Studentët, të cilët për më shumë se dy muaj kanë bllokuar rreth 60 fakultete në Serbi për shkak të tragjedisë në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, u kanë bërë thirrje qytetarëve të Serbisë sot në grevë të përgjithshme.
Biznese të shumta, duke përfshirë kafene, restorante, librari dhe kinema, vendosën të mos punojnë sot në mbështetje të studentëve. Atyre iu bashkuan edhe teatrot, mediat dhe organizatat e shoqërisë civile.
Në të njëjtën kohë, presidenti serb Aleksandar Vuçiç dhe Partia Progresive Serbe në pushtet bënë thirrje për një tubim të madh në Jagodinë që duhet të shënojë formimin e një “lëvizjeje popullore për një Serbi të denjë”, në kontrast me protestat gjithnjë e më masive që synojnë të luftojnë për një shoqëri më e drejtë e bazuar në shtetin e së drejtës.
Studentët në bllokadë u bënë thirrje qytetarëve të Serbisë që të premten të pezullojnë plotësisht të gjitha aktivitetet, duke thënë se “grevë e përgjithshme” duhet të jetë shprehje e mosbindjes së përgjithshme civile dhe solidaritetit qytetar. Duke folur për shpalljen e grevës, Vuçiq tha se ka “shumë të çmendur në vend”.
Studentët protestues, si dhe partitë opozitare, kanë bërë thirrje për një “grevë të përgjithshme” për disa javë si një mënyrë për të bërë më shumë presion ndaj qeverisë për të pranuar kërkesat e studentëve në lidhje me tragjedinë e stacionit hekurudhor të Novi Sadit. Studentët, të cilët kanë bllokuar universitetet e tyre që prej dhjetorit, kërkojnë nxjerrjen e plotë të dokumenteve në lidhje me rikonstruksionin e fundit të stacionit.
Rreth mesditës, protestat e udhëhequra nga studentët filluan në të gjithë vendin, duke mbledhur turma të mëdha në Beograd dhe Novi Sad.
Edhe shumë shkolla zgjodhën të mos punojnë sot, duke vazhduar protestat që nisën në fillim të kësaj jave, kur semestri shkollor nuk nisi siç duhet në shumë shkolla në të gjithë vendin. Ministria e Arsimit njoftoi se pagat e mësuesve që refuzuan të punojnë do të ulen në janar.
Partitë opozitare i mbështesin protestat por nuk po i udhëheqin ato. Disa deputetë dhe këshilltarë të opozitës në Novi Sad bllokuan autostradën Novi Sad-Beograd. Ata u arrestuan nga policia.
Një grup tjetër politikanësh opozitarë nga koalicioni konservator NADA bllokuan një pjesë të autostradës në Beograd.
Një incident i rëndë ka ndodhur në Beograd kur një nga protestuesit është goditur qëllimisht nga një makinë. Sipas raportimeve të mediave, e reja e cila u godit është plagosur rëndë dhe aktualisht po trajtohet nga urgjenca. Një tjetër protestuese u plagos më 16 janar kur një makinë e goditi, duke shkaktuar një valë të re protestash.
Serbia ka qenë në trazira politike që nga 1 nëntori 2024, kur një pjesë e çatisë së stacionit hekurudhor të rindërtuar së fundmi në qytetin e Novi Sadit u shemb, duke vrarë 15 persona. Pas tubimeve fillestare në Novi Sad dhe Beograd, forma kryesore e protestave u bënë përkujtimet javore 15-minutëshe në rrugët anembanë vendit.
Protestat morën një kthesë vendimtare kur studentët e Fakultetit të Arteve Dramatike, të cilët po merrnin pjesë në një përkujtim 15-minutësh, u sulmuan fizikisht në fund të nëntorit. Si reagim, studentët nisën një bllokadë të fakultetit të tyre, e cila u përhap me shpejtësi në të gjithë vendin, duke çuar në bllokimin e shumicës së fakulteteve nga mesi i dhjetorit.
/Argumentum.al