Teksa kompanitë koncesionare të naftës në vendin tonë nuk kanë rezultuar asnjëherë me fitim deri më sot, një projektligj i ri “Për regjimin fiskal në sektorin e hidrokarbureve”, do ua “vështirësojë” atyre që të bartin humbje në bilancet e viteve të mëpasshme, çka u mundësonte atyre që të mos deklaronin fitime të tatueshme për vite të tëra.
Drafti i ri mban të pandryshuara nivelin e rentës (taksa që paguajnë kompanitë e marrëveshjeve hidrokarbure për shfrytëzimin e naftës) e cila llogaritet duke aplikuar një normë prej dhjetë për qind të vlerës së tregut të naftës së nxjerrë. Edhe tatimi mbi fitimin nga operacionet hidrokarbure për një periudhë tatimore të caktuar llogaritet aplikohet në shkallën tatimore 50 për qind të fitimit të tatueshëm nga operacionet hidrokarbure për këtë periudhë, po e njëjta që është vendosur që në ligjin e vitit 1994.
Por, ndryshimi kryesor, sipas ekspertëve të naftës, me të cilët u konsultua Monitor lidhet me faktin që kompanitë do të jenë të kushtëzuara në mbartjen e humbjeve të lejuara. Neni 9 i draftit të ri sanksionon se Fitimi i tatueshëm i një personi nga një operacion i veçantë hidrokarbur për një periudhë tatimore llogaritet duke zbritur nga të ardhurat e kësaj periudhe nga ky operacion, shumat e mëposhtme:
a) shpenzimet e zbritshme të këtij operacioni për këtë periudhë dhe
b) humbjet e lejuara nga operacioni të mbartura nga periudhat e mëparshme.
Me kusht që zbritja të mos kalojë 85 përqind të të ardhurave nga ky operacion për këtë periudhë.
Pikërisht ky nen, shpjegojnë ekspertët do të “përmbysë” mënyrën se si do të deklarojnë fitimet kompanitë që kanë marrëveshje hidrokarbure në fushën e naftës. Sipas tyre ndryshimi kryesor i prezantuar në projekt-ligjin e hedhur për diskutim qëndron në faktin që, pavarësisht rezultatit financiar progresiv që mund të rezultojë, kompanive do t’iu atribuohet arbitrarisht një fitim periudhe i barabartë me 15% të vlerës së naftës së shitur për atë periudhë. Dhe duke konsideruar faktin që tatim fitimi për sektorin hidrokarbur është 50%, shteti do të inkasojë çdo vit në formë tatim fitimi, minimalisht 7.5% të të ardhurave që kompanitë do të realizojnë nga shitja e hidrokarbureve për atë vit.
Efektivisht, pohojnë ekspertët kemi një rritje të pagesës së detyrueshme, model “Rentë minerare” nga 10% që është aktualisht, në 17.5% të të ardhurave, vetëm se tashmë pagesa e detyrueshme do të jetë 10% si Rentë dhe 7.5% si Tatim Fitimi.
Gjithsesi, shtojnë ata, efektet financiare të këtij ligji do të jenë më të prekshme në kontratat e reja hidrokarbure, pasi për kontratat ekzistuese do të aktivizohet kaluzola e stabilitetit të regjimit fiskal që përcaktohet në çdo marrveshje ekzistuese, ç’ka do të thotë që kostot fiskale shtesë që do të krijohen do të duhet të neutralizohen, bazuar pikërisht në këtë klauzolë, për të mos pasur efekt të shtuar financiar mbi këto marrveshje.
Deri më sot, kompanitë koncesionare të naftës deklaronin shpenzime të larta kapitale dhe bartnin humbjet në vite, duke shfrytëzuar Marrëveshjet Hidrokarbure me Albpetrolin, në bazë të së cilës tatimi mbi fitimin duhet të llogaritet sipas Ligjit Nr. 7811 datë 12 Prill 1994, i ndryshuar, “Mbi Miratimin me Ndryshime të Dekretit Nr. 782, date 22.2.1994 – Mbi Sistemin Fiskal në Sektorin e Hidrokarbureve” dhe në përputhje me Licencën, sipas së cilës fitimi vjetor i tatueshëm llogaritet duke zbritur të gjitha shpenzimet operative dhe kapitale vjetore të ndodhura gjatë periudhës së zhvillimit dhe prodhimit nga të ardhurat totale vjetore me një normë tatimore të zbatueshme prej 50%. Në rast të një diference negative kur shpenzimet operative dhe kapitale vjetore janë më të larta se të ardhurat vjetore, diferenca konsiderohet si humbje tatimore për vitin dhe mbartet për t’u kompensuar me fitime të ardhshme të tatueshme. Humbjet tatimore mund të akumulohen dhe të barten deri në vitin kur ato kompensohen plotësisht, sipas ligjit të vjetër, që do të shfuqizohet me hyrjen në fuqi të të riut.
Si rrjedhojë, kompanitë deklaronin shpenzime të larta kapitale dhe mbartnin humbjet në perudhat e mëpasshme, çka ka bërë që dhe operatorë që kishin marrëveshje koncesionare prej gati 20 vitesh edhe sot të mos kenëdeklaruar asnjëherë fitimt të tatueshëm dhe të paguanin tatim fitim.
Drafti
Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka publikuar së fundmi për konsultim draftligjin “Për regjimin fiskal në sektorin hidrokarbur” duke zbardhur kështu edhe mënyrën sesi është konceptuar.
“Projektligji është strukturuar me fokus adresimin e çështjeve me regjimin ekzistues, specifikimin me qartësi të regjimit fiskal për operacionet hidrokarbure dhe ndërlidhjen e tij me regjimin rregullator ( bazuar në ligjin për hidrokarburet (kërkimi dhe prodhimi) i 1993, “ligji i sektorit”). Për të mbështetur qartësinë, renta e hidrokarbureve trajtohet në projektligj, duke u zhvendosur nga ligji i taksave kombëtare” thuhet në relacionin që shoqëron draftin.
Drafti reflekton variantin që i jep qeverisë bazën më të mirë për të rinegociuar marrëveshjet ekzistuese.
Kompanitë janë të kushtëzuara, nuk do tu njihen të mbarten humbjet e lejuara, por kufizohet Brenda
Ligji rregullon dhe një çështje veçanërisht e vështirë është e drejta e kontraktorëve për të përdorur persona të tjerë për nxjerrjen e naftës shqiptare, dmth., përdorimi i nënkontraktorëve. Me lidhjen e një marrëveshjeje hidrokarbure me një person të caktuar, regjimi rregullator nënkupton që ai person do të kryejë operacionet hidrokarbure. Ka një ndarje të vogël mes një nënkontraktori që kryen operacione hidrokarbure në emër të kontraktorit dhe nënkontraktorit që shkon përtej këtij pragu dhe drejton drejtpërdrejt operacionet (që ndalohet nga ligji i sektorit). Në kërkimin e një ekuilibri të duhur në këtë drejtim, drafti siguron një të drejtë për të zgjeruar (me vendim të Këshillit të Ministrave) funksionimin e regjimit fiskal tek nënkontraktuesit në rrethana të caktuara. Gjerësisht, këto rrethana përfshijnë raste, ku risku që të ketë abuzim me regjimin fiskal është më i madh. Këto janë gjithashtu rrethana ku rregullatori i sektorit duhet të shqetësohet që kontraktori nuk është drejtpërdrejt dhe plotësisht i angazhuar në përmbushjen e detyrimeve sipas marrëveshjes.
Por si është konceptuar në këtë dokument renta, vlera e tregut të naftës së nxjerrë dhe aplikimi i tatimit mbi fitimin të lidhura drejtpërdrejt me përfitimin që merret nga këto marrëveshje.
Tre nene të rëndësishme të draftit
Neni 5
Vendosja e rentës
Mbajtësi i një të drejte hidrokarbure duhet të paguajë rentë për naftën e nxjerrë në bazë të së drejtës.
2) Renta llogaritet duke aplikuar një normë prej dhjetë për qind të vlerës së tregut të naftës së nxjerrë, siç përcaktohet në nenin 6.
3) Sasia e naftës së nxjerrë-
a) matet në pikën e shpërndarjes siç parashikohet në marrëveshjen përkatëse hidrokarbure ose
b) në mungesë të një dispozite të tillë, matet në pikën e caktuar nga Ministri përgjegjës për çështjet hidrokarbure.
4) Nuk aplikohet rentë për:
a) mostrat e naftës të marra për analizë, shqyrtim , ekzaminime ose testime të tjera, por renta paguhet nëse një mostër shitet dhe
b) nafta që në përputhje me marrëveshjen hidrokarbure është –
i) djegur ose çliruar në lidhje me operacionet hidrokarbure ose
ii) përdoret drejtpërdrejt në të njëjtin operacion të veçantë hidrokarbur nga i cili nxirret.
5) Renta paguhet në kohën dhe sipas procedurës së përcaktuar në Kapitullin V.
Neni 6
Vlera e tregut e naftës së nxjerrë
1) Për qëllime të llogaritjes së rentës, vlera e tregut e naftës së nxjerrë është-
a) çmimi me të cilin nafta shitet i reduktuar nga kostot e shkaktuara përtej pikës së lëvrimit (përmbledhje e kostove) ose
b) nëse vlera e tregut e përcaktuar sipas nënparagrafit (a) është më e ulët sesa çmimi që do të caktohej ndërmjet palëve të pavarura për një shitje në pikën e lëvrimit, çmimi në pikën e lëvrimit, përcaktohet duke zbatuar rregullat e transferimit të çmimit.
2) Pavarësisht nga paragrafi 1), kur nafta furnizohet sipas një kontrate më të gjatë se një vit, administrata tatimore mund të lidhë një marrëveshje çmimi në avancë sipas nenit 36/7 të Ligjit nr. 8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar
Neni 7
Aplikimi i tatimit mbi fitimin
1) Një person që kryen operacione hidrokarbure i nënshtrohet tatimit mbi fitimin të përcaktuar me ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar.
2) Fitimet e tatueshme të një personi nga operacionet hidrokarbure llogariten dhe tatohen sipas këtij Ligji.
3) Fitimet e tatueshme të një personi nga operacionet jo hidrokarbure llogariten dhe tatohen sipas Ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”.
4) Të ardhurat dhe shpenzimet që rrjedhin dhe shkaktohen nga kryerja e aktivitetit duhet të ndahen midis operacioneve hidrokarbure dhe jo hidrokarbure, në mënyrë të tillë që të mos ketë mbivendosje.
5) Tatimi mbi fitimin nga operacionet hidrokarbure për një periudhë tatimore të caktuar llogaritet duke aplikuar shkallën tatimore 50 për qind të fitimit të tatueshëm nga operacionet hidrokarbure për këtë periudhë.
Fitimet e tatueshme nga operacionet hidrokarbure për një periudhë tatimore të caktuar llogariten si shumë totale e fitimeve të tatueshme nga secili prej operacioneve të veçanta hidrokarbure për këtë periudhë, duke përjashtuar humbjet.
7) Për qëllime të llogaritjes së fitimeve të tatueshme nga operacionet hidrokarbure:-
a) çdo operacion i veçantë hidrokarbur trajtohet si një biznes i pavarur dhe personi duhet të mbajë të dhënat financiare për këtë biznes të ndarë nga çdo aktivitet tjetër ekonomik i tij.
b) personi duhet të llogarisë fitimin e tatueshëm, humbjen dhe detyrimin e tatimit mbi fitimin për biznesin në mënyrë të pavarur për çdo periudhë tatimore.
8) Për të shmangur dyshimet, transferimi i një aseti në ose nga një operacion i veçantë hidrokarbur trajtohet si blerje dhe shitje e asetit.
9) Kur dy ose më shumë persona bashkërisht janë mbajtës të një të drejte hidrokarbure, ata duhet të llogarisin secili fitimet e tyre të tatueshme nga operacionet hidrokarbure që lidhen me këtë të drejtë, por duhet të veprojnë sikur të ishin palë të lidhura.
10) Rregullat e transferimit të çmimit aplikohen për transaksionet e mëposhtme sikur të jenë transaksione të kontrolluara ndërmjet palëve të lidhura:
a) rregullimet ndërmjet një operacioni të veçantë hidrokarbur dhe veprimtarive të tjera të personit që kryen operacionin hidrokarbur (duke përfshirë operacionet e tjera të veçanta hidrokarbure ose operacionet jo hidrokarbure, të tilla si rafinimi apo procese të tjera) dhe
b) marrëdhëniet ndërmjet dy ose më shumë personave që janë mbajtës të së drejtës hidrokarbure./monitor