Dhjetëra qytetarë kanë protestuar kundër themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Me parullën “Në emër të popullit shqiptar kundër asociacionit me shumicë serbe” dhe me fotografi të disa prej masakrave në Kosovë, qytetarët marshuan nga sheshi “Zahir Pajaziti” deri afër Qeverisë së Kosovës për të kërkuar kundërshtimin e formimit të Asociacionit.
Fazli Haziri nga Fushë Kosova tha se ka dalë në protestë ngase Kosovës po i përgatitet një kurth tash e një kohë të gjatë me Asociacionin.
Ai tha se populli shqiptar e ka një emancipim politik dhe përvojë historike dhe e di se Asociacioni në fazën e parë mund të jetë asociacion me kompetenca jo të forta, por do të bëhet pikënisje për ndarjen e Kosovës.
“Shembulli i Bosnjë dhe Hercegovinës flet më së miri. Atje filloi me katër komuna dhe e dimë si është gjendja atje sot, është bërë një shtet jofunksional. Kosova është shumë e vogël që të ndahet, tepër e vogël, prandaj kundërshtojmë dhe le ta dijë opinioni dhe politikëbërësit ndërkombëtarë se ne kurrë nuk do të pajtohemi me asociacion në baza etnike”, theksoi Haziri.
Protestuesi Zenel Hulaj i cili jeton në Mynih të Gjermanisë, por, që në Prishitnë ka ardhur nga Prizreni për të protestuar, tha se ka ardhur në këtë protestë për ta mbrojtur shtetin e Kosovës.
“Kam ardhur ta mbroj Kosovën. Në luft”e nuk kam pasur mundësi të vij, por, edhe kjo luftë është. Është luftë kundër Serbisë e cila i mashtroi disa amaterë më parë. Tani kam ardhur këtu për të luftuar, sepse edhe kjo luftë është, ta mbroj Kosovën të mos themelohet asociacioni sepse pastaj këtu do të vijë edhe ushtria serbe dhe policia serbe dhe pasaporta do të bëjnë këtu në vendin tonë”, theksoi Hulaj.
Marrëveshja për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë është nënshkruar në vitin 2013 në Bruksel nga pala kosovare dhe ajo serbe me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, por nuk është zbatuar deri më tani.
Pala ndërkombëtare, përfshirë përfaqësues nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë intensifikuar vizitat në Kosovë dhe kërkesën ndaj krerëve të institucioneve kosovare themelimin e Asociacionit si një nga kushtet për të arritur deri tek një marrëveshje finale Kosovë-Serbi. Kryeministri kosovar Albin Kurti deri më tash e ka refuzuar këtë ide duke thënë se Kosova nuk mund të formojë “asociacion njëetnik” brenda territorit të saj, ngjashëm sikurse ai i “Republika Sërpska” në Bosnjë e Hercegovinë.