Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka mbledhur këtë të diel drejtuesit politik të qarqeve në selinë blu.
Basha ka diskutuar me drejtuesit e PD në 12 qarqet e vendit mbi strategjinë që duhet ndjekur në paraqitjen e programit politik për zgjedhjet e 25 prillit.
Në kuadër të masave ndaj pandemisë, është sugjeruar si zgjidhje takimi ballë për ballë me elektoratin në mënyrë që të shmangen grumbullime e mëdha, të cilat janë të ndaluara.
Një tjetër pikë që kreu i PD ka diskutuar ka qenë mënyra e organizimit të shtabeve elektorale.
Aktualisht PD ka hapur një pjesë të mirë të zyrave në qarqet e vendit, por pritet që të hapen dhe të tjera deri në nisjen e fushatës.
Por, ende nuk është bërë e ditur strategjia se si do të funksionojnë këto shtabe për t’i dhënë fitoren PD në zgjedhjet parlamentare.