Të heshtur dhe të zhgënjyer, mjeket e QSUT me fotot e kolegeve të tyre të ndjere që kanë humbur jeten në krye të detyres përballë COVID-19 kanë protestuar në dyert e spitalit pasi nga Policia iu mohua e drejta e protestes per shkak të pandemise. Pavarësisht se deri tani janë numëruar me qindra protesta pas pandemisë nga grupe të ndryshme, protesta e paralajmëruar e mjekëve çuditërisht u refuzua.
Mjekët dhe infermierët e Qendrës Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’ janë mbledhur sot në orën 10:00 në sheshin para spitalit nr. 1 të QSUT për të protestuar për kushtet e punës, pagesat dhe sigurimin e jetës.
Protesta e konceptuar në formën e një greve 1-orëshe, është organizuar nga Sindikata e Punonjësve të Shërbimit Shëndetësor, dhe peticioni mban firmën e 12 mjekëve.
Duke ngritur shqetësimet e tyre, të krijuara nga situata e pandemisë mjekët kanë paraqitur 4 kërkesat e tyre:
-Të shpallen dëshmorë të kombit të gjithë ata pjesëtarë të personelit shëndetësor të cilët humbasin jetën në këtë luftë.
-Të bëhet sigurimi i jetës së personelit shëndetësor me qëllim që familjet e tyre të mund të vazhdojnë jetën edhe pas fatkeqësive të mundshme
-Rritje e vlerësueshme e trajtimit financiar të personelit
-Personeli shëndetësor të çdo niveli t’i sigurohen të gjitha kushtet në punë për parandalimin e infeksionit.
Policia nuk ka dhënë leje për mbajtjen e kësaj proteste, duke u kujtuar mjekëve faktin se tubimet janë të paligjshme për shkak të situatës së pandemisë dhe përbëjnë rrezik për jetën e qytetarëve.
Ndërkohë, një orë përpara protestës së planifikuar kryeministri Edi Rama ka ftuar në takim një përfaqësi të mjekëve për të dëgjuar nga afër kërkesat e tyre.
Doktor Ibrahim Ruka kirurg në QSUT tha për mediat që sindikata u mashtrua pasi as kryeministri Edi Rama as ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu nuk kanë pranuar takimin me përfaqësinë e mjekëve. Ai tha se sot protesta do të jetë për një orë, ndërsa më tej do të merret një vendim nga këshilli koordinativ.
“Sot sapo morëm lajmin që dhe kryeministri dhe ministrja nuk kanë pranuar të takohen me përfaqësinë e sindikatës por kanë lënë këshilltarët në dispozicion të tyre. Ky është një mashtrim i madh që i kanë bërë sindikatës dje. Besoj që do mblidhet këshilli koordinativ dhe do vendosë për më tutje. Sot është një orëshe protesta më pas do merret vendim nga këshilli”, deklaroi kirurgu Ruka.
© Argumentum