Zëdhënsja e PD-së Floriana Garo ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po shtetëzon prodhimin e pasaportave biometrike de kartave të identitetit.
Në deklaratën e saj nga selia blu, Garo theksoi se ‘shtetëzimi nga Edi Rama dhe Bledi Çuçi i prodhimit të pasaportave biometrike dhe kartave të identitetit, është hapi i radhës në shndërrimin e kapitalizmit të ri shqiptar në një korporatë shtetërore komuniste’.
DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, ZËDHËNËSJA FLORIANA GARO
Shtetëzimi nga Edi Rama dhe Bledi Çuçi i prodhimit të pasaportave biometrike dhe kartave të identitetit, është hapi i radhës në shndërrimin e kapitalizmit të ri shqiptar në një korporatë shtetërore komuniste.
T’ua marrësh francezëve dhe t’ia japësh vartësve të Çucit është si “Teslën” e Elon Musk ta prodhodh në një baxho djathi në Surrel.
Por, në qeverinë e Ramës kjo nuk është risi: e mbani mend besoj ditën kur një shitësi qoftesh iu dha tenderi i sterilizimeve?!
Për kujtesë të publikut, kompania franceze Aleat, që prodhon prej 16 vjetësh pasaporta dhe leternjoftime për shqiptarët, është kooperacioni i “qeverisë Berisha” që bëri të mundur legalizimin e vizave për shqiptarët.
Sipas informacioneve tona francezët, bazuar edhe në kreditet e mira, kanë ngulmuar për ripërtëritjen e kontratës, por siç e dini, Rama preferon oligarkët dhe patronazhistët, me të cilët ka se çfarë të ndajë.
Kalimi i këtij shërbimi në varësi të administratës së Ramës, pikërisht në kohën kur ajo ka pikët më të ulëta në publik, pas skandaleve të njëpasnjëshme dhe sidomos pas dështimit spektakolar me e-Albanian dhe gjithë strukturën e sigurisë kibernetike, është një alarm i kuq për Shqipërinë dhe Europën.
Nuk është rastësi që flitet për pasaporta të arta, për amnisti fiskale, që ka ndërhyrje në sistemin TIMS – të cilat u faturohen iranianëve – që të dhënat e shqiptarëve qarkullojnë si të ishin numra llotarie në gazetën e fundjavës.
ASPAK.
Për të kurorëzuar kapjen korruptive të sistemit në cdo anë, Rama dhe Cuci, Edi dhe Bledi, që për partinë e shesin Shqipërinë, kanë menduar të fusin në dorë edhe hallkën e fundit të sigurisë, pasaportat biometrike dhe kartat e identitetit.
Ti varësh ujkut mëlçitë e qingjit në qafë, i thonë kësaj.
Tani ushtria e patronazhistëve, me të cilën Rama mburret si t’i kishte fëmijë për shpirt, do të ketë edhe një instrument më shumë për t’i zhveshur shqiptarët nga privatësia, për t’ju marrë votën dhe për ti përqeshur e vjedhur me vullnetin e tyre të shtrembëruar.
Me praninë e Aleat-it duket sikur Rama dhe Cuci bezdisen nga i vetmi element i infrastrukturës së sigurisë që nuk u kap dot nga hakerimi.
Iranianët mundën të hyjnë në të gjitha sistemet e qeverisë, çelësat e të cilave i ka Rama-Cuci, por jo te Aleat-i.
Duke përzënë të vetmen kompani që ka standard dhe ruan standardet, Edi Rama dëshmon profilin e qeverisjes së tij që udhëhiqet vetëm nga vjedhja dhe përfitimi.
Me këtë akt të papërgjegjeshëm për pasurimin e tij dhe klanit të tij, Edi Rama kërcënon ne menyre thelbesore rikthimin e vizave per shqiptaret.