Vendimi i autoriteteve të Kosovës për të zbatuar masa reciprociteti ndaj automjeteve me targa të Serbisë, që hyjnë në Kosovë, ka nxitur protesta të banorëve serbë në veri të Kosovës dhe reagime të ashpra të Beogradit zyrtar.
Përfaqësues të Serbisë thonë se Kosova, me këtë veprim, ka shkelur dispozita të Marrëveshjes së Brukselit, të cilën dy vendet e kanë arritur me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Në Prishtinë thonë se janë duke vepruar në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit.
Çfarë thotë Marrëveshja e Brukselit për targat e Kosovës?
Marrëveshja për lirinë e lëvizjes midis Kosovës dhe Serbisë është arritur në vitin 2011 në Bruksel.
Me këtë dokument, targat serbe me shenjat e qyteteve të Kosovës, si PR (Prishtinë), GL (Gjilan) KM (Mitrovicë), janë hequr. Domethënë, automjetet me targa të tilla është dashur të regjistrohen sërish me RKS (Republika e Kosovës) ose me status neutral – KS (Kosovë).
“Të gjithë pronarët e makinave me vendbanim në Kosovë do të përdorin targa RKS ose KS. Ato do të lëshohen nga autoritetet përgjegjëse në Kosovë”, thuhet në pikën 7 të Marrëveshjes për lirinë e lëvizjes.
Por, pavarësisht saj, në katër komuna në veri të Kosovës, ku shumica e popullsisë është serbe, qytetarët kanë vozitur makina me targa të qyteteve në Kosovë, të lëshuara nga Ministria e Brendshme e Serbisë.
Në anën tjetër, qytetarët e Kosovës nuk kanë mundur të hyjnë në territorin e Serbisë me targa RKS, pa shpenzime. Ata është dashur t’i zëvendësojnë ato me targa të përkohshme. Kështu që, me marrëveshje, Kosova është detyruar që edhe për pesë vjet të tjerë të lëshojë targa KS, të cilat Serbia i ka pranuar.
Marrëveshja teknike për lirinë e lëvizjes, e vitit 2011, është finalizuar në Bruksel më 14 shtator, 2016, kur Kosova ka rënë dakord që të zgjasë vlefshmërinë e targave KS edhe për pesë vjet./REL