Dr. Ylber Marku
Para disa ditësh në një media të rëndësishme në Shqipëri shkruhej se “Kina po blen Mesdheun”, duke ju referuar investimeve kineze në porte si ai i Pireut në Greqi dhe i Barcelonës në Spanjë. Me nota dramatike duke aluduar se Kina pothuajse ka sjellë ushtrinë e saj në brigjet e Mesdheut, të jepej përshtypja se artikulli i hidhte akoma më shumë benzinë zjarrit kundërshtues ndaj inciativave të Kinës nëpër Europe. Në fakt prezenca investuese kineze ka marrë përmasa gjithnjë e më të mëdha në vitet e fundit, por kjo prezencë i korrespondon ngritjes së Kinës si fuqi e madhe ekonomike në botë, rrjedhimisht edhe fuqi në rritje e Investimeve të Huaja Direkte (IHD).
Zëra të tillë kritikë ndaj Pekinit janë në rritje në rrethe të caktuara në Europë dhe nuk ngurrojnë t’a përcjellin çdo gjë që vjen nga Kina me nota negative, dhe shpesh paragjykuese. Së fundmi, vihet re se qëndrime të tilla në rrethet mediatike po ngrihen edhe ndaj marrëveshjes për investime mes Kinës dhe Bashkimit Europian (Comprehensive Agreement on Investments – CAI), e cila ka rreth 7 vjet që po negociohet dhe diskutohet. Nga sa lexohet në media, thuhet se janë arritur shumë pika kompromisi dhe se pozicionet e palëve janë afruar ndjeshëm duke rritur shanset që kjo marrëveshje të përfundojë sa më parë. Nga ana tjetër Kina ka ndërmarrë disa hapa legjislativë që Bashkimi Europian i quante të detyrueshëm, si p.sh. një mbrojtje më e mirë e të drejtës së autorit Kina gjithashtu ka hapur ndaj investimeve të huaja një numër sektorësh të rëndësishëm të ekonomisë së saj, të cilat vetë pak kohë më parë ishin të paaksesueshme nga kompani të huaja. Nga ana tjetër Kinës i është kërkuar edhe të ulë ndjeshëm subvencionet shtetërore për kompanitë e veta publike në favor të sektorit privat. Kjo me një kosto në terma afat shkurtra tepër të madhe për shkak të pasojave sociale që mbyllja e shumë kompanive do të shkaktonte. Megjithatë, edhe në këtë fushë Kina ka bërë hapa para duke u munduar të arrijë një farë balance mes nevojave të sektorit privat dhe pozicionit të shtetit në ekonomi.
Gjate vitit 2020 kanë dalë në skenë një seri zërash kritikues ndaj çdo prezence të Kinës, ndaj çdo marrëveshje me të dhe që shtyjnë për ti kushtëzuar këto marrëveshje ekonomike me çështje si respektimi i të drejtave të njeriut, të drejtave të punëtorëve, dhe çështje të tilla që në dukje janë shumë parimore. Dhe këtu është edhe pjesa më interesante që ka të bëjë me moralin “selektiv” të disave qarqeve të caktuara në botën perëndimore.
Disa vite më parë, një numër kompanish të mëdha europiane të udhëhequra nga një korporatë italiane (një vend pa naftë që paradoksalisht ka një nga korporatat më të fuqishme të hidrokarbureve në botë) në fushën e kërkimit të naftës në deltën e Nixherit, shkaktuan ndotjen e nëntokës se Deltës së Nixherit, që është sa dy herë e gjysmë sipërfaqja e gjithë Shqipërisë, me pasojë humbjen e habitatit dhe varfërimin e skajshëm të miliona banorëve të cilët u detyruan të migrojnë brenda dhe jashtë vendit të tyre pasi nuk mund të merreshin me bujqësi e blegtori, sikurse ishin marrë për shekuj me radhë para se të vinin europianët. Kjo shkaktoi edhe një kryengritje dhe konflikt të armatosur të popullsisë lokale që u ngrit kundër kompanive perëndimore. Si është e mundur që për investime të tilla europiane, askush nuk e vrau mendjen ti kërkonte qeverisë se Nixherisë të forconte legjislacionin në fushën e të drejtave të njeriut, apo ambientale? – dhe pse për pasojë edhe mund t’i përzinte këto kompani. Përkundrazi, edhe pse hapur po shkeleshin të gjitha të drejtat e banorëve lokalë nga këto kompani europiane, askush në udhëheqjen politike të asnjë vendi europian nuk e ngriti zërin për mbrojtjen e tyre. Por edhe në rrethet mediatike fare pak, ose aspak, u fol për ktë çështje. Madje Europa mbështeti qeverinë lokale atje e cila ndërmori një fushatë ushtarake për të shtypur qytetarët e vendit të vet. Por vazhdojmë më tej. A nuk i kanë shkelur të drejtat e njeriut ditën për diell shumë kompani europiane të cilat në mënyrën më flagrante kanë përdorur për dekada me radhë fëmijë deri edhe të moshës 6 vjeç për të nxjerrë diamante dhe metale të tjera të çmuara nga nëntoka e Republikës Demokratike të Kongos, por edhe të shumë vendeve të tjera aty rreth? A nuk ka nënshkruar Bashkimi Europian, apo vendet anëtare të tij, një mal me marrëveshje me të gjithë vendet e Lindjes së Mesme ku ditë për ditë haptazi ndodhin një lumë me abuzime? Për mos të folur pastaj për marrëveshjet me vendet e Afrikës së Veriut, Libia në krye, ku mijëra emigrantë (shumë nga të cilët ikin pikërisht nga ato vende si Nixheria ku kompanitë europiane i kanë shteruar burimet ekonomike të tyre), mbahen në kushte të tmerrshme. Kjo nuk është legjendë, por fakt i provuar edhe nga misionet e Kombeve të Bashkuara që kanë nxjerrë edhe raporte të detajuara. Po për marrëveshjet për prodhimin dhe furnizimin me armatime të shumë vendeve diktatoriale ku të drejtat e njeriut shkelen ditën për diell dhe pa asnjë vrajse të “ndërgjegjes kolektive”? Lista është e gjatë me raste të pafundme. Pra në një plan më të gjerë, kur vjen puna tek çështjet e interesave të saj strategjike Europa historikisht ka parë anën e përfitimit të pastër ekonomik për kompanitë e saj, dhe nuk ka lejuar që parimet humanitare të diktojnë interesat ekonomike të saj. Kjo ka ndodhur historikisht, dhe të jemi të qartë, ndodh edhe sot në shekullin e 21-të.
Thuhet se nga Europa vijnë parime si liria e fjalës dhe të drejtat e njeriut, pa dyshim, Europa i ka dhënë shumë njerëzimit. Sigurisht këto janë arritje të rëndësishme për shtetasit e Europës, të cilat janë edhe parime themeluese në kushtetutat e këtyre vendeve. Nuk ka dyshim se asnjë zonë tjetër gjeografike në botë nuk ka arritur një shkallë kaq të lartë të lirisë personale dhe të drejtave të njeriut sikurse në Europë. Sikurse është fakt se Europa, pas Luftës së Dytë Botërore, ka arritur nivelin më të lartë të civilizimit në fushën e të drejtave të punëtorëve në territorin e vet. Por kur bëhet fjalë për t’i eksportuar këto parime kaq fisnike, le të mos tregojmë legjenda superioriteti moral por të themi të vërtetën ashtu siç është, që do të thotë se perëndimit në përgjithësi, i intereson të eksportojë sa më shumë treg dhe influencë, jo të drejta. Në këtë optikë, çështje të tilla kur ngrihen me Kinën të bëjnë të dyshosh se pas tyre është një qëndrim instrumentalist dhe i qëllimshëm që nuk ka për zemër të drejtat e njeriut në Kinë, por ankthin praktik perëndimor nga fuqia ekonomike e saj e cila perceptohet si rivale direkte për fuqinë e botës Euro-Atlantike në përgjithësi. /CRI