Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta komentoi sot protestën e mbrëmshme të opozitës në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë.
Në një konferencë për shtyp, Meta u shpreh se “Berisha është kthyer në një simbol të opozitarizmit të pandalshëm, të përditshëm, të përnatshëm, falë izolimit kriminal nga Rama me veglat e tij në SPAK që i kanë bërë liderit demokrat”.
“Arsyet pse qytetarët ishin të shumtë në një ditë aq të nxehtë është për faktin se 1 milionë prej tyre janë përzënë nga Rama përmes spastrimit etnik nxitur nga Beogradi”, shtoi ai.
“Jemi të parët në Evropë për korrupsionin, varfërinë, për pagat më të ulëta e pensionet skandaloze, për numrin më të madh të të burgosurve brenda dhe jashtë vendit në raport me popullsisë”, tha më tej Meta.
Meta u shpreh se vendi ka nevojë për qeveri teknike dhe se duhet organizim shumë herë më i fuqishëm në të gjithë drejtimet për të imponuar këtë kërkesë.
“Jam absolutisht i bindur se vendi ka nevojë për qeveri teknike, mbështes plotësisht këtë objektiv të shpallur nga lideri i PD-së, Sali Berisha dhe unë jam shumë i bindur që do ta fitojmë këtë betejë sepse udhëhiqemi nga interesi kombëtar, parimet tona janë shumë të drejta dhe të shëndetshme, kanë të bëjnë me rikthimin e sovranitetit tek populli shqiptar. Na mbetet të organizohemi shumë herë më fuqishëm në të gjithë drejtimet, për të imponuar këtë kërkesë të drejtë”, tha Meta.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha në fjalën e tij online në protestën e mbrëmjes së djeshme, ftoi qytetarët që të bashkohen për të lidhur besën për qeveri teknike dhe zgjedhje të lira.
“Kushtrimi im sot shkon për çdo demokrate e demokrat, për socialistët e zhgënjyer dhe qytetarët e paparti, për shqiptarët kudo që ndodhen. Vetëm zgjedhjet e lira janë shpëtimi i Shqipërisë. Por, me Edi Ramën zgjedhje të lira nuk ka. Bashkohuni me ne për të lidhur besën për qeveri teknike dhe zgjedhje të lira. Ne do të fitojmë!”, u shpreh kreu i PD.
“Kushtrimi im sot është kushtrimi i flamurit kuqezi. Është kushtrimi i një kombi që po tretet dhe po grabitet në mënyrë të lemeritshme. Të bashkohemi për t’i thënë STOP me votën e lirë zbrazjes së Shqipërisë. Me Edi Ramën zgjedhje të lira nuk ka”, tha Berisha.
“Qeveri teknike është betimi ynë! Kushtrimi im është thirrja për bashkim! Për çdo shqiptar. Nëse kërkoni shpresë, kujtohuni se shpresa jeni ju. Nëse kërkoni ndryshim, kujtohuni se ndryshimi jeni ju. Nëse doni që Shqipëria të shpëtojë, mos harroni që jeni shqiptarë. Mos harroni, jeni shqiptarët e trashëgimisë epike të Gjergj Kastriotit, të Adem Jasharit, të heroizmit të studentëve të ‘90”, theksoi Berisha.
“Prandaj tani, si një front i madh opozitar, le të përballemi ne me pushtuesin më armiqësor të shqiptarëve të shekullit 21. Prandaj shqiptarët do bashkohen në këtë luftë. Jo për Sali Berishën. Jo për Partinë Demokratike. Jo për politikë”, shtoi më tej Berisha.
“Në emër të Partisë Demokratike dhe frontit të gjerë opozitar, unë sot i jap këtë paralajmërim Edi Ramës: Prano qeverinë teknike, si kushti i të gjitha kushteve për zgjedhje të barabarta, dhe të shkojmë në zgjedhje të përgjithshme. Qeveria teknike është zgjidhja më e thjeshtë për ty”, deklaroi Berisha.
/Argumentum.al