10 punonjës Policie janë dëmtuar në protestën e sotme të opozitës nga sulmet me e qytetarëve, me molotov, lëndë piroteknike e sende të forta ndaj Policisë.
Policia e Shtetit njoftoi sot se, shërbimet e Policisë janë të angazhuara maksimalisht për mbrojtjen e institucioneve shtetërore, pronën publike dhe private, jetën e qytetarëve dhe të vetë punonjësve të Policisë.
Policia bën të ditur se, që prej fillimit të tubimit një pjesë e qytetarëve në tubim sulmuan e vijojnë te sulmojnë Policinë dhe godinat e institucioneve shtetërore me molotov e lëndë plasëse.
Deri në këto momente nga sulmet e qytetarëve në tubim, me molotov, lëndë piroteknike e sende të forta ndaj Policisë, janë dëmtuar 10 punonjës Policie, thekson Policia.
Policia e Shtetit iu bën thirrje qytetarëve pjesëmarrës në tubim, të ndalojnë sulmet me molotov e lëndë piroteknike mbi Policinë dhe institucionet shtetërore.
Policia thekson ka marrë të gjitha masat për identifikimin, kapjen dhe shoqërimin e personave të përfshirë në sulme mbi Policinë dhe institucionet shtetërore.
Protesta e paralajmëruar nga Partia Demokratike nisi rreth orës 18:40. Protestuesit u mblodhën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përpara godinës së Kryeministrisë.
Vetëm pak minuta nga nisja e protestës, e cila drejtohet nga Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka dhe kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, protestuesit nisën përplasjen me efektivët e Policisë së Shtetit si dhe hodhën molotovë në drejtim tē godinës së Kryeministrisë. Policia u bëri thirrje në mënyrë të vazhdueshme protestuesve që të ruajnë qetësinë dhe të ndalin veprimet e dhunshme.
Pas disa minutash, protestuesit u larguan nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit” për të vijuar në drejtim të sheshit “Skënderbej”.
Nga hedhja e molotovëve është djegur edhe një pemë përpara Kryeministrisë, teksa policia tentoi fikjen e zjarrit. Pas hedhjes së disa molotovëve dhe tymueseve, situata duket se është qetësuar tek Kryeministria, teksa protestuesit vijuan drejt sheshit “Skëndërbej”.
Protesta është thirrur nga Partia Demokratike si reagim pas dënimit me 1 vit burg të nënkryetarit të grupit parlamentar të PD, Ervin Salianji, i cili u shpall fajtor nga gjykata për “Kallëzim të rremë” lidhur me dosjen “Babalja”.