Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca pjesë e delegacionit shqiptar, të kryesuar nga kryeministri Edi Rama, në Japoni, prezantoi ekselenca të bujqësisë shqiptare, pranë komunitetit të biznesit japonez.
Ministrja Krifca u takua në Tokjo me sipërmarrësit japonez, në kuadër të vizitës zyrtare që po zhvillon në Japoni, delegacioni i nivelit të lartë shqiptar.
Krifca përcolli me anë të fotove në rrjete sociale momente nga atmosfera e shkëlqyer që u krijua gjatë prezantimit të produkteve ‘made in Albanai’ si një pikë takimi mes dy kulturave, sa të ndryshme aq dhe të fokusuara tek bujqësia, ushqimi i mirë dhe jetesa e shëndetshme. Krifca vuri në dukje se, kryefjalë e diskutimit ishte zgjerimi i eksporteve bujqësore shqiptare në tregun japonez dhe tërheqja e investimeve japoneze në sektorin agro.
“Prezantuam sot ekselenca të bujqësisë shqiptare, pranë komunitetit të biznesit japonez, blerës të prodhimeve bujqësore për një treg me 125 milionë banorë. Folëm për tërheqjen e investimeve, më shumë turizëm, shkëmbim tregtar, eksporte bujqësore të peshkut, bimëve mjekësorë aromatike, mjaltit, verës dhe vajit të ullirit në Japoni”, u shpreh Krifca. Gjatë prezantimit të pranishmit u njohën dhe shijuan produktet e ofruara nga prodhuesit shqiptar si Rigersi nga Kantina Arbri, dhe Filipi nga Filipi and Co, të cilat u pritën mjaft mirë, si një degustim i parë me synimin për t’u afruar më tej në tregun japonez. “Krenare për prodhimin shqiptar”, u shpreh ministrja Krifca.
Në agjendën e kësaj vizite më herët ministrja Krifca u takua edhe me kryetarin e Kuvendit të Japonisë, Hiroyuki Hosoda.
Ku fokus i diskutimeve ishte nxitja për më shumë shkëmbim tregtar, në bujqësi, në turizëm, manifakturë e digjitalizim.
Krifca e cilësoi nder të veçantë takimin me Hiroyuki Hosoda dhe mjaft produktiv shkëmbimin e informacionit me anëtarët e grupit të miqësisë Japoni-Shqipëri, në Kuvend.
“Folëm gjerë e gjatë për Shqipërinë, rolin në Këshillin e Sigurisë, njerëzit e saj punëtorë e të palodhur, nxitjen për më shumë shkëmbim tregtar, në bujqësi, në turizëm, manifakturë e digjitalizim dhe këtë miqësi me rëndësi strategjike”, u shpreh Krifca.
Agjenda e visitës zyrtare në Japoni e delegacionit shqiptar të kryesuar nga kryeministri Edi Rama ka zhvillimin e një sërë takimesh, në kuadër të forcimit dhe thellimit të bashkëpunimeve mes dy shteteve, duke rikonfirmuar miqësinë mes dy vendeve, si edhe angazhimin e ndërsjellë për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në sferën dypalëshe dhe shumëpalëshe, në përballimin e sfidave së bashku si miq dhe aleatë që ndajnë të njëjtat vlera”.
Viti 2022 shënoi 100-vjetorin e marrëdhënieve të miqësisë mes Shqipërisë dhe Japonisë.
/Argumentum.al