Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi sot 12 vite burg për ish-ministrin e brendshëm, Saimir Tahiri, për bashkëpunim me nje grup kriminal në trafim të lëndëve narkotike drejt Italisë në të paktën 4 ngjarje gjatë viteve 2013 dhe 2015.
Ish-ministri Tahiri dhe ish-drejtori i policisë së Vlorës Jaeld Çela akuzohen për trafikim të lëndëve narkotike, si grup i strukturuar kriminal dhe kryerje të veprave si grup i strukturuar.
Organi i akuzës paraqiti sot përfundimet e hetimeve, sipas të cilave, ish-ministri Tahiri akuzohet për katër episode të trafikimit të lëndëve narkotike drejt Italisë më 25 tetor 2013, 27 shkurt 2014, 29 korrik 2014 dhe 8 maj 2015.
Sipas hetuesve, Saimir Tahiri dhe ish-drejtori i policisë së Vlorës Jaeld Çela, i shpallur në kërkim prej më shumë se një viti, u kanë krijuar mbrojtje trafikantëve.
Në seancën e sotme u lexuan edhedisa përgjime ambientale dhe telefonike në favor të akuzave.
Ish-ministri i brendshëm Tahiri i hodhi poshtë akuzat si të pabazuara në prova, duke thënë se grupi i Habilajve u procedua disa herë gjatë mandatit të tij si ministër. Ai shtoi se për sasinë e parë që më akuzoni sapo ishte emëruar ministër, ndërsa në të dytën ishte ministër vetëm dy muaj, dhe nuk mund të kishte lidhje.
Zoti Tahiri tha se nuk i ka ndihmuar kurrë kushërinjtë e tij të arrestuar tanimë në Itali. Ai tha se ata janë proceduar penalisht pikërisht në tetor 2013, dhe më vonë i ka denoncuar dhe proceduar vëllezërit Habilaj, Artan, Florian dhe Moisi Habilaj, për pengmarrje.
Gjykata e Krimeve të Rënda ka pranuar kërkesën për gjykim të shkurtuar, vendim që e ul automatikisht te një e treta masën e dënimit të mundshëm të tij. Nëse gjykata vendos 12 vjet burg, sa kërkoi prokuroria, Tahiri mund të dënohet me 8 vjet burgim.