Në fjalën e mbajtur para protestuesve të mbledhur para kryeministrisë, Berisha tha se kjo protestë është kundër projektit “Ballkani i Hapur”, që sipas tij kërkon të kthejë hegjemoninë serbe në Ballkan.
“Kjo është një protestë kundër projektit fantazmë, të aleancës trilaterale Beograd-Tiranë- Shkup, apo të treshes Vuçiç dhe vasalët e tij, Rama e Zaev”, deklaroi zoti Berisha që në hyrje të fjalës së tij, duke shpjeguar se nuk bëhet fjalë për një manifestim kundër bashkëpunimit rajonal. “Eshtë protestë kundër një projekti i cili shkon në kurriz të mbarë kombeve të Ballkanit, përveç Beogradit, kundër një projekti i cili është refuzuar në mënyrë kategorike nga Bosnja, Mali i Zi dhe Kosova. Një projekt i cili nuk synon gjë tjetër veçse vendosjen e hegjemonisë serbe në këtë rajon”, u shpreh zoti Berisha. Sipas tij “Open Balkan”është një “projekt djallëzor, një përpjekje aventurierësh për të zëvendësuar nismën e Berlinit, projektin europian të integrimit të rajonit në BE”, tha Berisha
Në fjalën e tij zoti Berisha tha se kjo e sotmja, është e para e një serie protestash kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama, duke theksuar se “në këto 8 vite, shqiparët u vodhë e plaçkitën më shumë se të gjithë qytetarët e tjerë të Europës. Pasuria publike u shndërrua në pasuri të ministrave kleptokratë e të kreut të Qeverisë”, u shpreh ai duke përmendur “aferën e inceneratorëve që u ka grabitur shqiptarëve 430 milion euro”.
Ish-deputetja e LDK-së, Melihate Tërmkolli tha se “Ballkani i hapur” synon të bëhet një Jugosllabi e re. Ajo tha se presidenti serb Aleksander Vuçiç është kritikuesi më i madh i Millosheviçit, jo për shkak të gjenocidit, por sepse nuk i shfarosi ata deri në fund.
“Sot ne këtu dhe gjithnjë do ta kundërshtojmë me gjithë fuqinë tonë dhe fuqia jonë nuk është e vogël, është e madhe. Do ta kundërshtojmë në vazhdimësi, këtë pakt për “Ballkanin e hapur”, për atë që do të thotë Jugosllavi e re. Kjo nuk do të ndodh. Vuçiç, a dini ju që ai është ndër kritikuesit më të mëdhenj të Millosheviçit?! Jo për shkak të gjenocidit ndaj shqiptarëve, por sepse nuk i shfarosi ata deri në fund dhe nuk i hodhi në det. kam dëgjuar që thonë nëse Serbia e njeh Kosovës, do të pranojmë Ballkanin e hapur. Kurrë! Edhe nëse Serbia e njeh Kosovës, nuk do e njohim. Rama duhet ta shpalli nul këtë veprim, nuk e duron Kosova dhe Shqipëria këtë paktë. Ne shqiptarët kemi vetëm një pakt dhe një lidhje direkte me SHBA dhe Europën. SHBA është me popullin shqiptarë, ndërsa shqiptarë me Sali Berishën. Shqipëria ka 2 liderë. ë madhin presidentin Ibrahim Rrugova dhe liderin aktual, Sali Berisha.”, tha ajo.
Protestuesit kanë djegur një flamur të Serbisë, që ishte vendosur në një shtyllë në Bulevardin Dëshmorët e Kombit.
Ata u shpërndanë të qetë.
Vuçiq arrin në Shqipëri për të marrë pjesë në takimin e radhës të nismës për bashkëpunim rajonal, “Ballkani i Hapur”.
Vendimi i Berishës për organizimin e kësaj proteste erdhi pas një përçarjeje brenda Partisë që ai ka themeluar, kur u përjashtua nga kryesia e saj pasi u shpall person i padëshirueshëm nga Departamenti amerikan i Shtetit.
Përmes një referendumi të mbajtur ditën e shtunë, ku u tha se 43,385 anëtarë të Partisë Demokratike votuan për largimin e Lulzim Bashës nga drejtimi i kësaj partie, Berisha tha se me protestën e sotme “do të fillojë opozitarizmi në Shqipëri”.
Në një postim në Facebook më herët gjatë ditës, Berisha ka listuar arsyet pse ka thirrur këtë protestë, duke thënë ndër tjerash se Vuçiq është “është ministër i (ish-presidentit të Serbisë, Sllobodan) Millosheviqit dhe se ai akoma nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera ndaj shqiptarëve nga Serbia dhe vazhdon të ndjekë politikën e shefit të tij”.
“Kosova ka akoma plagë të hapura për të cilat Vuçiq është nga përgjegjësit kryesorë. Përveç kësaj, ai edhe mohon krimet, masakrat dhe gjenocidin e kryer ndaj shqiptarëve të Kosovës në luftë, andaj nuk është i denjë që të pritet në Tiranë e aq më pak që të bashkëpunohet me të”, shkroi Berisha në një nga arsyet e tij.
Në anën tjetër, gjatë ditës së hënë, ndërtesa e kryeministrisë është “blinduar” me dyer të hekurta dhe nga Policia e Shtetit bëhet e ditur se do të ketë masa të shtuara të sigurisë nëpër gjithë kryeqytetin e Tiranës.
Sipas agjendës së publikuar, më 20 dhjetor Rama, Vuçiq dhe Zaev do të marrin pjesë në një darkë zyrtare në Elbasan, ku pritet të jetë i pranishëm përfaqësuesi i Këshillit Atlantik Jim O’Brien si dhe Alex Soros, drejtuesi i fondacionit “Shoqëri e Hapur”.
Ndërkaq, më 21 dhjetor, tre liderët do të zhvillojnë takim në Tiranë dhe në këtë takim, përmes video-lidhjes do të marrë pjesë edhe Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi.
Ndryshe, në nismën “Ballkani i Hapur” bëjnë pjesë Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut dhe kjo iniciativë u iniciua nga krerët e këtyre shteteve në tetor të vitit 2019.
Fillimisht kjo nismë u quajt “Mini-Shengen” dhe parasheh lëvizjen e lirë të kapitalit, mallrave, shërbimeve dhe njerëzve midis tri vendeve.
Në korrik të këtij viti, në Forumin për Bashkëpunim Ekonomik Rajonal në Shkup, nisma ka marrë emrin e ri, “Ballkani i Hapur”.
Në nismën “Ballkani i Hapur” nuk bëjnë pjesë Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina.
Udhëheqësit në Kosovë argumentojnë se kjo nismë është e dëmshme, nuk është e ndërtuar mbi parimet themelore të bashkëpunimit ndërfqinjësor dhe nuk pranon trajtimin e barabartë të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor.