Plani i paqes për Ukrainën i propozuar nga SHBA-të përfshin njohjen ‘de jure’ amerikane të Krimesë si territor rus dhe njohjen ‘de facto’ të kontrollit rus mbi zonat aktualisht të pushtuara nga Moska.
Agjencia britanike e lajmeve, Reuters, që ka parë dokumentin, e shkruan këtë në faqen e saj të internetit.
SHBA-ja gjithashtu propozon heqjen e sanksioneve të miratuara kundër Rusisë që nga viti 2014.
Kundërpropozimi i Kievit dhe evropianëve është që në vend të kësaj të shtyhen negociatat mbi aspektet territoriale deri pas një armëpushimi dhe “një lehtësim gradual i sanksioneve pasi të arrihet një paqe e qëndrueshme”.
Reuters raporton se dokumenti amerikan iu dorëzua përfaqësuesve evropianë më 17 prill, në një takim në Paris nga i dërguari i SHBA-së Steve Witkoff.
Përgjigjja u finalizua në një takim të përfaqësuesve evropianë dhe ukrainas, në Londër më 23 prill, dhe iu dorëzua Uashingtonit.
Edhe për garancitë afatgjata të sigurisë për Ukrainën, qëndrimet ndryshojnë.
Dokumenti amerikan i paraqitur nga Witkoff flet në mënyrë të përgjithshme për “garanci të forta sigurie” që duhet t’i shohin evropianët dhe vendet e tjera mike si garantues, por përjashton hyrjen e Kievit në NATO.
Kundërpropozimi është më specifik dhe thotë se nuk duhet të ketë kufizime për forcat ukrainase dhe asnjë kufizim në vendosjen e forcave ushtarake të aleatëve të Kievit në Ukrainë.
Për më tepër, evropianët dhe ukrainasit po kërkojnë që Shtetet e Bashkuara të veprojnë gjithashtu si garantuese dhe po propozojnë një marrëveshje që do të përfshinte zbatimin e Nenit 5 të NATO-s në Ukrainë.
Dokumenti evropian dhe ukrainas kërkon gjithashtu që Kievi të marrë kompensim financiar për dëmet e pësuara në konflikt nga kapitali rus i ngrirë jashtë vendit.
Ndërsa propozimi i Uashingtonit flet në mënyrë të përgjithshme për kompensim pa treguar burimin e financimit./