Nga Ardit Gjinali
Liria mbetet në thelb të secilit bashkëpunim rajonal dhe nuk mund të ketë të tillë të shëndetshëm dhe afatgjatë nëse mungojnë aspektet e së njëjtës. “Proçesi i Berlinit” shënon një vazhdim të ri që inkurajon entuziazmin mbi rrugën integruese Europiane të Rajonit të Ballkanit Perëndimor….konfirmon qartësisht dhe pa ekuivok rrugën e pandryshuar euro-Integruese të Rajonit.
“ Proçesi i Berlinit” garanton pjesëmarrjen e plotë dhe të barabartë të secilit prej shteteve të rajonit, të barabartë në përfaqësim dhe në simbole kombëtare dhe shtetërore, gjjthashtu…..i njëjti garanton një kontribut në bazë të meritës ku projektet e përfituara mbeten si rezultat i efektivitetit dhe vizionit të secilit aktor qeverisës….retorika boshe pluhuroset dhe veprimi pro-aktiv në funksion të interesit kombëtar pozitiv shndërrohet në prioritet.
“Proçesi i Berlinit” ka në thelb lirinë dhe tre marrëveshjet e firmosura përkatësisht “marrëveshje që parashikojnë lëvizjen e lirë me karta identiteti, njohjen e diplomave universitare dhe njohjen e kualifikimeve për tre profesione: mjekët, dentistët dhe arkitektët” janë dëshmia më e qartë e jetësimit të pjesshëm të kritereve të Kopenhagenit dhe lirive, ku lëvizja e lirë e njerëzve mbetet “liria e të gjithë “lirive”.
Zhvillimet e reja gjeopolitike thërrasin në angazhim politik të gjitha shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor….angazhim politik në funksion të përmbushjes së axhendës Euro-Integruese ku vemendja asnjehere e munguar e Gjermanise dhe Bashkimit Europian shtohet….vemendje e shtuar ne sinkron te plote me aleancen me SHBA dhe Britanine e Madhe, gjithashtu.
“Procesi i Berlinit” eshte nje proçes i pranuar që gëzon konsensusin e plotë kombëtar dhe politik në secilin prej shteteve pjesëmarrëse, i njëjti arkivon perpjekjen e deshtuar te nismës së “Ballkanit të Hapur” ….një mbivendosje e padobishme ndaj Procesit të Berlinit ku fshehja dhe largimi nga përmbushja e angazhimeve Euro-Integruese mbetej thelbi i padukshëm i liderëve politikë apo shteteve të pandryshueshëm në mendësi apo veprim. “Ballkani i Hapur” nuk ishte nje proçes lirie….një nismë e ideuar dhe përkrahur nga dy liderë politikë me tendenca të qarta autokratike….përfaqësues të dy shteteve ku e drejta cënohet, barazia përpara ligjit relativizohet, ndryshimi politik përmes zgjedhjeve pengohet, vullneti qytetar tjetërsohet, liria e medias kufizohet dhe ekonomia kapet për të mos lëshuar frymëmarrjen normale të shoqërive përkatëse, përkatësisht në Shqipëri dhe Serbi, gjithashtu.
“Ballkani i Hapur” mbeti një koncert i palavdishëm autokracie politike ku thirrej në apel ekomomia duke u harruar liria në secilin dimension të saj….nuk mund të ketë një bashkëpunim efektiv ekonomik mes shteteve që vijojnë të enden drejt standarteve të përmbushura pjesshëm, shteteve ku fuqia institucionale vegohet nga forca e ushtrimit të korrupsionit…..Ballkani i Hapur mbeti i hapur në gërma , por i mbyllur në mendësi….i cunguar në përbërjen e shteteve pjesëmarrëse….me konsensus politik dhe kombëtar të munguar në shtetet pjesëmarrëse, gjithashtu.
“Ballkani i Hapur” mbeti një nismë personale politike e dy liderëve RAMA-VUCIC, një inisiativë e paplotë në formë dhe bosh në përmbajtje…..një nismë me tipare shantazhi ndaj Bashkimit Europian ku kinse “ngadalësia e Brukselit” mbetej justifikimi mbi qëllimet djallëzore të ftesave ndaj aktorëve të tretë….nisma po përdorej si një tentativë për të ndryshuar apo relativizuar prioritetin kombëtar të Integrimit Europian ku kërkohen standartet e përmbushura, të tillat që janë kundëtrupi ndaj virusit të autokracisë.
“Ballkani i Hapur” mbeti një projekt i palavdishëm me qëllime politikisht të paramenduara hegjemonike ku partneriteti dhe pariteti mbetën fjalë të padobishme teorike që nuk mbulonin dot tendencat e vazhdueshme diskriminuese të Serbisë ndaj qytetarëve të Preshevë-Medvegjë-Bujanovc apo sjelljes tërësisht refraktare ndaj Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare apo në zhvillimet rajonale, gjithashtu. Ky projekt nuk arkivonte tendencat imperialiste të së shkuarës, por i mvishte me petkun e gënjeshtërt të ekonomisë , e tilla e përdorur si pararendje për të diktuar politikën rajonale.
“Ballkani i Hapur” ….përtej kontekstit gjeografik dhe pasaktësisë së përcaktimit të nocionit në vetvete, mbeti një ide pozitive që u rrek të jetësohej nga aktorë politikë të gabuar në një rajon të trazuar nga hijet e së shkuarës ku paqëndrueshmëria e vendimeve politike të aktorëve të veçantë si Serbia, neutraliteti i saj i gënjeshtërt karshi aleancës atlantike, aleanca e saj me boshtin Moskë-Pekin apo dhe aktorë të tretë globalë të diskutueshëm në raportet e tyre karshi aleancës perëndimore e dëmtuan nismën që në krye të herës.
Vendi i Rajonit të Ballkanit të Perëndimor mbetet në aleancën Euro-Atlantike dhe rithirrja e përmbushjes së angazhimeve mbetet trokitja e duhur në dyert e disa qeverive problematike në rajon përfshire dhe atë Shqiptare. Vëmendja Europiane është për qytetarët e secilit prej këtyre vendeve, një shpërblim për qasjen dhe mbështetjen ndaj proçeseve euro-atlantike, por mbetet një thirrje ndaj qeverive për të rimarrë angazhimet e harruara në analet dhe shtigjet e palavdishme të Ballkanit të Hapur. Ndryshimi në rajonin e Ballkanit Perëndimor vijon përmes konsolidimit të rrugës Euro-Integruese dhe Proçesi i Berlinit mbetet instrumenti që inkurajon jetësimin përmes hapjes së Ballkanit drejt lirisë.
/Argumentum.al