonomike, shkëmbimit teknologjik, diplomacisë kulturore dhe nismave të përbashkëta, Kina dhe këto dy vende kanë zhbllokuar një mori mundësish bashkëpunimi.
Një nga avantazhet kryesore të Kinës për vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore qëndron në projektet për zhvillimin e infrastrukturës. Nëpërmjet investimeve në rrugë, hekurudha, porte dhe rrjete të tjera transporti, këto vende kanë dëshmuar përmirësime në lidhjen e tyre si brenda ashtu edhe me pjesë të tjera të botës. Po të bëjmë një analizë totale ndër vite, janë miliarda të kanalizuara për projekte të ndryshme dhe që po vjelin frutet tashmë.
E para, dhe më e njohura, është ndërtimi i hekurudhës së shpejtësisë së lartë Beograd-Budapest, një projekt kyç që ka marrë investime të konsiderueshme nga Kina. Një segment i harruar i të famshmit Orient Express, tani po rigjallërohet me tekonologji dhe në shërbim të ndërlidhjes moderne. Gjatësia totale e hekurudhës është 341.7 km. Nevoja e rajonit për infrastrukturë dhe kohëra të shkurtra dorëzimi e bën këtë projekt avangard pasi mjafton të mendohet se segmenti hekurudhor Tiranë-Durrës, është vetëm 34.5 km dhe ka 8 vite që flitet, e nuk është përfunduar ende, dhe kuptohet sa e vështirë është të ndërtohet diçka në Ballkan.
Hekurudha ka një rëndësi të madhe për thellimin e bashkëpunimit në Evropën Qendrore dhe Lindore, si dhe për ndërtimin e një kalimi ndërkombëtar për tregtinë Kinë-BE. Me përfundimin e tërësisë së projektit deri në vitin 2026, koha e udhëtimit ndërmjet kryeqyteteve serbe dhe hungareze do të reduktohet nga më shumë se 8 orë në më pak se 3 orë. Por, nga kjo hekurudhë nuk përfitojnë vetëm këto dy vende, ky ështe vetëm segmenti i parë i një plani më të madh, pasi qëllimi i ardhshëm është që të bëhet lidhja me Portin e Pireut në Greqi, duke kaluar nga Maqedonia e Veriut. Gjithçka me standarte BE, nga gozhdët deri te sistemet elektronike të trenave, shprehet një inxhinier kinez.
Në qendër të këtij partneriteti qëndron një marrëdhënie e fortë ekonomike e ndërtuar mbi tregtinë dhe investimet reciproke. Hungaria shërben si një portë kyçe për investimet kineze në Evropën Qendrore dhe Lindore, ndërsa Kina i ofron Hungarisë akses në tregun e saj të madh dhe kapitalin e investimeve. Nga ana tjetër Serbia vetëm në dekadën e fundit ka mbi 60 projekte të përfunduara dhe rreth 16 në vazhdim brenda kornizës së “Një brez, një rrugë”. Gjatë Forumit të tretë të kësaj nisme në 2023, Kina dhe Serbia nënshkruan Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë, duke u fokusuar në eleminimin e tarifave për 90% të mallrave.
Gjatë 6-7 viteve të fundit Hungaria ka forcuar lidhjet e saj financiare me Kinën me synimin për t’u bërë një qendër financiare rajonale, përveçse një pikë takimi ekonomik midis Lindjes dhe Perëndimit. Vendi shpesh quhet nga analistët “shtëpia e bankave kineze” – duke përfshirë Bankën e Kinës (BoC), Bankën e Ndërtimit të Kinës (CCB) dhe Bankën e Zhvillimit të Kinës (CDB) në Hungari. CDB, e njohur për financimin e projekteve të infrastrukturës, mund të sigurojë financim për projektet në Hungari, ndërsa CCB është e pranishme në Budapest me një laborator fintech.
Tjetër çështje madhore ekonomike është ajo e pajisjeve me energji të reja (bateri, panele, makina elektrike) ku Beogradi dhe Budapesti kanë një agjendë të ndryshme nga Parisi. Në të vërtetë, kjo agjendë është shfaqur plotësisht në Hungari, ku kompanitë kineze po investojnë më shumë se 10 miliardë dollarë. Contemporary Amperex Technology Co. Ltd. po ndërton një fabrikë gjigante baterish prej 7.3 miliardë eurosh (7.8 miliardë dollarë) pranë qytetit lindor të Debrecen për të furnizuar prodhuesit gjermanë të makinave. Prodhuesi kinez i makinave elektrike BYD zgjodhi qytetin jugor të Szeged pranë kufirit me Serbinë për fabrikën e tij të parë në Evropë, ku projektohet se do të krijohen 8,000-9,000 vende pune. Dhe sipas raporteve në qytetin jugor hungarez të Pecs do të shpallen planet për një fabrikë të dytë, edhe më të madhe kineze të makinave elektrike në vend me investime nga Great Wall Motors.
Vizita e Ministrit të Jashtëm Peter Szijjarto në Kinë muajin e kaluar konfirmoi më tej vlefshmërinë e këtij raporti. Diplomati më i lartë i Hungarisë deklaroi se kishte 15.3 miliardë euro investime kineze që po zhvillohen aktualisht, duke krijuar potencialisht 25,000 vende të reja pune (për krahasim kjo shifër e investimeve kineze në Hungari është shumë afër Prodhimit të Brendshëm Bruto PBB të gjithë Shqipërisë në vitin e kaluar, afro 17 miliardë euro). Hungaria është bërë tani destinacioni kryesor evropian i investimeve të korporatave kineze, me një varg projektesh të reja.
Qasja e Kinës në rajon
Përtej ekonomisë, se si e sheh Kina pozicionimin e saj kundrejt rajonit duket qartë në një artikull i nënshkruar nga presidenti kinez Xi Jinping i titulluar “Nisja në një udhëtim të artë në marrëdhëniet Kinë-Hungari” u botua të mërkurën në gazetën hungareze Magyar Nemzet. Xi përcjell një mesazh miqësie të qëndrueshëm, respekt të ndërsjellë dhe aspirata të përbashkëta mes Kinës dhe Hungarisë. Nëpërmjet analizës së lidhjeve historike, kulturore dhe diplomatike, Xi përshkruan një pamje të gjallë të lidhjes së rrënjosur thellë që ekziston midis dy kombeve. Në thelb Xi thekson rëndësinë e vizitës shtetërore në Hungari dhe mundësinë që ajo ofron për të riafirmuar dhe forcuar marrëdhëniet e kahershme midis dy vendeve. Duke nxjerrë në pah bukurinë natyrore, pasurinë kulturore dhe rëndësinë historike të Hungarisë, paraqitet një tregim admirimi dhe vlerësimi për popullin hungarez dhe kontributin e tij në qytetërimin global.
Përgjatë shkrimit, Xi nënvizon qëndrueshmërinë dhe solidaritetin e demonstruar nga Kina dhe Hungaria në kohë fatkeqësish, si kriza globale financiare dhe pandemia COVID-19. Këto përvoja të përbashkëta shërbejnë si një dëshmi e forcës së miqësisë së tyre dhe e mbështetjes së palëkundur që i ofrojnë njëri-tjetrit në kohë nevoje. Nga angazhimi politik tek partneriteti ekonomik, Xi nxjerr në pah natyrën e shumanshme të marrëdhënies dhe rëndësinë e saj në skenën globale. Në veçanti, artikulli thekson rëndësinë e shkëmbimeve njerëzore dhe diplomacisë kulturore në forcimin e lidhjeve midis Kinës dhe Hungarisë. Duke promovuar mësimin e gjuhës, shkëmbimet arsimore, iniciativat kulturore dhe duke parë nga e ardhmja, shprehet optimizëm dhe entuziazëm për mundësitë që i presin. Duke punuar së bashku për të rritur besimin politik, për të zgjeruar bashkëpunimin ekonomik dhe për të adresuar sfidat globale, Xi parashikon një të ardhme me prosperitet të përbashkët dhe përfitim reciprok si për Kinën ashtu edhe për Hungarinë.
Nëpërmjet dialogut, bashkëpunimit dhe respektit të ndërsjellë, Kina dhe Hungaria mund të vazhdojnë të ndërtojnë mbi historinë e tyre të pasur të partneritetit dhe miqësisë, duke hapur rrugën për një të ardhme më të ndritshme për brezat që do të vijnë.
Politika dhe rajoni
“Vizita e Xi është padyshim një gjest, një shenjë mirënjohjeje për Hungarinë dhe Serbinë,” shkruan Gergely Salat, një studiues në Institutin Hungarez të Marrëdhënieve Ndërkombëtare. Me vargun e investimeve të reja, veçanërisht të shoqëruara me perspektivën e kredive të lira kineze, qeveria në Budapest mirëpret me padurim numrin një të politikëbërjes kineze. Kjo do të jetë vizita e parë e një presidenti kinez në Hungari në 20 vjet. Hungaria ka qenë gati të mbrojë interesat e saj në nivelin politik për gati një dekadë, duke e bërë Budapestin një objektiv tërheqës për përpjekjet diplomatike Kineze.
Për Orban-in, lidhjet me Kinën janë pjesë e strategjisë së tij të “hapjes lindore” për forcimin e lidhjeve me sa më shumë partnerë. Hungaria gjithashtu u jep investitorëve kinezë akses në bllokun më të madh tregtar në botë. “Shumë flasin për shkëputjen dhe heqjen e rrezikut këto ditë, që do të thotë izolim i ekonomisë së Evropës nga ajo e Kinës”, tha Orban në Pekin në tetorin e vitit të kaluar “Hungaria, e refuzon atë politikë.” Mbërritja e presidentit kinez Xi Jinping në Budapest me një delegacion prej rreth 400 vetësh vjen në 75-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve dhe bën të jetë një moment historik në marrëdhëniet e të dy vendeve me implikime të rëndësishme globale.
Hungaria u bë vendi i parë evropian që krijoi një grup pune me Kinën nën kuadrin e “Një brez, një rrugë” në 2015. Në vitin 2017 të dy palët krijuan një partneritet strategjik gjithëpërfshirës. Gjatë pesë viteve të fundit, investimet kineze në Hungari kanë përjetuar rritje të qëndrueshme, me Kinën që tani qëndron si investitori më i madh i huaj direkt në vend.
Hungaria do të marrë presidencën e radhës të BE-së në korrik, e cila shërben si një mjet për të shfaqur pozicionin e saj politik ndaj vendeve të tjera anëtare. Pekini pret që Hungaria të ndjekë një politikë racionale dhe pragmatike ndaj Kinës gjatë asaj periudhe dhe të inkurajojë vendet e tjera anëtare të BE-së të bëjnë të njëjtën gjë.
Së fundmi, Kina është shfaqur si një forcë transformuese, veçanërisht për vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore. Këto kombe, të vendosura në udhëkryqin e Evropës dhe Azisë, kanë përjetuar përfitime të rëndësishme socio-ekonomike nga bashkëpunimi i tyre me Kinën. Është shumë e thjeshtë të anatemohet një projekt, e vështirë është të ndërtohet e të përfundohet gjithçka me përfitime për të gjitha palët e përfshira. Miliarda janë injektuar në rajon nga Kina, dhe kush ka dashur dhe ka ditur të përfitojë, ka përfituar, pa komplekse, pa pengesa, pa dogmatizma. Zakonisht shkohet atje ku je i mirëpritur, çfarë po demonstrohet me këtë vizitë ështe se vendet që punojnë me Kinën në fund të fundit, përfitojnë.
© 2024 Argumentum