Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ilir Proda priti në takim ambasadorin e Turqisë Tayyar Kağan Atay.
Gjatë takimit, drejtori i Përgjithshëm dhe ambasadori vlerësuan rezultatet e bashkëpunimit historik të Policisë së Shtetit me agjencitë ligjzbatuese të Republikës së Turqisë dhe me ambasadën e Turqisë në Tiranë, si dhe shprehën gatishmërinë për forcimin e bashkëpunimit, me qëllim goditjen e veprimtarive kriminale dhe kapjen e shtetasve në kërkim.
Proda shprehu falënderim, në veçanti, për bashkëpunimin me homologët turq për kapjen në Turqi, të shtetasit të shumëkërkuar Dritan Rexhepi, dhe ekstradimin e tij në Shqipëri.
“Bashkëpunimi mes Policisë së Shtetit dhe agjencive ligjzbatuese të Republikës së Turqisë ka një bazë solide, sepse mbështetet në marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve. Falënderoj Policinë e Turqisë, për kontributin e vlefshëm që ka dhënë për Policinë e Shtetit, si në aspektin logjistik, ashtu edhe në atë të trajnimeve të punonjësve të Policisë shqiptare”, u shpreh Proda.
“Policia e Shtetit është e hapur për zgjerimin e bashkëpunimit, për të krijuar ekipe të përbashkëta hetimore, duke shkëmbyer informacione dhe zhvilluar operacione të përbashkëta, si dhe për të zhvilluar vizita në të dyja vendet, për shkëmbimin e eksperiencave”, tha drejtori i Përgjithshëm.
Ambasadori i Turqisë në Shqipëri, Tayyar Kağan Atay ka vlerësuar gjithashtu bashkëpunimin mes agjencive ligjzbatuese të Republikës së Turqisë dhe Policisë së Shtetit shqiptar dhe garantoi Prodën se ambasada e Turqisë në Tiranë është e angazhuar maksimalisht për forcimin e këtij bashkëpunimi dhe për ofrimin e mundësive të reja për punonjësit e Policisë shqiptare, nga Policia turke.
/Argumentum.al