Ambasada amerikane në Tiranë ka reaguar për protestën e opozitës së bashkuar, e cila është njoftuar gjatë ditës së nesërme. Ajo bën thirrje që të shmangen pikat ku do të grumbullohen protestuesit.
Në apelin e ambasadës theksohet se grupi i protestuesve demonstron kundër qeverisë, ndërsa thekson se në protestat e fundit, Policia e Shtetit ka përdorur gaz lotsjellës.
“Demonstrata pritet të ndodhë kur Kuvendi i Shqipërisë të mblidhet në seancë. Grupi demonstron kundër qeverisë. Kohëzgjatja e demonstratave është e panjohur. Forcat e sigurisë kanë përdorur ujë dhe gazlotsjellës gjatë protestave të fundit. Shmangni pikat e grumbullimit dhe vendet ku demonstratat janë të pashmangshme ose të vazhdueshme”, njofton ambasada amerikane.
Protestuesit do të mblidhen nesër para Kuvendit në kohën kur brenda tij do të zhvillohet seanca plenare sipas rendit të ditës, ndërsa policia ka marrë masa të rrepta për të siguruar godinën dhe deputetët, të cilët nesër do të jenë në Kuvend.