Të martën mblidhen virtualisht ministrat e jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndirmor dhe disa vendeve të BE-së për të biseduar për ecurinë e mëtejshme të procesit të Berlinit
Nën drejtimin e ministrit të jashtëm të Gjermanisë, Heiko Maas, zhvillohet të martën, 8.6. konferenca e ministrave te jashtëm të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të Procesit të Berlinit. Këtë e bëri të ditur të hënën në Berlin, zëvendëszëdhënësja e ministrisë së punëve të jashtme të Gjermanisë, Andrea Sasse. Konferenca ka për qëllim të parapërgatisë samitin e ardhshëm të krerëve të qeverive, i cili do të zhvillohet nën drejtimin e kancelares Angela Merkel në fillim të korrikut.
Sipas Sasses, veç ministrave të jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor, aty marrrin pjesë edhe ministrat e jashtëm të disa vendeve anëtare të BE-së, si edhe Komisioneri i Zgjerimit, Olivér Várhelyi, dhe Sekretari i Përgjithshëm i Shërbimit të Veprimit të Jashtëm Evropian, Stefano Sannino.
Paradhomë e Evropës
Procesi i Berlinit është një nismë e kancelares gjermane, Angela Merkel, e krijuar në vitin 2014. Ai ka si synim përmirërimsin e bashkëpunimit rajonal ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor për të mbështetur kështu procesin e anëtarësimit në BE të gjashtë vendeve: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Bosnjë-Hercegovinë, Mali i Zi dhe Serbi.
Procesi konsiderohet edhe si “paradhomë e BE-së”. Pas Gjermanisë, si nismëtare, organizatorë të samitit kanë qenë deri tani Austria, Franca, Britania e Madhe, Italia, Polonia dhe Bullgari/Maqedonia. Një nga arritjet e deritanishme të prorcesit të Berlinit është miratimi i planit për tregune përbashkët rajonal dhe afrimi i të rinjve nëpërmjet rrjetit RYCO (Regional Youth Cooperation Office). Megjithatë konfliktet e pazgjidhura ndërmjet shteteve në rajon kanë qenë pengesë e vazhdueshme për funksionimin si duhet të nismave të dala nga Procesi i Berlinit.