“Marrëveshja që bëmë me Maqedoninë e Veriut duhet të inkurajojë vendet e BE-së që t’i japin një datë për procesin e anëtarësimit. Do të isha i lumtur nëse mund të them të njëjtën gjë për Shqipërinë, por kohët e fundit kemi parë disa zhvillime që nuk na kënaqin”.
Ishte kjo deklarata e kryeministrit grek Alexis Tsipras, gjatë një samiti mes liderëve të Greqisë, Bullgarisë Serbisë dhe Rumanisë. Kreu i qeverisë greke tregoi se Shqipëria mund të përballet me sanksione.
“Sot kam mësuar se ka një zhvillim negativ në lidhje me minoritetin grek në Shqipëri”, tha më tej Tsipras duke theksuar se “nëse informacionet do të jenë të vërteta do të ishte një zhvillim shumë negativ. Një çështje që fatkeqësisht neve nuk na jep optimizëm drejt perspektivës europiane. Nëse informacioni që kemi është i vlefshëm, nuk ekzistojnë parakushte për të ecur në këtë drejtim. Shpresoj të jem i gabuar. Sepse dëshira e të gjithëve është që hapat drejt perspektivës evropiane të bëhen realitet. Por, ne çdo shtet e shikojmë veç e veç”, tha ai.”
Bëhet fjalë për një “vjedhje të tokave” të minoritarëve grek në jug të vendit, – siç e cilëson Athina – nga qeveria shqiptare, ndërsa media të afërta me qeverinë greke nuk ngurojnë të shkruajnë se mund të ketë një veto edhe për çeljen e negociatave për Shqipërinë, si me rastin e Maqedonisë së Veriut.
Sipas mediave greke, Tsipras i referohej një informacioni që kishte marrë se konkretisht qeveria shqiptare ka konfiskuar prona të minoritetit grek në Himarë përmes një vendimi të botuar në Fletoren Zyrtare.
Ai mes tjerash tha se këto informacione duhet të verifikohen dhe nëse prej tyre del se gjithçka është e vërtetë, atëherë Greqia do të bëhet pengesë për hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian, proces ky që pritet të ndodhë gjatë muajit qershor.
Ditë më parë dhe “Al Jazeera” i ka kushtuar një reportazh problemeve që ka Shqipëria me çështjen e pronës. “Qeveria shqiptare kërkon të nxisë turizmin duke shkelur të drejtën e pronës”, kështu e ka titulluar gazetari i “Al Jazeera” reportazhin e bërë në Himarë.
Në samit Tsipras theksoi se mbështet bisedimet e pranimit në BE për Serbinë, duke shtuar se krerët folën për rëndësinë e Marrëveshjes së Prespës, e cila kishte shtruar rrugën për pranimin e Maqedonisë Veriore në BE, shkruajnë mediat greke.