Para Qeverisë sonte ka vazhduar protesta me moton “Ultimatum – Jo faleminderit” kundër pranimit të propozimit francez për heqjen e vetos bullgare dhe hapjen e negociatave për anëtarësim të Maqedonisë në BE.
Sipas tyre, mohimi i së drejtës për vetëvendosje dhe kushtëzimi i integrimeve evropiane të Maqedonisë me pranimin e fshirjes së njëanshme të veçorive kulturore dhe historike dhe mosnjohjes së njëanshme të gjuhës, nuk është pjesë e kritereve për anëtarësim në BE as një rregull mes shteteve anëtare.
Protesta e cila filloi mbrëmë zyrtarisht nuk ka organizator, por është përkrahur nga partitë politike dhe organizatat e shoqërisë civile, të cilët konsiderojnë se propozimi është jashtëzakonisht i keq për popullin maqedonas dhe interesat kombëtare maqedonase. Protesta mori mbështetje edhe nga partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE, lideri i së cilës Hristijan Mickoski u bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen, në mënyrë që, siç tha ai, të mbrojnë atë që quhet vlerë evropiane dhe të shpëtojnë procesin e negociatave me Bashkimin Evropian.
Dhe sonte pjesëmarrësit dërgojnë mesazhe kundër propozimit francez dhe apelojnë që të mos nënshkruhet.
Disa nga qytetarët thanë se po përgatiten të vendosin edhe tenda.
“Mund të them se është e qartë se kemi një propozim jashtëzakonisht të dëmshëm që prek drejtpërdrejt identitetin maqedonas, kulturën, kombin, gjuhën dhe historinë maqedonase, propozim që shkatërron plotësisht themelet e shtetit maqedonas dhe popullit maqedonas”, tha zv. kryetar i VMRO-DPMNE-së Aleksandër Nikolloski.
Pjesëmarrësit në protestë kërkojnë që Qeveria dhe Kovaçevski ta refuzojnë propozimin sepse është i dëmshëm.
/Argumentum.al