REALPOLITIK FLASH NR. 75
17 – 31 GUSHT 2023
Mbi 4 ngjarjet kryesore diplomatike, shkurt dhe shqip, me vetëm 1.000 fjalë nga analisti i njohur, Mjeshtër i madh
Dr. JORGJI KOTE
1.« Prishet dasma për një kokërr limon»! Ky aforizëm i shkon shumë vizitës disa ditore private për pushime të Kryeministres italiane Meloni në Vlorë më 15 – 19 Gusht. Diçka normale për një shefe qeverie në të nxehtin afrikan të gushtit.
Gjithçka po ecte « sahat » derisa vizitën e « vodhi » ikja e 4 turistëve italianë pa paguar nga një restaurant në Berat. Ajo që Kryeministri Rama tregon në disa intervista dhe për RAI-n si shaka, u kthye në furtunë mediatike dhe politike në Itali për 80 Euro, të cilat Meloni sqaroi se i pagoi nga xhepi i vet. Megjithatë, debatet dhe kritikat vazhduan, me logjikën se kryeministrja e një vendi nuk ka pse të shlyejë paudhësitë e shtetasve të saj.
Përfundimisht, në vend të flitej mbi atraksionet turistike që Meloni shijoi apo dhe për ndonjë temë që bisedoi me homologun e vet shqiptar, përmbajtja dhe imazhi i asaj vizite të rrallë u katandis te 80 Eurot e paguara nga Meloni, ose më shqip « u prish dasma për një kokërr limoni»
2.Darka e munguar! E tillë ishte për Kryeministrin Rama Darka informale që homologu i tij grek Mitsotakis shtroi në Athinë më 21 Gusht për 11 liderët e rajonit, Presidentin Zelenski si mysafiri surprizë dhe dy presidentët e BE-së, von der Leyen dhe Charles Michel. Ishte takim simbolik me rastin e 20 Vjetorit të Deklaratës së Samitit të BE-së të Selanikut, ku u shpreh vendosmëria dhe vizioni për zgjerimin e saj me të gjitha vendet e Europës Qëndrore dhe Lindore. Një rast i volitshëm për Greqinë për të rikonfirmuar mbas fitores plebishitare së Mitsotakis në zgjedhjet më të fundit parlamentare mbështetjen e saj për anëtarësimin e 6 vendeve të Ballkanit Perendimor në BE. Pozitive ishte prania e Kryeministrit Albin Kurti dhe takimi i tij i ngrohtë me Mitsotakisin, von der Leyen e të tjerë. Gjithsesi, lajmi aty ishte mosprania e Kryeministrit Rama për arsye të njohura tashmë. Sa e dhimbshme kur mendon se vetëm 3 muaj më parë Mitsotakis dhe Rama ishin bashkë në Himarë e në Derviçan, madje Rama premtoi t’i ngrinte bustin babait të homologut grek. Ndërsa tani, në kërr të vapës, midis tyre ka terr, akull dhe kallkan, më keq se me Erdogan! Dështim tjetër spektakular i tezës gjeopolitike riliandase « zero probleme me fqinjët »
Goditje tjetër e fortë për Kryeministrin Rama pas dy shuplakave të Kurtit në Prishtinë dhe në Tiranë! Hera e parë që vendi ynë dhe Rama nuk përfaqësohen në një veprimtari të tillë vërtet simbolike, por tejet domethënëse që lidhet ngushtë me anëtarësimin tonë në BE, sidomos tani që jemi në etapën e skanimit, në pritje për fillimin e vërtetë të negociatave dhe të përfitimit të fondeve përkatëse, të cilat vihen në dyshim. Refuzimi i ftesës për Kryeministrin Rama është ogur i keq në këtë drejtim. Strategjia e zgjerimit të BE-së e vitit 2020 i le fushë të lirë veprimi çdo vendi anëtar të BE-së, pra dhe Greqisë, ca më tepër si vend fqinj të thotë « ndal » Tani, sado gabim të jetë Greqia për Çështjen « Beleri » problemi është se pala jonë nuk mund të justifikojë këmbënguljen « kokëmushke » për të mbajtur në paraburgim mbi 3 muaj një kryetar bashkie të zgjedhur dhe të certifikuar, pa e lenë të betohet. Ai fare mirë mund të lihej në gjendje të lirë ose dhe në arrest shtëpie, por jo në paraburgim, sikur të ishte kriminel ordiner. Ca më tepër që akuzat e rënda të Ramës ndaj tij, siç e pranoi dhe vetë te Ekathimerini, vetëm dy ditë përpara arrestimit lenë vend për dyshime mbi natyrën politike të arrestimit të tij. Për pasojë, nuk respektohet parimi i shenjtë i shtetit të së drejtës mbi procesin e rregullt ligjor, ai i prezumimit të pafajësisë. Gjithsesi, kemi kohë për ta korrigjuar këtë gabim, ndryshe, të mos shpresojmë negociata dhe përshpejtim të anëtarësimit. Ca më tepër që ne mbetemi siç është shprehur vetë Rama lipsarë, ndërsa Greqia, duam, s’duam është shumë përpara nesh në çdo drejtim.
3. Sfidë dhe sfinks për Perëndimin! Kështu pritet të jetë grupimi BRICS ( Brazil, Rusi, Indi, Kinë dhe Afrika e Jugut) që zhvilloi Samitin e 15 në Johanesburg, Afrika e Jugut me praninë dhe të 50 liderve të tjerë të botës më 22 – 24 Gusht. Deri tani ai ka 40 për qind të popullsisë botërore dhe jep 31 për qind të GDP-së, më shumë se G-7, duke përbërë kërcënim, sfidë dhe sfinks të vërtetë për Perëndimin. Kjo mbasi BRICS pritet t’i kundërvihet supremacisë perendimore, dollarit amerikan, politikisht ka shpallur se do të jetë i paangazhuar, por praktikiht anon nga Kina dhe Rusia, me synimin për të krijuar një pol tjetër të madh botëror. Dihet se Brazili dhe India janë vende demokratike, por gjithsesi ato përpiqen të jenë të pavarura dhe të pandikuara nga fuqitë perendimore. Ndërkohë, pranimi si fillim i 6 vendeve të tjera të mëdha e bën dhe më real këtë rrezik. Megjithatë, vështirë që ky grupim të rrezikojnë hë për hë Perëndimin, sepse vetëm ekonomia ku ato shquhen nuk mjafton. Veç kësaj, BRICS nuk ka asnjë strukturë drejtuese si BE dhe NATO, vendet e tij janë në konflikt me njeri tjetrin, me alternativa të ndryshme politike, por që nuk e konkurojnë dot sistemin e sotëm ndërkombëtar ; për pasojë tejet e vështirë që ato të kthehen në një grupim homogjen si G – 7. Gjithsesi me mbi 20 shtete të tjera që duan të anëtarësohen atje, BRICKS e sfidon seriozisht aleancën perendimore.
4. Teatri veror në Bled ! Kështu janë kthyer në fakt forumet verore të Ballkanit Perendimor në pikat më të bukura turistike dhe historike. Shfaqje teatrale, ku gjithkush mundohet të shfaqë më të bukurën e repertorit të vet në të nxehtin afrikan. Çdo verë bëhen 10 forume të tilla ; rezultati, pothuajse asgjë, madje shtohen fërkimet dhe grindjet ku tanimë nuk ka ngelur kryeqytet në Ballkanin Perendimor pa u përfshirë: Shkup – Sofie, Prishtinë – Beograd, Tiranë – Prishtinë, Beograd – Podgoricë, Tiranë – Athinë! Për pasojë, në pamundësi për të ndryshuar diçka me fjalime, në Liqenin e bukur në Bled « suksesi » më i madh ishte shtrëngimi i duarve Kurti – Rama, dy muaj pas « embargos » diplomatike të Kurtit. Bashkë me shakatë « strategjike » të Kryeministrit tonë. Shpresojmë që Bledi të jetë fundi i teatrit veror ballkanik 2023.
© 2023 Argumentum